Kronikë

Vrasja e kryekomisarit Artan Cuku në vitin 2017, Gjykata e Tiranës dënon me burg përjetë dy autorët! Jambelli e Leçi në Greqi

16 Qershor, 13:54| Përditesimi: 16 Qershor, 17:37

  • Share

8 vite pas ekzekutimit të ish-drejtorit të Policisë së Vlorë Artan Cuku, Gjykata e Tiranës dënon me burgim të përjetshëm porositësit e krimit. Organizatori dhe financuesi i vrasjes Bledar Jambelli si dhe Kristaq Leci, bashkëpunëtor në vrasje morën dënimin maksimal në mungesë, pasi edhe pse u arrestuan nga autoritetet greke, nuk u ekstraduan në Shqipëri.

Ekzekutori i kryekomisarit Cuku, Mikel Shallari, i cili u arrestua disa muaj pas vrasjes, është dënuar më herët nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vite heqje lirie, pasi u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë. Vrasësi me pagesë shprehu edhe pendesë për krimin, dhe u kërkoi ndjesë familjarëve.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Jambelli e porositi vrasjen e Cukut, pasi e akuzonte për rihapjen e një dosjeje në vitin 2012, kohë kur kryekomisari ishte Drejtor i Policisë së Vlorës. Kjo dosje solli edhe arrestimin e Bledar Jambellit, si të dyshuar për vrasjen e Shpëtim Mukës dhe Ervis Shehut në vitin 1997, e njohur si masakra e “Pusit të Mezinit”.

Dosja ishte e mbyllur nga prokuroria, por Artan Cuku gjeti prova dhe vuri në pranga Bledar Jambellin. Çuditërisht 38-vjeçari u la i lirë nga gjykatat shqiptare për mungesë provash në vitin 2013. 4 vite më pas Jambelli vendosi të hakmerret duke paguar Mikel Shallarin për të vrarë Artan Cukun. Mikel Shallari ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe ka konfirmuar që ka qenë Bledar Jambelli, i cili e pagoi për të vrarë Artan Cukun.

Ndërsa Kristaq Leçi, kushëri me ekzekutorin Mikel Shallari, i siguroi armën me silenciator dhe e informoi atë për lëvizjet e Artan Cukut, derisa ish-kryepolicit iu bë pritë teksa futej në ashensor në pallatin ku banonte te rruga e Kosovarëve në Tiranë, më 8 prill të 2017-ës.

Për vrasjen, ekzekutorit iu premtua 20 mijë euro të cilat do t’i merrte në Gjermani pasi të kryente krimin, por në dëshminë e tij, i penduari i drejtësisë ka thënë se ka marrë vetëm 3 mijë euro.

Jambelli  dhe Kristaq Leci u arrestuan në Greqi në vitin 2018 me kërkesë të drejtësisë shqiptare, por Gjykata e Lartë Greke refuzoi ekstradimin në Shqipëri duke i lënë të lirë. Jambelli deklaroi në gjykatë se drejtësia shqiptare donte shfarosjen e tij, sepse ai vinte nga Epiri i Veriut dhe ka zhvilluar aktivitet të gjerë politik në favor të minoritetit. Përveç kësaj, në vendimin e Gjykatës së Lartë  Greke një ndikim kanë patur edhe dëshmitarët e mbrojtjes, mes të cilëve edhe Fredi Beleri. Bledar Jambelli aktualisht ndodhet ne burg në Greqi për një ngjarje  të ndodhur në shtetin grek në vitin 2022 ku mbetën te plagosur 5 persona ndërsa nuk dihet vendndodhja e të dënuarit tjetër Kristaq Lecit.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?