Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim Armando Tarushllarin dhe Gëzim Latjan, të akuzuar si autorë të vrasjes së Arjan Xhambazit në Greqi, më 7 dhjetor të vitit 2008.
Tarushllari dhe Latja, aktualisht në masën e sigurisë arrest me burg, akuzohen për veprën penale ‘Vrasja me dashje‘ e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 76 dhe 25 i Kodit Penal.
“Referuar akteve, provave dhe indicjeve të administruara gjatë fazës së hetimeve paraprake rezulton e provuar tej çdo dyshimi se të pandehurit G.L dhe A.T. alias J.C. alias A. Xh. alias M. D. alias M.C. alias A.D. në datë 07.12.2008, rreth orës 00:10 në zonën e Athinës në rrugën “Efpalinu”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të dhunshëm midis dy grupeve shqiptare për motive të dobta, i kanë shkaktuar shtetasit A.Xh., dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit si pasojë e goditjeve me duar/grusht, shkopinj dhe thikë, ku referuar autposisë si shkak i vdekjes është konkluduar dëmtim i rëndë i pjesës së majtë të kraharorit dhe zemrës që vjen si rezultat i goditjeve vdekjeprurëse”,- njofton Prokuroria e Korçës.
Ekzekutimi i Xhambazit është regjistruar në lulishten “Karamali Kipseri” në Athinë, pasi shkak ka qenë një konflikt i krijuar mes çiftit të bashkëshortëve Elvira dhe Flamur Demiri.
Për shkak të dhunës së ushtruar nga Flamur Demiri, Elvira ishte larguar nga banesa e tij dhe kishte gjetur strehim tek shtëpia e shoqes së saj, Merita Hima. Flamuri, ka shkuar në banesën e Ritës për të marrë gruan, por ajo s’ka pranuar të dalë nga shtëpia, pasi ai ishte i dehur, duke ju ndrojtur një dhunimi fizik.
Gjithçka ka ndodhur për shkak të një konflikti brenda familjes që më pas u shoqëruar në përleshje mes dy grupeve, të cilat kanë përdorur thika, sende të forta dhe pirunj.
Nga konflikti i dhunshëm, ka mbetur i vdekur nga goditjet me thikë Arjan Xhambazi, ka pësuar dëmtim serioz Flamur Demiri dhe është dëmtuar lehtë në dorë, Ibrahim Demiri.
Për vite me radhë dy autorët e krimit, Tarushllari dhe Latja, kanë qëndruar në liri, por në muajin Maj 2024 ata u arrestuan pas një vendimi të lëshuar nga Gjykata e Korçës dhe tashmë pritet t’i nënshtrohen procesit gjyqësor.
Komente
