Kronikë

Vrasja e Anesti Ramës në Fier, arrestohet edhe shoku 55-vjeçar i vajzës si bashkëpunëtor në krim, dyshohet se kishin lidhje intime (EMRI + FOTO)

26 Korrik, 09:46| Përditesimi: 26 Korrik, 13:23

  • Share

Çlirim Dogani, shofer autobusi në Roskovec, i martuar dhe baba i dy fëmijëve dyshohet se kishte krijuar një lidhje të fshehtë intime me Emalinda Ramën, vajzën që vrau të atin tre ditë më parë në Frashër të Fierit.

Dyshohet se lidhja intime e 26-vjeçares me një burrë të martuar 55 vjeç, është kundërshtuar nga i ati, Anesti Rama, ç’ka i kushtoi jetën.

Policia e Fierit bën të ditur se ka arrestuar Doganin, me dyshimin se ka bashkëpunuar në krimin e rëndë të 23 korrikut.  Përpara grupit, 55-vjeçari ka mohuar që të ketë lidhje me ngjarjen. “Nuk di asgjë, nuk kam lidhje me këtë histori”, është shprehur Çlirim Dogani.

Ndërsa fqinjët dhe të afërmit e tij e kanë pritur me habi arrestimin, pasi e njihnin si njeri familjar e punëtor.

Burimet policore thanë se Emalinda Rama ka pranuar para hetuesve se ka mbytur të atin me tel dhe bashkë me nënën, Valbonën, kanë tentuar të inskenojnë vdekjen si aksidentale, duke pastruar trupin dhe njoftuar policinë se ‘ai kishte rrëshqitur në banjë’.

Por ekspertiza mjeko-ligjore hodhi poshtë këtë alibi, pasi në trupin e viktimës u zbuluan shenja të dukshme dhune dhe dëmtime në pjesë në trup, përfshirë dhe pjesët intime. Këto prova çuan në rrëfimin e plotë të Emalindës, e cila deklaroi se kishte kohë që e urrente të atin për shkak të fanatizmit dhe trajtimit jo te mire.

Dëshmitë e fqinjëve dhe të afërmve një ditë më parë, kanë zbuluar se familja Rama kishte probleme të mëdha sociale dhe ekonomike.

Ata rrëfejnë se viktima ishte një burrë i urtë, punëtor, por sipas tyre gruaja dhe vajza e keqtrajtonin dhe e linin pa ngrënë.

Sipas kryeplakut të fshatit dhe nipërve të viktimës, ai ishte shpesh ishte objekt i dhunës se tyre.

Ndryshe nga Emalinda që është thyer para hetuesve dhe ka pranuar krimin, Çlirim Dogani e mohon përfshirjen në vrasje dhe pretendon se ai ndodhej larg banesës së familjes Rama mbrëmjen e 23 korrikut dhe madje as nuk kishte dijeni për planin e 26-vjeçares.

Policia e Fierit, nën drejtimin e Prokurorisë, po mbledhin prova e fakte të reja dhe pritet që tre të arrestuarit të dalin para gjykatës për t’u njohur me masat e sigurisë.

Nga dëshmitë e të premtes që Report Tv siguroi një ditë më parë, nipi i viktimës (video më poshtë) ka thënë se në trupin e kufomës kishte vënë re dy prerje në zonën pranë organeve gjenitale. Edhe nga informacionet e siguruara nga policia, viktima ishte goditur me sende të forta në organet gjenitale pas vdekjes.

 

Njoftimi i Policisë Fier:

Punë e pandërprerë hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau për motive të dobëta, babanë e saj.

Vihet në pranga bashkëpuntori i 26-vjeçares.

Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Ç. D., 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.

Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Ora 11:33
Arrestimi i Çlirim Doganit për vrasjen në Fier, habiten banorët e Arapajt: E pamundur, është djalë i mirë, i martuar me dy fëmijë (VIDEO)

Banorët e fshatit Arapaj në Roskovec kanë shprehur habi për arrestimin e 55-vjeçarit Çlirim Dogani, të akuzuar si bashkëpunëtor i Emalinda Ramës 26 vjeç në vrasjen e babait të kësaj të fundit, Anesti Rama 56 vjeç.

Në prononcimet që kanë dhënë për Report Tv, banorët thonë se Çlirim Dogani është i martuar dhe me dy fëmijë, e prej vitesh punon si shofer i linjës së urbanit të Fierit dhe fshatrave të zonës.

Vajza e xhaxhait të Çlirimit, Manushe Dogani dhe një banor, Fatmir Çalamani, pohojnë se njihet në fshat si njeri i mirë, punëtor e familjar.

Manushe Dragani: Çlirimin e njoh shumë mirë, është shumë djalë i mirë. Është familjar, ka dy fëmijë, djalë e vajzë. Vajzën e ka të martuar, djalin të pamartuar. Familja me bujqësi merret. Për ngjarjen nuk jam në brendësi. Nuk ma merr mendja kurrë që të bëjë Çlirimi këtë gjë.

Fatmir Çalamani: Është një djalë shumë i pastër, punëtor, familje e pastër dhe nuk ka pasur asnjë lloj problemi këtu në territorin tonë. Asnjëherë problematikë. Ai ka qenë shofer autobusi, është shumë i saktë, pa probleme në zonën tonë. S’ma ha mendja që të përfshihet...

Sipas informacioneve policore, dyshohet që Çlirim Dogani 55 vjeç të ketë patur lidhje dashurore me Emalinda Ramën 26 vjeçe.

