Xhelal Sveçla

Vrasja e efektivit në Kosovë, Sveçla: Disa prej sulmuesve, pjesëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’! Në automjetet e tyre u gjetën dokumente ruse

25 Shtator 2023, 09:12| Përditesimi: 25 Shtator 2023, 15:42

  • Share

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla në një intervistë për RTK ka deklaruar se disa prej  personave që sulmuan policinë janë pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” organizatë serbe e shpallur terroriste nga qeveria.

Gjithashtu bëri të ditur se në automjetet e grupit të armatosur janë gjetur edhe dokumenta ruse. Zveçla tha se po vijojnë kërkimet për të arratisur, por ende nuk ka informacion se sa është numri i tyre.

Ai theksoi se është gjetur armatim dhe logjistikë për disa qindra individë duke theksuar kështu se plani ishte shumë më tepër sesa ata arritën të realizonin.

“Ata kanë dështuar plotësisht. Aksioni për zbulimin e të gjitha rrethanave do të vijojë. Ky aksion nuk mund të kryhej pa përkrahjen e Vuçiç dhe njerëzve të tij. Ditët në  vijim do të prezantojmë të gjitha faktet, armatimet dhe pajisjet e zbuluara, edhe aleatët tanë do të binden që një aksion i tillë nuk mund të ndërmerret pa një mbështetje të madhe. Disa prej të identifikuarve janë pjësë e “Mbrojtjes Civile”, organizatë e shpallur terroriste nga qeveria e Kosovës, një pjese e makinerise vinte nga Serbia, e regjistruar atje si dhe ka dokumentacione ruse në disa nga veturat e sekuestruara.”- tha Svecla.

Ministri i brendshëm deklaroi se goditja për këtë organizatë ka qenë vdekjeprurëse. I pyetur se ku ka përfunduar pjesa më e madhe e këtij grupi që fillimisht u deklaruar se përbëhej nga 30 persona, Svecla la të kuptohej se një pjesë e mirë janë arratisur.

“Ajo zonë është terren tejet i vështirë dhe shumë e gjerë, mundësia e këtyre terroristëve për t’u fshehur është e madhe, por siç thashë kërkimet vijojnë. Ka indikacione se numri i të vrarëve mund të jetë më i madh, për numrin e të arratisurve do të flasim pasi të krehim terrenin dhe të shohim se sa mund të kapen dhe sa mund të kalojnë në territorin e Serbisë”-tha minsitri Sveçla.

Qeveria e Kosovës shpalli më (29 qershor) organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, të cilat veprojnë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Çfarë bën “Mbrojtja Civile”?
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë. Një nga to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht në vitin 2011.  “Mbrojtja civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka vlerësuar se “Mbrojtja Civile” është e rrezikshme për sigurinë e Kosovës, pasi që përbëhet nga pjesëtarë që kanë kryer trajnime ushtarake. Në fillim, organizata ka pasur rreth 500 anëtarë, por ky numër është rritur në mbi 750, më 2013 dhe 2014. Edhe pse është organizatë ilegale dhe e paregjistruar, Kosova ka qenë e pafuqishme ta shuajë atë, për shkak se nuk ka pasur autoritet të plotë në komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Çfarë bën "Brigada e Veriut"?
Në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar, në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur disa grafite, ku është parë një logo me mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht.  Në dallim prej “Mbrojtjes Civile”, për “Brigadën e Veriut” dihet shumë më pak. Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre. Me kalimin e muajve dhe me rritjen e tensioneve në veri janë shpeshtuar edhe thirrjet e kësaj organizate kundër institucioneve të Kosovës. Ndërkohë, në veri janë shkruar edhe mbishkrime që tregojnë se ky formacion ka mbështetës të rinj: “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”. Pas kësaj organizate nuk dihet se kush qëndron.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?