Vrasja për hakmarrje te ‘Kodra e Diellit’ në Tiranë, shpallet në kërkim autori i ekzekutimit të Briken Sanaj! Dyshohet se ndodhet në Belgjikë (Emri)

17 Nëntor 2022, 09:42| Përditesimi: 17 Nëntor 2022, 14:55

  • Share

Agustin Kola është shpallur në kërkim si personi i dyshuar që ka kryer vrasjen e Briken Sanajt në rezidencën 'Kodra e Diellit' në Tiranë, bëjnë me dije burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema. Autori dyshohet se ndodhet në Belgjikë. 39-vjeçari që u ekzekutua mbrëmjen e 30 tetorit pranë banesës së tij dyshohet se është vrarë për hakmarrje për plagosjen që kreu i vëllai. Renato (Anton) Sanaj, vëllai i 39-vjeçarit ka plagosur në vitin 2012 një person në Lezhë. 

Sipas burimeve, në kërkim policor është shpallur vëllai i Gentian Kolës, Agustin Kola pas një sherri të bërë 10 viteve më parë në Shëngjin të Lezhës mes vëllait të Briken Sanajt dhe Gentianit. Mjeti i përdorur nga autorët ishte blerë në Kosovë. Pasi janë zbuluar pronarët e mëparshëm të mjetit në Kosovë janë marrë në pyetje dhe është konfirmuar se mjeti ishte blerë nga Agustin Kola. Sipas burimeve ka rezultuar se ai ka dalë jashtë territorit shqiptar 3 ditë pas vrasjes së Briken Sanajt.

39-vjeçari jetonte në Itali, ndërsa njihej dhe me emrin Skerdilajd Sanaj. Ai u qëllua me plumba kallashnikovi në kokë sapo la makinën në garazh. Atentati ndodhi pasi u kthye nga Lezha, ku ishte për dasmën e kushëririt të tij, Anton Gjini, i cili është pronar i banesës në rezidencë. Burimet bëjnë me dije se Sanaj mund të jetë vëzhguar nga njerëz të tij, të cilët kanë pasur dijeni të plota për ardhjen e tij nga Italia.

Si ndodhi vrasja

Të paktën katër persona dyshohet se morën pjesë në atentat. Vepruan me saktësi dhe duket se nuk kanë lënë gjurmë në duart e policisë. Dy atentatorët u futën në rezidencë pasi çanë rrethimin e jashtëm, e qëlluan nga një distancë të afërt, nga një vend poshtë një peme ulliri.

Të ndihmuar nga një person i tretë, u larguan me shpejtësi me makinën tip “Mercedez Benz”, të cilën e dogjën. Personi i katërt ka pasur rol vëzhgues. Mënyra se si është ruajtur derisa të mbërrinte brenda rezidencës “Kodra e Diellit” dhe hyrja e autorëve nga rrethimi i pasmë i bind hetuesit se ishin vrasës profesionistë dhe me pagesë.

Itinerari që ndoqën autorët

Pasi dolën në Unazë, vijuan përmes ish-sheshit “Shqiponja” dhe hynë në autostradë, nga e cila hynë në rrugën dytësore pranë një qendre tregtare dhe disa kilometra më tej dogjën makinën në Qafë-Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash. Një person tjetër i largoi. Targat e makinës tip 'Benz' i përkasin shtetasin Luan Qanushi, të cilat ishin të vjedhura. Brenda makinës janë gjetur dhe armë tip kallashnikov. 

Plagosja në vitin 2012

Briken Sanaj dyshohet se u vra për plagosjen e kryer 10 vite më parë nga vëllai i viktimës, Antonio alias Renato Sanaj, për një vajzë. Në atë kohë, Renato qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme.

Ora 11:03
Vrasja e Briken Sanajt/ Si ra policia në gjurmët e autorit, doli zbuluar nga blerja e automjetit në Kosovë

1667315100_WATERMARKREPORTtv.00312725.Still011.jpg

Edhe pse me anë të një njoftimi zyrtar, Policia e Tiranës thotë se janë duke identifikuar autorët e vrasjes së Briken Sanajt, burime të besuara pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në gjurmët e autorit të dyshuar të vrasjes shkuan nga provat e gjetura në makinën Benz të përdorur nga autorët e krimit të cilën e dogjën më pas në Qafë-Kashar. Mjetit iu verifikua numri i shasisë ku rezultoi se pikërisht ajo makinë ishte blerë në Kosovë. Pasi janë zbuluar pronarët e mëparshëm të mjetit në Kosovë janë marrë në pyetje ku kanë konfirmuar se mjeti ishte blerë nga Agustin Kola. Sipas burime ka rezultuar se ai ka dalë jashtë territorit shqiptar 3 ditë pas vrasjes së Briken Sanajt.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?