Tyler Robinson ka lënë një mesazh për partnerin dhe bashkëjetuesin e tij, ku pranon se ishte i përfshirë në vrasjen e Charlie Kirk, sipas dokumenteve të depozituara nga prokuroria në gjykatë.
Në një konferencë për shtyp, prokurori i distriktit të Utah, Jeff Gray, deklaroi se 22-vjeçari do të përballet me akuzën e vrasjes së rënduar. Në seancën e parë pas atentatit, ai theksoi se do të kërkojë për të edhe dënimin kapital.
Gray shpjegoi në detaje mesazhet e shkëmbyera mes Robinson dhe atij që autoritetet e identifikuan si “shokun e dhomës, një burrë me të cilin Robinson kishte një lidhje sentimentale”. Ditën e të shtënave, Robinson i kishte shkruar partnerit: “Mos u shqetëso. Shiko nën tastierën time.” Nën tastierë, partneri gjeti një shënim ku thuhej: “Kam pasur mundësinë të eliminoj Charlie Kirk dhe do ta bëj.”
Më vonë, Robinson i tha se ndodhej ende në qytetin Orem dhe po përpiqej të rimerrte pushkën nga vendi i ngjarjes. Partneri e pyeti: “Nuk ke qenë ti që e bëre, apo jo????” Robinson u përgjigj: “Më vjen keq, më vjen keq.” Ai pranoi se e kishte planifikuar sulmin “për më shumë se një javë”. I pyetur për arsyen, u shpreh: “Isha ngopur me urrejtjen e tij. Ka disa urrejtje që nuk negociohen.” Robinson shtoi se, nëse do të arrinte të merrte pushkën, nuk do të kishte lënë asnjë provë.
Prokuroria e akuzon atë për vrasje të rënduar, përdorim të paligjshëm të armës së zjarrit, pengim të drejtësisë dhe korrupsion të dëshmitarëve – gjithsej shtatë akuza. Akuzat për korrupsion të dëshmitarëve lidhen me kërkesën që Robinson i kishte bërë partnerit të tij për të fshirë mesazhet dhe për të mos folur./ Corriere della Sera
Komente
