Ekspertë të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, zbarkuan këtë të mërkure në Lezhë. Ata morën në pyetje 28-vjeçarin Ruben Saraiva, i vënë në akuzë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, me 19 prill të vitit 2023 në Shëngjin.
Nën masa të rrepta sigurie, 28-vjeçari Portugez u shoqërua nga burgu i Reçit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Pasi është njohur me dosjen hetimore dhe provat që e implikojnë në vrasje, në prani të mbrojtësit ligjor të caktuar nga shteti, Ruben Saraiva u pyet me detaje në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se ai ka mohuar sërish të ketë lidhje me vrasjen e biznesmenit , duke thënë se ka qenë për pushime në Shqipëri.
Portugezi Ruben Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31-dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare. Po për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin janë arrestuar në Angli 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia i dyshuar si porositës i këtij krimi. Edhe për këta të fundit autoritetet shqiptare kanë dërguar kërkesë për ekstradimin e tyre nga Britania në Shqipëri, por ende nuk ka një vendim.
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.