Vrasja e Behar Sofisë, nis gjyqi për organizatorin Jemin Shera, SPAK dorëzon 3 akt-ekspertime të reja telefonike: Kemi 168 prova shkresore

11 Janar, 15:12| Përditesimi: 11 Janar, 16:43

  • Share

Gjykata e Posaçme filloi gjykimin në mungesë për Jemin Sherën i akuzuar si organizator i vrasjes së Behar Sofisë në 25 shkurt të vitit 2021, në afërsi të piramidës në Tiranë.

Pavarësisht kërkimeve që janë bërë nga policia Shera nuk është gjetur, ndërsa në banesën e tij në Zallherr nuk ka pasur asnjë person. Vëllai i të pandehurit ka theksuar para hetuesve nuk kishte dijeni për vendndodhjen e tij. Në këto kushte Prokuroria kërkoi që të niste procesi në mungesë, gjë e cila u pranua nga gjykata.

Emri i Jemin Sherës është regjistruar për herë të parë nga SPAK në datën 29 mars 2022, si një nga të dyshuarit e vrasjes së Behar Sofisë. SPAK relatoi në gjykatë se Shera e ka marrë porosinë nga persona ende te paidentifikuar dhe me pas ka krijuar grupin kriminal. Ata e kanë vëzhguar Behar Sofinë për 6 muaj deri në momentin e ekzekutimit.

Prokurorja Dolores Musabelliu tha ne gjykatë se do të paraqesë 168 prova shkresore, ndërsa kërkon 16 dëshmitarë përfshirë edhe 5 të bashkëpandehurit, Bujar Leza, Xhuliano Visha, Skënder Vathi, Leonard Xhixha si edhe bashkëpunëtorim e drejtësisë Ernejt Shyti.

SPAK dorëzoi në gjykatë 3 akt-ekspertime telefonike të reja, që nuk ishin sjellë më herët në gjykatë dhe që kanë lidhje me të kërkuarin. Për 4 të bashkëpandehurit SPAK ka kërkuar nga 30 vite burg ndërsa për bashkëpunëtorin e drejtësisë Ernejt Shyti ka kërkuar 7 vite. Vendimi ende nuk është dhënë sepse nuk kanë përfunduar konkluzionet e mbrojtjes. Seanca e radhës u la në 26 Janar ora 12:00 ku do të dëgjohen nga gjykata 5 dëshmitarët e parë që janë kërkuar nga Prokuroria.

Behar Sofia, i njohur si "padron droge", u ndoq nga ekzekutori Ernejt Shyti disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66 vjeçarit dhe e ka qëlluar mëngjesin 25 shkurtit (2021) afër Piramidës në kryeqytet. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID pasi ka bërë atentatin autori është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit. Shyti u arrestua në Mal të Zi ndërsa në dëshminë e dhënë në Gjykatë ka treguar me detaje rolin e të pandehurve të tjerë.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?