Vrasja e Ardian Nikulajt, arrestohet në Londër Harry Simpson! 32-vjeçari ka vëzhguar biznesmenin dy javë para vrasjes

7 Korrik 2023, 10:43| Përditesimi: 7 Korrik 2023, 12:05

  • Share

Anglezi i fundit i shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, Harry Simpson, u arrestua mbrëmjen e të enjtes në Londër.

Policia britanike ka informuar Interpol Tiranën se e ka lokalizuar 32-vjeçarin në një banesë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë ku përballet me akuzën e vrasjes. Simpson ishte lokalizuar në Angli pak ditë pas vrasjes në lokalin “Coral” në Shëngjin, por autoritetet britanike refuzuan arrestimin pasi nuk u bindën nga provat e dërguara nga Shqipëria.

I kërkuari është mbajtur në vëzhgim derisa u dërguan prova shtesë për rolin e tij në ngjarje, çka i bindi autoritetet britanike për ta arrestuar.  I riu akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin e autorëve të atentatit ndaj biznesmenit Ardian Nikulaj, në rolin e vëzhguesit që ka informuar autorin për lëvizjet e viktimës.

Pas ekzekutimit të biznesmenit më 19 prill 2023, Gjykata e Lezhës caktoi për Harry Simpson, masën e sigurisë “arrest në burg”, për “Vrasja për gjakmarrje”, në bashkëpunim dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në dosjen e prokurorisë së Lezhës, sqarohet se 32-vjeçari në bashkëpunim me 5 persona të tjerë, janë implikuar në vrasje në rolet e porositësit, ekzekutorit dhe 3 bashkëpunëtorëve. Simpson kishte precedentë të mëparshëm penalë në Londër, ku në Shkurt të vitit 2015, është arrestuar me akuzën e shitjes së kokainës dhe kanabisit me vlerë 40.000 sterlina.

Ai u ndalua teksa lëvizte me një makinë tip BMV pa patentë dhe siguracion dhe Gjykata britanike e dënoi me 5 vjet e 3 muaj heqje lirie ndërsa paratë e sekuestruara iu dhuruan organizatave të mbrojtjes së kafshëve. Biznesmeni Ardian Nikulaj u qëllua brenda lokalit të tij nga shtetasi portugez Ruben Saraiva, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit, i arrestuar një muaj pas ngjarjes në Marok.

Në Londër më herët është arrestuar Edmond Haxhia, i dyshuar si porositës i vrasjes për hakmarrje, bashkë me Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe shtetasen Harriet Bridgeman, të cilët kanë pasur rol në vëzhgimin e biznesmenit për rreth dy javë para vrasjes. Krimi dyshohet se është porositur nga Edmond Haxhia, kushëri i familjes Lekstakaj me të cilën familja e biznesmenit Nikulaj ishte në hasmëri prej vitit 1996 si pasojë e një seriali hakmarrje me 5 viktima. Të gjithë shtetasit e huaj të implikuar në ngjarje, u larguan nga Shqipëria përmes Rinasit pak orë pas atentatit në Shëngjin. 

TË AKUZUAR PËR VRASJEN E NIKULAJT

Edmond Haxhia, shqiptar

Ruben Saraiva, portugez

Harry Simson, britanik

Harriet Bridgeman, britanike

Thomas Mithan, britanik

Steven Hunt, britanik

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?