Kreshnik Tusha

Vrasja e dyfishtë në Laç, zbardhen shkaqet që çuan në qeli Kreshnik Tushën, gjykata: Ja ku gënjen

3 Shtator 2020, 14:26| Përditesimi: 3 Shtator 2020, 14:33

  • Share

Zbardhen shkaqet që rikthyen sërish në burg, Kreshnik Tushën, të riun që u arrestua nga policia dhe prokuroria e Laçit, si një nga autorët e dyshuar, të vrasjes së Bujar Likës (Hasani) dhe Paulin Gjergjit (Markaj). Tusha, ka gëzuar vetëm 1 muaj liri, por është riarrestuar sërish nga policia, pasi një vendim i gjykatës së Apelit Tiranë, urdhëronte që Kreshnik Tusha, të kthehej sërish në masën e sigurisë “arrest në burg”. Ka dyshime të forta por jo bindëse se Kreshnik Tusha, ka qenë në lokalin ku mbetën të vrarë Gjergji dhe Lika, dhe sipas gjykatës krijohet dyshime se Tusha mund të jetë plagosur në këmbë nga të shtënat me pistoletën tip “Glock” të Bujar Likës.

Ky është vetëm një dyshim i fortë, por që ende nuk është provuar nëpërmjet një ekspertimi balistik të armëve. Por një ndër faktorët kryesorë që kthyen Tushën në burg, sipas vendimit të gjykatës, ishte dëshmia e tij kontradiktore për ngjarjen e ndodhur në datën 30 maj 2020, ku Tusha mbeti i plagosur në këmbën. Ajo që bindi treshen e gjyqtarëve Ridvan Hado, Asim Voshkin dhe Maria Qirjazin është fakti se në dorën e majtë të Kreshnik Tushës, janë konstatuar faktorë plotësues të barutit të armës, çka ngre dyshime të forta se ditën e ngjarjes, në intervalin kohor kur dhe është ekzekutuar Bujar Lika (Hasani) dhe Paulin Gjergji(Markaj), Kreshnik Tusha mund të ketë përdorur armë. “…nga ekspertimi i faktorëve plotësues të qitjes, në dorën e djathtë të Kreshnik Tusha, janë evidentuar faktorë plotësues të qitjes dhe ende nuk është sqaruar mekanizmi i formimit të këtyre faktorëve në dorën e këtij të dyshuari…”, thuhet në dosjen e akuzës.

Më tej tregohet se “…personi nën hetim Kreshnik Tusha, nuk jep shpjegime të vërteta mbi mënyrën e ndodhjes së ngjarjes, ku ai ka mbetur i plagosur dhe autorët e saj. Kreshnik Tusha, pretendon të jetë plagosur gjatë kohës që ishte në automjet me Ermal Lekën. Ndërkohë që nga këqyrja e makinës së Ermal Leka, nuk është gjetur asnjë gjurmë, që ta lidhë me veprën penale, të tillë si dëmtimi i automjetit nga qitja me armë zjarri…”. Po kështu Kreshnik Tusha pretendon se është qëlluar me armë zjarri pistoletë, nga një distancë prej 20 metra, por çuditërisht nuk ka parë autorët se kush ishin dhe me çfarë makine janë larguar.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja automatiku model 56, e vërtetuar kjo edhe nga thëniet e shokut të Kreshnik Tushës, Ermal Leka,i cili ka deklaruar se personat që kanë qëlluar ishin me automatik dhe para se të godisnin thirrën “…Policia e Shtetit….” Prokuroria e Laçit që tashmë ka regjistruar dosje penale për akuzën e “Vrasjes së rrethanave cilësuese” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”, thotë se “…duke parë këto mospërputhje vlerësojmë se minimalisht, Kreshnik Tusha, ka konsumuar elementët e “Moskallëzimit të krimit”. Nga ana tjetër nuk rezulton deri në këtë fazë të hetimit që të jetë sqaruar mekanizmi i plagosjes me armë zjarri të Kreshnik Tusha dhe veçanërisht sqarimi i faktit, nëse ekziston mundësia që ky dëmtim të jetë, shkaktuar nga arma e zjarrit të tipit “Glock”, e sekuestruar në vendin e ngjarjes, me të cilën është plagosur Eduart Lamaj në këmbë…”.

Pritet që të gjitha këto dyshime të sqarohen gjatë hetimeve të mëtejshme që po kryen prokuroria e Laçit, lidhur me dy ngjarjet e ndodhura në zonën e Kurbinit në 30 maj 2020, ku mbetën të vrarë biznesmenët Bujar Lika (Hasani) dhe Paulin Gjergji(Markaj) si dhe u plagosën Eduart Lamaj dhe Kreshnik Tusha. Pas vrasjes së Likës dhe Gjergjit, policia gjatë një aksioni të mirëorganizuar, ka arrestuar dhe proceduar penalisht dy mjekët Viktor Marku dhe Besim Lama, si dhe Eduard Lamaj e Ilir Xhepaj. Në kërkim prej natës së atentatit më 30 Maj 2020, vazhdojnë të jenë Elson (Oltion), Alija (Vlashi) si dhe Klaudio Perkola, djali i një efektivi policie në Laç, Gjovalin Perkola.

Viktimat, Paulin Gjergji dhe Bujar Lika

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?