TIRANË- Briken Sanaj mund të jetë nxjerr në prit nga persona të tjerë, ditën që u ekzekutua në rezidencën “Kodra e Diellit”. 39-vjeçari dyshohet se u tradhtua nga të njohur, të cilët e drejtuan te banesa në rezidencë. Dëshmia e dhënë nga rojet e sigurisë se ai njihej me emrin Anton Gjini nuk ka qenë krejtësisht rastësore. Anton Gjini është kushëriri i tij që u martua ditën e diel në Lezhë dhe pronar i banesës në rezidencë. Burimet bëjnë me dije se Sanaj mund të jetë vëzhguar nga njerëz të tij, të cilët kanë pasur dijeni të plota për ardhjen e tij nga Italia.
Ndërkohë, të paktën katër persona dyshohet se morën pjesë në atentat. Vepruan me saktësi dhe duket se nuk kanë lënë gjurmë në duart e policisë. Dy atentatorët që pas vrasjes dogjën makinën u ndihmuan nga një person i tretë për t’i larguar po me makinë dhe një i katërt që ka pasur rol vëzhgues. Mënyra se si është ruajtur derisa të mbërrinte brenda rezidencës “Kodra e Diellit” dhe hyrja e autorëve nga rrethimi i pasmë i bind ata për vrasës profesionistë dhe me pagesë.
Pasi e qëlluan nga një distancë të afërt, nga një vend poshtë një peme ulliri, u larguan me shpejtësi me makinën tip “Mercedez Benz”. Itenerari që ndoqën ishte i thjeshtë. Pasi dolën në Unazë, vijuan përmes ish-sheshit “Shqiponja” dhe hynë në autostradë, nga e cila hynë në rrugën dytësore pranë një qendre tregtare dhe disa kilometra më tej dogjën makinën. Një person tjetër i largoi.
Deri tani dihet vetëm për plagosjen e kryer 10 vite më parë nga vëllai i viktimës, Antonio alias Renato Sanaj, për një vajzë. Në atë kohë, Renato qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme. Burimet bëjnë me dije se do të pyeten nga pala kundërshtare edhe anëtarë të familjes Kola. Briken Sanaj u qëllua me plumba kallashnikovi në kokë sapo la makinën në garazhin e rezidencës “Kodra e Diellit”, kur u kthye nga dasma në Lezhë.