Tiranë- Policia e Tiranës pritet të rikthehet sërish këtë të mërkurë (4 Dhjetor) në vendin ku dyshohet se autori i vrasjes së Ardjan Dedjas, 26-vjeçari Julian Gjoshi, ka hedhur armën e krimit në shkurre.
Një ditë më parë kontrollet kanë rezultuar pa sukses, ndërsa sot në ndihmë të hetuesve do të jenë edhe Forca Kombëtare e Sigurisë.
Burime thonë se nëse edhe FKS sot nuk e gjen armën, nuk përjashtohet mundësia që Julian Gjoshi të merret personalisht për të treguar vendin e saktë ku e ka hedhur.
Ai ka rrëfyer gjatë dëshmisë së tij se krimin e ka kryer për shkak të ofendimeve të përsëritura që viktima 50-vjeçar i bënte atij në mënyrë të përsëritur. Madje ka theksuar se dikur e “ka mbajtur me bukë”.
Policia dhe Prokuroria hetojnë edhe për pista të tjera të mundshme për krimin e ndodhur të dielën e 1 Dhjetorit në lokal “Kështjella”, në Ndroq. Gjoshi u dorëzua një ditë pas krimit, teksa makina e tij "Benz" u gjet te "Shkëmbi i Kavajës" në Durrës, aty ku qëndroi për një natë në hotel.
Gjoshi rezulton se është kunati i Altin Hajrit, ky i fundit pronar i “Golden” dhe një ndër personat më të kërkuar të drejtësisë, për organizimin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës në vitin 2020. Gjoshi është person me precedentë penalë të mëparshëm, ashtu sikurse dhe viktima.