Kronikë

Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë/ Eksperti Softa ngre shumë pikëpyetje: Hetimit t’i bashkohet edhe një grup nga Italia

30 Shtator, 18:02| Përditesimi: 30 Shtator, 19:02

  • Share

Megjithëse policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 48-vjeçarin Kamber Sulçaj si autor të dyshuar të vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi 44 vjeç, ngjarja mbart ende shumë mister dhe pikëpyetje.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, në një intervistë për Report Tv për emisionin “Studio Live” me gazetarin Ermal Qori, ngriti shumë pikëpyetje në lidhje me këtë ngjarje.

“Fillimisht u tha që kanë qenë bashkë me 3 shqiptarë të tjerë dhe ishin për gjueti. Pse ky person (autori) ishte në atë vend? Pastaj e quajmë rastësi apo për shkaqe banale? Pra një person i armatosur ishte në një vend të caktuar. E dyta, këta po shkonin për gjueti apo jo? Nëse po shkonin për gjueti në cilën zonë”.

Edhe pse arsyeja zyrtare deri më tani është që ngjarja të ketë ndodhur pas një sherri për dritat e gjata të makinës, eksperti Softa thekson se nuk mund të përjashtohen pista të tjera.

“Nuk mund të përjashtohet pista e mundshme që mund të kemi dhe inskenim që mund të jetë për interesa të tjera”.

Për të gjitha këto arsye dhe pikëpyetje, Fatjon Softa hodhi idenë që grupit hetimor shqiptar t’i bashkohen edhe hetues nga Italia që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, për faktin edhe sepse viktima është një shtetas italian.

“Unë shpresoj që grupit hetimor mund t’i bashkangjiten dhe hetues italianë, mund ta bënin dhe më profesionale, sepse sa më shumë e trajton më shumë enigmatike duket. Telefonatat, komunikimet, tabulatet, për një kohë të gjatë mund të kontrollohen qoftë për autorin e dyshuar, për personat që ishin me viktimën, qoftë dhe për italianin. Mendojmë, me këto informacione që janë, thuhet që ka qenë i dehur, problematik dhe nuk gjenden gëzhoja. Si ka mundësi në kushtet e errësirës, në një pozicion të vështirë, kush i mblodhi gëzhojat? Kush i mori? Janë metalike apo plastike me rreth metalik nëse janë të armës së gjahut? Si nuk u gjendën në vendin e ngjarjes. Të gjitha këto e bëjnë enigmë. Prandaj ndoshta dhe një grup hetimor nga Italia mund të vijë”.

Edhe për kriminologen Klarida Rrapaj nga Itali, e cila foli për Report Tv, ideja e bashkëpunimit të një grupi hetimor shqiptaro-italian, mund të ndihmojë në zbardhjen e çështjes.

“Është shumë absurde që një njëri të humbasë jetën për dritat e gjata të makinës. Për momentin me aq sa kam parë prova dhe dëshmi të deritanishme, nuk tregojnë deri tani që të ketë një prapaskenë të qartë. Mos nxitohemi të japim konkluzione. Ky bashkëpunim(shqiptaro-italian) mund të na ndihmojë në shkëmbimin e informacionit, metodave hetimore që mund të jenë”, u shpreh Rrapaj.

Autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit italian vijon të jetë në arrati. Edhe arma e krimit nuk është gjetur.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Labèria: 30/09/2025 19:04

    Nèse do tè ketè njè bashkèpunim, dhe uroj shumè qè njè i tillè tè ndodhè, kam pèrshtypjen se dritat e gjata do jenè ditèshkurtra, pèr tè qènè motivi i kètij krimi makabèr. Ata qè treguan pèrralla me drita pastaj,,le tè punèsohen diku tjetèr, por jo pa iu pèrgjigjur mè parè pyetjes se çfarè i shtyu tè tregojnè pèrralla me drita?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?