Sociale

Vrasja e babait nga e bija në Fier/ Sociologu Tushi: Ka humbur autoriteti i prindërve dhe institucioneve! Pjesa më e madhe e krimeve po ndodhin në familje

25 Korrik, 14:17| Përditesimi: 25 Korrik, 14:28

  • Share

Vrasja e 56-vjeçarit Anesti Rama nga vajza 26-vjeçare Ermalinda Rama duke e mbytur me tel dhe pas inskenuar se ishte aksidentale ka tronditur opinionin publik. Sociologu Gëzim Tushi, duke folur për këtë ngjarje të rëndë në një intervistë për Report TV, tha se shifrat e krimit brenda familjes në shoqërinë shqiptare janë alarmante. Ai e sheh problemin kryesor te dobësimi i rolit të familjes, prindërve, si edhe të institucioneve të edukimit.

“Rasti i Fierit është tregues që flet se jo vetëm po zgjerohet. Duhet të jemi të ndëgjegjshëm që shifrat e kriminalitetit janë alarmante së pari kemi të bëjmë me një vrasje të babait dhe këto fenomene janë bërë të zakonshme. Kështu që në një farë mënyre krimi është zgjeruar dhe ka marrë përmasa banale. Të kryesh krim me gjak të ftohtë, me tel, do të thotë se kjo gjendje dhe ky agresivitet, kur ka kryer aktin e vrasjes së babait është e përbindshme. Një nga krimet më të përbindshme në shoqërinë tonë. Shkaqet kryesore e krimit në familje janë konfliktet, përplasja e normave zakonore, që po zë vend të rëndësishëm në kriminalitetin e sotëm. Nëse është e vërtetë se vajza ka thënë se ishte patriarkal dhe fanatik, ky nuk është argument i mjaftueshëm për të justifikuar krimin por është fakt se në zonat rurale akoma kemi inerci të plotë të zakoneve të vjetra, krijon konflikteve artificiale që marrin karakter kriminal. Nëse është kjo është shumë shqetësuese dhe kjo kërkon një analizë për ta parë përtej. Kemi shifra të larta jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Jemi nga vendet ku niveli i kriminalitetit është shumë i madh.”, tha sociologu.

Ai thotë se familja është kthyer në një qendër dhune ku gëlon dhuna dhe krimi. Sipas tij, niveli i krimit në vende si i yni është nga 9-10 për 100 mijë banorë krahasuar me vendet perëndimore që kanë 1 krim për 100 mijë banorë. Këto shifra, shtoi sociologu, janë shqetësuese dhe duhet të trajtohet menjëherë.

“Familja shqiptare është kthyer në qendër ku gëlon dhuna dhe krimi, është shumë e rëndë që vrasja të vrasë babain. Janë disa gjëra që na turpërojnë, është turp kombëtar. Krim ka edhe në vende të tjera se herë pas here kam dëgjuar në TV për ta justifikuar këtë situatë të zgjerimit të kriminalitetit se ka edhe në vende të Perëndimit por ka statistika që na turpërojnë. Nëse në vendet e Perëndimit ka 1 krim për 100 mijë banorë në vende si ne ka 9-10 krime për 100 mijë banorë. Ka një gjë që përtej kuriozitetit se si e kreu dhe pse e kreu krimin, unë mendoj se kemi nevojë të gjejmë shkaqet e krimit në shoqëri.

Unë mendoj se ne kemi dy probleme të mëdha që kemi këto nivel kriminaliteti. E para në shoqërinë shqiptare ka rënie të autoritetit të institucioneve të formimit dhe edukimit qytetar, ka rrjedhje të jashtëzakonshme të punës që duhet të bëjë familja dhe shkollat. Edhe pushteti i drejtësisë nuk po ndikon në parandalimin e krimit. Në këtë rast, edhe kur drejtësia nuk reagon në mënyrë adekuate, është në një farë mënyrë të bëhesh aleatë të krimit”, tha sociologu.

Ai përmendi edhe një shifër të studimeve amerikane se 90% e krimeve po kryhen nga të rinjtë.

“Është e domosdoshme të mos braktisim detyrën kryesore të prindërimit, të komunikimit. Pse vriten kryesisht në famiilje, është shumë pak krimi në rrugë. 90% e krimeve kryhen brenda familjes dhe sipas studimeve që kanë bërë amerikanët 90% të krimeve i kryejnë adoleshentët dhe të rinjtë. Si do ta rregullojmë shëndetin e familjes, me politika e strategji.”

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?