TIRANË-Makina tip ‘Volkswagen’ me të cilën dyshohet se biznesmeni Ruzhdi Hoxha është çuar në Malin e Dajtit për t’u ekzekutuar më pas në zonën e Qafë Mollës ende nuk është gjetur nga policia. Edhe pse ka kaluar mbi dy javë nga zbulimi i trupit të pajetë të biznesmenit Hoxha dhe në burg për vrasjen ndodhen dy vëllezërit Rrushi, prokuroria ende nuk ka as makinë e ngjarjes dhe as armen e krimit që të mund të kyç pas ‘hekurave’ dy vëllezërit. Prokuroria dyshon se makina me të cilën kanë transportuar Hoxhën drejt Dajtit është çmontuar për të mos lënë asnjë gjurmë.
Fredi Rrushi dhe vëllai i tij Pajtim Rrushi janë lënë në Burg nga Gjykata e Tiranës, si autorë të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Ndërkohë që ende nuk ka asnjë motiv se pse dy vëllezërit e kanë vrarë mikun e tyre, ndërsa vetë vëllezërit “mohojnë që ta kenë vrarë mikun e tyre pasi nuk kishin arsye”
Biznesmeni Ruzhdi Hoxha pasi është rrëmbyer është dhunuar fizikisht dhe më pas është ekzekutuar me dy plumba në Qafë Mollë në Dajt, ku trupi iu hodh në një humnerë dhe më pas u mbuluar me gurë e gjethe për të mos u gjetur.
Fredi Rrushi është i kërkuar nga Interpol Roma për trafik drogë në Itali, por që ekstradimi i tij është pezulluar pasi fillimisht ai duhet të gjykohet nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Ruzhdi Hoxhës. Trupi i pajetë i Ruzhdi Hoxhës është gjetur më 5 nëntor përmes qeneve të policisë, ndërsa ishte shpallur i zhdukur 2 javë më parë nga familjarët e tij.
Report Tv zbardhi hapa pas hapi të gjithë itinerarin e rrëmbimit dhe vrasjes së biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Ruzhdi Hoxha u filmua nga kamerat në autostradën Tiranë-Durrës, në një lokal. Ora 23:00 e datës 20 tetor ai është duke pirë birra me 3 persona të tjerë. Pak minuta më vonë, bashkë me Fredi Rrushin dhe dy të tjerët hipën në“Passat” dhe iu drejtuan zonës së njohur si “Treshi” përmes rrugës “Gjergj Legisi” në Laprakë. Në këtë vend, dy vetë dalin nga makina kurse Rrushi dhe Hoxha vazhdojnë udhëtimin bashkë. Hetuesit, përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe qelizave telefonike, identifikuan rrugën që ndoqi mjeti deri në fund.
Nga rruga “Gjergj Legisi”, “Passati” ka hyrë në Tiranë, edhe është kapur nga kamerat tek Spitali i Traumës me drejtim për në Kinostudio, dhe më pas ka përfunduar në zonën e Freskut. Nga aty, makina është ngjitur rrugës për në Dajt në drejtim të Qafë Mollës. Ka ndaluar në një territor të thyer dhe 500 metra në vijë ajrore me Qafë Mollën. Në këtë pikë Hoxha u qëllua dy herë, një plumb në qafë dhe një në gjoks. Më pas trupi u i tij u hodh në humnerë. Në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës u gjet i mbuluar më gurë dhe në të gjithë rrëpirën që ka përshkuar trupi u gjetën njolla gjaku.
Pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve para dhe pas Malit të Dajtit tregojnë se në ngjitje, në makinë ishin dy persona, kurse në kthim, vetëm një. Referuar përsëri dosjes hetimore, në kthim, dyshohet se Fredi Rrushi ka hedhur celularin e biznesmenit në afërsi të Shkollës së Bashkuar. Celulari që u gjet dhe u shit nga një taksist ndihmoi hetuesit të shkojnë në gjurmët e 43-vjeçarit Hoxha. Qelizat telefonike të dy celularëve, viktimës dhe autorit të dyshuar kanë përputhshmëri të një lokacioni të njëjtë nga ora 23:00 të datës 20 tetor, deri rreth orës 02:45 të datës 21 tetor, hark kohor që dyshohet se ka mjaftuar për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Ruzhdi Hoxhës.