Fredi Rrushi dhe vëllai i tij Pajtim Rrushi kanë dalë sot para Gjykatës së Apelit të Tiranës, njëri si autor i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha dhe tjetri si bashkëpunëtor.
Fredi Rrushi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “ Vrasje me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve, prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehje ose asgjësimi i kufomës”, është lënë në burg nga apeli.
Ndërsa vëllai i tij Pajtim Rrushi në “Arrest në burg”, i akuzuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e se vërtetës” dhe “Fshehje ose asgjësimi i kufomës”.
Makina tip ‘Volkswagen’ me të cilën dyshohet se biznesmeni Ruzhdi Hoxha është çuar në Malin e Dajtit për t’u ekzekutuar më pas në zonën e Qafë Mollës ende nuk është gjetur nga policia. Edhe pse ka kaluar mbi 1 muaj nga zbulimi i trupit të pajetë të biznesmenit Hoxha, prokuroria ende nuk ka as makinë e ngjarjes dhe as armen e krimit që të mund të kyç pas ‘hekurave’ dy vëllezërit. Prokuroria dyshon se makina me të cilën kanë transportuar Hoxhën drejt Dajtit është çmontuar për të mos lënë asnjë gjurmë.
Biznesmeni Ruzhdi Hoxha pasi është rrëmbyer është dhunuar fizikisht dhe më pas është ekzekutuar me dy plumba në Qafë Mollë në Dajt, ku trupi iu hodh në një humnerë dhe më pas u mbuluar me gurë e gjethe për të mos u gjetur.
Fredi Rrushi është i kërkuar nga Interpol Roma për trafik drogë në Itali, por që ekstradimi i tij është pezulluar pasi fillimisht ai duhet të gjykohet nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Ruzhdi Hoxhës. Trupi i pajetë i Ruzhdi Hoxhës është gjetur më 5 nëntor përmes qeneve të policisë, ndërsa ishte shpallur i zhdukur 2 javë më parë nga familjarët e tij.