Vrasja e efektivit në Fier/ Avokati në 'Përballje': U godit shteti! Autori duhet ta paguajë! Softa: Polici lufton krimin dhe nuk ka siguracion jete

14 Maj, 14:43| Përditesimi: 14 Maj, 15:52

  • Share

Vrasja e efektivit të “Shqiponjave” Novruz Cenalia, ditën e djeshme në Baltëz të Fierit, ka tronditur opinionin publik në vend duke sjellë në vëmendje rolin e punonjësit të policisë në shoqëri dhe respektimin e uniformës policore.

Eksperti Fatjon Softa në “Përballje” në Report Tv u shpreh se ka disa pista në lidhje me vrasjen e djeshme, por sipas tij kemi të bëjmë me një konflikt të çastit.

‘Mund të ketë një pistë të tretë që mund të ketë një të kaluar në lidhje me familjarët e tij. nëse ka një vrasje e cila është rastësore, e konsideroj si qënie sociale policin, si çdo qytetar tjetër, që mund të vriten për çështje krejt banale. Raste të tilla kanë vrarë jo pak të rinj shqiptar. I veshur me uniformë duke shkuar në detyrë nuk mund ta quaj të tillë. Ky mund të jetë përfshirë në veprime që merret me persona të dyshimtë’, tha Softa.

Avokati Romeo Kara e vlerëson ngjarjen si shumë të rëndë, pasi është goditur ndaj shtetit, ndaj dikujt që shërben për të mbrojtur qytetarët.

‘Mendoj se ngjarja është shumë e rëndë. Demotivuese për policinë, që kemi nevojë ta motivojmë. Ngjarje që mendoj se duhet zbardhur deri në detaje, për të parë motivet. Si kemi arritur në këtë pikë, si guxon dikush të vrasi një qytetar të thjeshtë aq më tepër një polic. Mund të kemi hesape të mëparshme të cilët kalojnë në hakmarrje. Kur bëhen ndaj policisë ka marrë hak ndaj shtetit. Duke parë që ka qenë anëtar i SMV në PD, atëherë po mendoj që jo me ju në emision por të paktën në këtë studio kam thënë se ka qenë strukturë e jashtëligjshme. Ka marrë në dorë atribute të jashtëligjshme. Duhet ndalur sa më shpejt’, thotë avokati.

Sa i përket autorit të vrasjes, tashmë në arrati, avokati shprehet në mënyrë radikale jo vetëm për të por edhe për persona që guxojnë të marrin jetën e një personi me uniformë shtetërore.

‘Kur goditet shteti, këto duhet të jenë pa ngjyra politike, por edhe retorika politike të mos i denigroi. Palët përdorin etiketime denigruese sa që edhe te njerëzit rritet mllefi. Duhet hequr dorë. Janë njerëzit tanë, për të na mbrojtur, rendin kushtetues. Ti vëmë gishtin kokës. Po nuk u arrestua, le ta paguajë. Jam radikalë për këta njerëz. E them pa ndrojtje, këta persona nuk meritojnë të jetojnë. Jam për kthimin e dënimit me vdekje. Le të bëhet gjithçka e mundur, personi të kapet dhe të zbardhet ngjarja’, shton ai.

Ish-drejtori i policisë, Arben Hajdamataj thekson se gjendemi në një situatë anormale, pasi goditet mjaft lehtë një punonjës policie, ndërsa nga ana tjetër ka rënë siguria e qytetarëve të thjeshtë.

‘Ne si qytetarë gjendemi në një situatë të tillë që çdokush mund të marri një armë në brez të qëlloj një punonjës policie, pavarësisht komenteve që thuhet ka qenë apo jo në detyrë. Ka qenë i veshur me uniformën. Është goditur uniforma e policisë së shtetit. Mendoj se kështu duhet shtruar çështja. Ishte konflikti i çastit apo ka pasur prapavijë, është pjesë që do e zbardhi hetimi.

Duhet të dalin të qarta motivet pse ka ndodh. Si një qytetar i një shteti mund të vrasi një tjetër pa asnjë lloj mëdyshje dhe pa asnjë frikë se duhet të mbajë një armë zjarri në brez, në mënyrë që institucionet në këtë vend duhet të bëjnë detyrën. Jemi në një situatë jo normale sa i përket rendit dhe sigurisë. Imagjino sa më lehtë mund të ngrihet arma ndaj një qytetari që nuk ka atribute’, thekson ish-drejtori policisë.

Avokati shton se duhet të ndryshojë koncepti i qytetarëve ndaj policisë, pasi ata shërbejnë për të na mbrojtur.

‘Mesazhi është i qartë se kemi nevojë për riorganizim për një qasje tjetër edhe vetë si popull. Si duhet ta trajtojmë policinë? S’mund ta trajtomë policin si armik. Janë njerëzit tanë, vëllezërit tanë. E paimagjinueshme. Nuk duhet ta mendojnë këta se duhet ta prekin uniformën policore. Administrata duhet të depolitizohet. Duhet shtet ligjor i së drejtës’, nënvizon avokati.

Softa duke iu referuar shkaqeve të ngjarjes, përjashton mundësinë e hakmarrjes nga ngjarje të mëparshme kriminale.

‘E përjashtoj hakmarrjen, pasi personi në kërkim ishte me nënën e tij në makinë. Them se duhet të ketë qenë incident. Ndaj punonjësit të policisë duhet të kemi dhe një siguracion për jetën. Gjithë këta persona që përballen me krimin nuk kanë asnjë siguracion për jetën’, vijon më tej eksperti.

Hajdarmataj nënvizon fakti se punonjësit e administratës apo policisë vlerësohen edhe në bazë të politikës. Kjo është e dëmshme sipas tij, pasi nuk ka meritokraci.

‘Jam një nga viktimat e politikës, bashkë me kolegët e mi. Nuk pretendohet të kemi një nivel me kolegët e perëndimit. Punonjësit e policisë janë pjesë e komunitetit. Nëse nuk kemi një administratë të këtij niveli nuk mund të kemi një trupë policore mbi nivelin e administratës. Jemi shoqëri që kemi pjesë konfliktin dhe punonjësit e policisë janë pjesë e kësaj shoqërie.

Kur flasim për motivin, nuk flasim thjesht për motivin financiar. Është dhe trajtimi i drejtë. Avancimi në karrierë, jo me ofiqe. Meritokraci. Me nivel arsimor, nuk mund një punonjës policie me një nivel arsimor me shkollë të lartë, të ketë shefin e tij me katër klasë shkollë se është miku u dikujt’, shprehet Hajdarmataj.

Avokati jep edhe një koment sa i takon sekuestrimit të pasurive prej 3 milion eurove të ish-drejtorit të operacionales Oltion Bistri, duke e parë si të trashur e të pasuruar mbi gjakun e policit të vrarë.

‘Ky sojsëz me 3 milionë euro është e sigurt që është trashur mbi gjakun e këtij polici të ndershëm. Pasi ka dhe që e shohin policin, si njeriu i gjobës. Një polic ai pa pikë turpi, në krye të operacionales ka marrë gjithë ato prona në Tiranë’, tha avokati.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?