Policia e Fierit e arrestoi sot 55-vjeçarin si bashkëpunëtor të Emalindës në mbytjen me tel të Saimir Ramës, goditjen me sende të forta dhe mjete prerëse.

Ora 16:22
Bie alibia e vajzës dhe nënës për vrasjen në Fier, të afërmit: I merrnin rrogën, e linin pa bukë. E bija e dytë: Më thanë u rrëzua në banjo

Fier - Dëshmitë e të afërmve, fqinjëve dhe kryeplakut të fshatit Frashër të Fierit, nxjerrin një tjetër anë të vrasjes makabre të babait nga vajza dhe fshehjes së krimit nga nëna.

Kunata dhe fqinji i viktimës thonë se 56-vjeçari Anesti Rama nuk ishte fanatik, por se vajza dhe gruaja e dhunonin, e linin në dhomë më vete, pa ngrenë dhe i merrnin rrogën.

Sipas dëshmiëve të tyre për gazetarët e Report Tv në Fier, Kristaq Thano e Marsida Topi, vajza Ermalinda Rama 26 vjeç dhe bashkëshortja Valbona Rama, kishin prokurë për të tërhequr nga banka rrogën e viktimës, i cili punonte në një serë bujqësore.

Kunata e viktimës: Kishin edhe probleme, se tani çifti ka probleme në shtëpi, por edhe çupën nuk e njoh aq mirë se unë kam qenë në Delvinë. Lekët që punonte, i kishin hedhur ata të punës a nuk e di, edhe me pasaportën e tyre venin merrnin lekët. Lekët ky nuk i merrte dot në dorë, se nuk i njihte lekët, vetëm se punonte, lekë në xhep ai nuk mori asnjëherë.

Fqinji i viktimës: Faktikisht ai nuk dinte shkrim e këndim, ato e kishin bërë me prokurë që tërhiqnin lekët nga banka. Ajo që thotë vajza, që ka deklaruar se nuk i jepte lekë, janë gënjeshtra. Hani çfarë u donte qejfi vetë atyre. Unë si komshi ndonjëherë i pyesja e ushqeni apo nuk e ushqeni, se kohët e fundit ishte dobësuar shumë. I japim ushqim, thoshin, ndoshta mund t’i kishin dhe gënjeshtra. Por gjithmonë i bërtisnin.

Ndërsa vajza e dytë e viktimës së Fierit, e cila jeton në Itali dhe larg familjes, ka treguar se motra dhe mamaja i thanë që babai ishte rrëzuar në banjo.

Duke folur për gazetaren e Report Tv në Fier, Marsela Topi, vajza e dytë e të ndjerit Anesti Rama 56 vjeç, thotë se motra i tha që babai ishte rrëzuar në banjo, duke e inskenuar ngjarjen si aksidentale.

Ndërsa për mamanë thotë se po e lanin për ta bërë gati për ceremoninë mortore.

Vajza e dytë e viktimës: Ngjarja e mësova nga ora 20:00, më ka marrë motra në telefon, që babi kishte rënë në banjo. Më tha kështu: “O motra, ka rënë babi në banjo”. I thashë ç’po thua? Edhe fiku telefonin. Pastaj e marr pas 5 minutash, edhe më thotë mami ik se po merremi me babin, se po e vishnin a po e lanin nuk e di, edhe e fika prapë telefonin. Fillova pastaj të merrja kunatën time, se i rashë mamit prapë e nuk ma hapi telefonin. Mora kunatën që të vinte këtu e të merrja vesh, se nuk po e besoja. Kur po e lante mami, dëgjova një zë dhe i thashë: Mami, babi është gjallë? Jo, tha, ka vdekur. Kaq ishte. Unë me prindërit e me motrën kam folur gjithmonë, flisja përditë, flisja me babin, ishte çdo gjë në rregull.

Gazetarja: Kishte motra një zhvillim të mirë? Ishte e mirë në shkollë?

Vajza e dytë e viktimës: Ne kemi bërë 9-vjeçaren këtu.

Gazetarja: Mami edhe motra punon?

Vajza e dytë e viktimës: Po punonin.

Gazetarja: Kishte motra një të dashur apo ndonjë djalë që të kishte treguar?

Vajza e dytë e viktimës: Jo.

Kurse nipi i viktimës tregon se 56-vjeçari kishte goditje në ballë.

Nipi i viktimës: Kur sa e pashë, pashë goditjen që kishte në ballë, edhe kishte shumë gjak mbrapa kokës, domethënë që ishte vrarë dhe mbrapa kokës. Kurse nga ajo që kishim dëgjuar që e kishin gjymtuar edhe poshtë, e vura re dhe kishte dy prerje. Tani nuk e di nëse ato prerjet ishin nga autopsia ose ishin nga dhuna, por e di që ishte i prerë.

Anesti Rama 56 vjeç u mbyt për vdekje me tel nga vajza e tij Ermalinda Rama 26 vjeç. Kjo e fundit është arrestuar, së bashku me nënën Valbona Rama që akuzohet për bashkëpunëtore. Vajza ka thënë në polici se i ati nuk i jepte lekë dhe nuk e lejonte të vishej ekstravagante. Por kjo alibi nuk është fort e besueshme, pasi kunata dhe fqinji i viktimës kanë thënë se rrogën e të ndjerit e tërhiqnin nga banka me prokurë e bija dhe bashkëshortja, e në disa raste e linin dhe pa ushqim.

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergji: 26/07/2025 14:15

    Per te tre te zbatohet denimi qe ju dha dy vellezerve duke i varur ne mes te Fierit qe vu transmetua direkt nga RTSH ne vitin 1996

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?