Eduard Gurra dhe Gjokë Gurra

Vrasja e babë e bir në Dukagjin, shkak dyshohet një sherr i ndodhur një vit më parë mes 57-vjeçarit dhe një bashkëfshatari

2 Korrik 2023, 12:21| Përditesimi: 2 Korrik 2023, 15:02

  • Share

Vrasja e babë e bir, Gjokë dhe Eduard Gurrajt, pak ditë më parë në fshatin Sumë në Dukagjin është ende pa autor! Policia e Shkodrës i ka përqendruar hetimet në një konflik që dyshohet se Gjokë Gurra ka pasur një vit më parë me një bashkëfshatarin e tij. 57-vjeçari dhe i njohuri i tij, i cili është në hetim nga policia, është konfliktuar me grushte vitin e kaluar dhe shkak i sherrit asokohe është bërë tregtimi i lëndëve drusore.

Gjokë Gurra ka qenë polic në Shkodër deri në 2008 dhe më pas ka punuar me transport lëndësh drusore. Veç pistës që babë e bir kishin aktivitet të tregtimit të lëndës drusore, policia ka ngritur edhe atë të konflikteve për mbjelljen e kanabis sativa.

Babë e bir u qëlluan me breshëri kallashnikovi, pasditen e datës 29 qershor, në fshatin Sumë, ndërsa ishin brenda në makinë duke udhëtuar drejt banesës së tyre të djegur në Dukagjin, e cila ishte djegur qëllimisht. Ata janë qëlluar për vdekje në një kthesë në një zonë të pyllëzuar, afro 500 metër pa mbërritur tek banesa e djegur.

Autori i kanë zënë pritë pasi kanë pasur informacionin e saktë se dy viktimat po shkonin drejt banesës së tyre të djegur dhe aty nga distanca i kanë qëlluar me breshëri plumbash. Djegia e shtëpisë, një ditë para atentatit dyshohet se është organizuar me qëllim që t’i ngrinin pritën babë e bir të cilët kishin vite që banonin në Shkodër. Autori besohet të ketë vepruar i vetëm, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t'u larguar.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?