Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet për ngjarjen 7 viteve më parë të datës 14.06.2018, ku 18-vjeçari Antonio Karafili fillimisht u konsiderua i vetëvarur dhe më pas hetimet e thelluara nxorrën në pah se ai ishte vrarë nga e dashura e tij një vit më e vogël, së bashku me 65-vjeçarin Rexhep Vathi. Duket se Antonio Karafili kishte kuptuar një raport të dytë që kishte e dashura e tij me 65-vjeçarin dhe ky duket se ka qënë motivi që të dy këta shtetas vranë 18-vjeçarin dhe e inskenuan këtë si vetvrasje.
Dy ditë më parë prokuroria e Korçës ka pëfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzën “Vrasje me Dashje” e kryer në bashkëpunim për Kejsi Spaillarin e cila tashmë ndodhet në Kanada, ku ka krijuar familje dhe për shtetasin Rexhep Vathi, që prej vitit të shkuar i ka dhënë fund jetës në zonën e Krujës, duke pirë fostoksinë. Prokuroria në 7 vite ka mbledhur prova të mjaftueshme dhe deklarime në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa duket se inskenimit për vetëvrasje i erdhi fundi nga akti i ekspertimit që gjeti materiale biologjike (ADN), të Kejsi Spahillarit në çarçafin që ishte përdorur për varjen e të ndjerit Antonio Karafili.
Një nga deklarimet që ka shtuar dyshimet që ngjarja nuk ka qenë vetëvrasje por vrasje, ka qenë mënyra sesi Kejsi Spaillari ka proceduar në momentet e para të ngjarjes. Ka qenë ajo e fundit që ka pasur kontakt me të ndjerin dhe sipas dosjes hetimore, Spaillari ka shkuar në Korçë dhe ka marrë nënën dhe vëllain e Antonios dhe i ka drejtuar në një rrugë që të çon drejt pyllit të Voskopojë, në vendin ku gjendej trupi i pajetë i 18-vjeçarit. Aty në një gjendje të rënduar gati në të qarë i ka thënë familjarëve të Antonios “Ja ku e keni!” (për trupin e ndjerin), ky fakt mbështetet në dosjen e prokurorisë, nga deklarimet e të pranishmëve. Gjithashtu ka qenë vetë e reja e cila ka treguar se atë ditë ata ishin grindur sepse viktima dyshonte tek një raport i dyfishtë që e reja mund të kishte.
Njëkohësisht e reja ka dhënë indicie në deklarime apo biseda të ndryshme, që ngjarja nuk ka qenë vetëvrasje, por një vrasje. Në një bisedë të ëmën e viktimës e cila zbardhet në dosjen e prokurorisë Kesji Spahillari pranon që Antonio Karafili është vrarë duke inplikuar xhaxhain e saj.
“Shtetësja Stefani Karafili (Nëna e Viktimës) i thotë Kejsit se s’kishte si të ndodhte që Antonio të vetëvritej dhe e pyet Kejsin se si e gjykon ajo. Kejsi i përgjigjet se vetë Antonio nuk e ka bërë, por edhe tek Miloja dyshon", shkruhet në dosjen e prokurorisë.
Gjithashtu ka qenë vetë e reja që ka regjistruar një bisedë audio, me 65-vjeçarin Rexhep Vathi, ku ky i fundit i thotë të resë “Ti Kejsi duhet të frenohesh kushdo të të thërrasi, civil, polic nuk e di... Ruaje veten”, gjithashtu Rexhepi e pyet Kejsin se ku e gjeti Antonio çarçafin, por nga regjistrimet nuk dëgjohet përgjigjia e saj. Ndërkaq ka qenë 65-vjeçari që ka këshilluar Kejsi Spaillarin për të shkuar në Gjermani apo Francë për dy-tre vjet.
Por pozitat e Rexhep Vathit kanë qenë të rënduara, teksa ai ka deklaruar që një ditë para ngjarjes është larguar nga Voskopoja për në drejtim të Krujës, por faktet dhe deklarimet e të pranishmëve të tjerë kanë hedhur dritë duke saktësuar që Rexhep Vathi ka qenë në Voskopojë ditën e ngjarjes.
Një tjetër element që del nga dosja hetimore, është një mesazh shumë i dyshimtë duket se është anashkaluar nga hetuesit dhe nga i cili mund të përfitoheshin informacione të vlefshme për hetimin. Bëhet fjalë për një denoncim në platformën “Komisariati Digjital”, të vajtur në orën 17:59, ku një qytetar anonim sipas dosjes së prokurorisë shkruhet që “Antonio Karafili vritet me armë”, me subjektin e mesazhit “Një Plere”.
Pjesë e dosjes: Nga Platforma e Komisariatit Dixhital shte vëne ne dispozicion kopje e raportimit, nga rezulton se tek pershkrimi shkruhet "Një plere", tek informacioni shtesë "Andon Karatili vritet me armë", qyteti "KORCE, pajisja e raportimi "iphone", adresa "Ko".
Nga Drejtoria Vendore e Policise Tirane me shkresën nr.2953/1 prot., date 22.03.2019 behet me dije se rezulton se raportimi është berë nga nje pajisje e platformës iOS-Iphone dhe nuk rezultojne të dhëna té tjera.
Por hetimet nuk arritën të nxirrnin asnjëhërë kush ishte personi që dërgoi këtë mesazh, pasi të dhënat elektronike ishin fshirë automatikisht brenda afatit, pa mundësi rikthimi. Për shkak të veprimeve hetimore të ngadalta dhe që ishin orietuar tek vetëvrasja.
Siç bëhet e ditur nga hetimet, rezulton që në vetëm në orën 22:37 SPZ-ja ka konstatuar të vetëvarur shtetasin Antonio Karafili, vetëm pasi ka marrë njoftimin nga të afërmit e viktimës, pra mesazhi i cili ka mbetur enigëm, korrespodon me kohën reale të ndodhjes së ngjarjes.
Provat shkencore që kanë nxjerrë zbuluar Kejsi Spahillarin janë pikërisht të dhënat gjenetike të cilat u gjetën në një pjesë të çarçafit i cili ishte përdorur për të varur viktimën. Edhe pse ajo para OPGJ-ve “e pyetur në ndonjë moment e ka prekur pjesën e çarçafit që është gjetur në disa metra larg pemës, ajo deklaroi se nuk dinte ta kishte prekur ndonjëherë.” Por sipas prokurorisë “Nga mostra biologjike ekzaminuar me analizën e ADN-së, pergatitur nga kampion pështymë marrë shtetases Kejsi Spaillari (provë materiale nr. 2), model krahasimi, u përftua një profil gjenetik i seksit femër, i cili përfshihet në profilin gienetik me shenja miksi vlefshëm pvr krahasim, i përftuar nga zona e grisjes në pjesën e tretë të çarçafit, ekzaminuar me aktin biologjik nr. 14600, date 22.12.2022.”
Ngjarja e rëndë e cila u regjistrua në 14.06.2018, arriti të zbardhet vetëm pas 7 vitesh nga Prokuroria e Korçës, ndërsa disa herë ajo u pushua nga prokurorë të ndryshëm, me arsyetimin se kishim të bënim me një vetëvrasje, e cila në shumicën e rasteve të ekspertimit u mbështet edhe nga mjekësia ligjore, që në dukje nuk ka kryer ekspertime të sakta. /Shqiptarja.com
Komente
