TIRANË- Gjykata e Posaçme dënoi me 35 vite burg Jemin Sherën, të akuzuar si organizator i vrasjes së Behar Sofisë pranë Piramidës në Tiranë, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2021.
Vendimi u mor në mungesë të tij, pasi Shera vijon të jetë në kërkim, ndërsa procesi për të u zhvillua i ndarë nga grupi i 5 pjesëmarrësve të tjerë në ekzekutimin e Behar Sofisë, të dënuar 1 vit më parë, me 127 vite burg në total.
Jemin Shera, i njohur ndryshe edhe si “Bajlozi” në qarqet e krimit në vend u dënua për veprat panele Vrasje me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Pavarësisht dënimit të organizatorit, SPAK ende nuk ka zbuluar personat nga të cilat Shera ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë, biznesmenin e njohur si ‘padron droge’. Pasi mori porosinë ai vuri në zbatim planin, duke krijuar një grup të posaçëm kriminal.
Trupa gjykuese e përbërë nga Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Etleva Deda, e deklaroi të pafajshëm Jemin Sherën për akuzën e armëmbajtjes pa leje pasi nuk provohet që e ka kryer ai vrasjen. Sipas vendimit të Gjykatës, dënimin Jemin Shera do ta vuajë në burgun 313.
Për vrasjen e Behar Sofisë, janë dënuar më herët nga 30 vite burg Bujar Leza, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Xhuljano Visha, ndërsa ekzekutuesi Ernejt Shyti u dënua me vetëm 7 vite burgim për shkak se u bë bashkëpunëtori i drejtësisë dhe zbardhi të gjithë ngjarjen e tregoi se u pagua 5 milionë lekë.
Vendimi i GJKKO
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale ndaj të pandehurit Jemin Shera, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendimin”, e kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit” kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 278/1, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Etleva Deda, me vendimin Nr. 24, datë 12.03.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Jemin Ali Shera, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës B.S, parashikuar nga nenet 78, pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vite burgim.
2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Jemin Ali Shera, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i ameve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Jemin Ali Shera, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 4 (katër) vite burgim.
4. Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Jemin Ali Shera dënohet me një dënim të vetëm prej 35 (tridhjetë e pesë) vite burgim.
5. Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Jemin Ali Shera do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
6. Në bazë të nenit 190, pika 1 të K.Pr.Penale, sendet e sekuestruara provë materiale, te bashkohen me fashikullin e gjykimit.
7. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit përkatës, si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës, i ngarkohen të pandehurit të deklaruar fajtor me këtë vendim.
8. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Komente

Ata duheshin denuar me burgim te perjetshem.....jo me 35 vjet....
Përgjigju