Vrasja e Egli Progës, avokati Petraj: Policia dhe Prokuroria gabuan që u përplasën, vepra penale s’duhet të ndryshonte! Vrasje me dashje, do rikthehet

17 Gusht, 15:34| Përditesimi: 17 Gusht, 16:02

  • Share

Vrasja e dyshuar e Eglantin Progës mbrëmjen e 10 Gushtit në Pogradec nga Denis Meçe, pas një sherri në lokalin “Stropcka”, me motive të panjohura, shkaktoi edhe indinjatën në opinionin publik dhe reagime të shumta.

Por jo vetëm kaq, sepse në përplasje u përfshinë edhe dy institucione ligjzbatuese, Policia dhe Prokuroria, që lanë qartë një konflikt juridik dhe ligjor mes tyre, për procedurat hetimore.

Shkak ishte masa e sigurisë që dha Gjykata e Korçës, pas rikualifikimit të veprës penale nga Prokuroria. Policia e referoi Meçen dhe tre të tjerët për “vrasje me dashje” dhe “moskallëzim krimi”, kurse Prokuroria e ndryshoi në “vrasje nga pakujdesia”. Gjykata la në burg Meçen dhe liroi me detyrim paraqitjeje tre të tjerët, duke sjellë edhe reagimin e fortë të familjarëve të viktimës.

Pikërisht për këtë rast ka folur edhe avokati Edmond Petraj i ftuar në Report Tv, i cili e vlerëson si të pavend dhe gabim përplasjen mes dy institucioneve, por edhe rikualifikimin që bëri organi i akuzës.

Petraj shprehet se prokurori duhet të mos e kishte ndryshuar dhe Gjykata të kishte marrë kohë, pra të jepte 30 ditë paraburgim për të tjerët, pasi duhej pritur ekspertimi dhe provat plotësuese, për të parë nëse kishte vrasje me dashje dhe në bashkëpunim.

Avokati u shpreh i bindur se “akuza do të ndryshojë përsëri”, pasi priten verifikime më të detajuara dhe ka shumë kontradikta dhe pika të errëta në çështje.

“Konflikti, debati që bën Policia e Korçës me Prokurorinë mua më duken të pavenda në momentin e parë, por duke qenë gjithë ky reagim në rrjetet sociale tregon dhe pjesën e shqetësimit të publikut, u ndjen të detyruar për të reaguar dhe të dy institucionet filluan të dilnin me deklarata. Për mendimin tim janë gabim. Nëse merresh vetëm me anën e procedurës se si ka vepruar Policia, duke ia referuar rastin Prokurorisë, kjo lloj dosje e parë aty është. Të gjitha veprimet që janë bërë janë aty, pra ajo dosje e flagrancës i ka të tëra veprimet. Nëse këtu jemi sipas asaj së cilës flitet, këtu shikohet që gjendet në momentin e dytë, duke iu referuar dosjes, gjendet se ku janë defektet”, thotë Petraj.

Duke iu referuar veprimeve që ka kryer Policia dhe verifikimeve, ai veçon edhe problematikën e konfliktit në nisje, duke u shprehur se Policia duhej të mjaftohej me një deklaratë që i përmbahej veprimeve. Por nuk e sheh me vend ndryshimin e akuzës, teksa beson se vepra penale e vrasjes me dashje do rikthehet.

“Aty fillon dhe kemi rikualifikim të veprës dhe duket sikur jemi në fazën që ka ndërhyrje, sepse referimi i parë që është vrasje me dashje, e që për mendimin tim këtu do ngelet kjo dosje, kjo është një vrasje me dashje për mendimin tim. Nuk ka vrasje nga pakujdesia, ai ka vajtur e ka gjuajtur. Qëllimi pse e ka gjuajtur mbetet për momentin në vazhdim. Problemi është se tashmë kemi një viktimë. Nëse do isha prokuror i çështjes nuk do ta kisha lëvizur akuzën dhe mund ta rishikoja në një fazë të dytë. Kjo nuk është e mirë, sepse krijon vakuum dhe humbet besueshmërinë te institucionet ligjzbatuese, si nga Policia ashtu edhe nga Prokuroria”, shprehet mbrojtësi ligjor.

Petraj sugjeron që “institucionet të jenë më të rezervuara”. Dhe shton:

“Do ishte më e udhës që organi i Prokurorisë të thoshte se çështja është në hetim dhe do shikohet me përparësi, e s’kishte pse krijohej ky konflikt me Policinë e Shtetit, të cilët kanë edhe ata pozitën e vetë dhe nuk duhet ta bënin pjesën e deklaratës dhe t’i përmbahej rastit me kryerjen e veprimeve hetimore dhe referimin në prokurori. Dhe ka mbetur në pse ndryshove akuzën apo pse e rikualifikove. Kjo nuk ka përfunduar, por kjo sapo ka filluar. Dhe nëse qëndrojnë ato që thonë familjarët, se motra e të ndjerit është avokate, procudurialiste, e njeh mirë procesin dhe ajo është një nga avokatet e para që do i dalin ndesh procesit nëse ka gabime. Unë mendoj se do kemi zhvillime në vijim, edhe për personat që u lanë të lirë ndoshta në një moment të dytë mund të ndryshojë masa e sigurisë, sepse dyshohet se kjo është një vrasje në bashkëpunim”.

Avokati sheh kontradikta edhe te dëshmitë, vendi i krimit, kamerat apo debati për vonesën e ambulancës, me 7 apo 30 minuta. Teksa sheh mungesë serioziteti dhe mangësi në çështje.

“E gjithë kjo përçon një shqetësim të thellë se si është trajtuar ky rast. Ato ngrenë pikëpyetje të rëndësishme në procedurat e ndjekura dhe procesin hetimor dhe ndershmëria e institucioneve përgjegjëse, duke reflektuar një mungesë të thellë të besimit ndaj këtyre autoriteteve. Të gjitha këto më sipër tregojnë se mund të kemi pasur një mangësi serioze në menaxhimin e hetimeve. Këto dyshime kërkojnë përgjigje të qartë, të paanshme dhe të vërtetë. Në këto momente ka institucione që hetojnë se si është zbatuar procedura në vendin e ngjarjes, marrje informacioni, dërgesa në spital, plotësimi i dosjes, çuarja dhe referimi në Prokurori, veprimet e prokurorit dhe të gjykatës”, shprehet ai.

Ai beson se hetimi do ndryshojë më tej, pasi ka gjëra që do verifikohen mirë:

“Ka edhe elementë të tjerë, kemi pjesën e gjobës dhe ajo ngelet për t’u parë. Unë mendoj se do ndryshoj, ndaj e preka, sepse institucionet bëjnë replikë me njëra-tjetrën, mundohen të godasin njëra-tjetrën në distancë, ndërkohë që çështja është nën hetim paraprak. Janë 5-6 elementë për verifikim, ku një goditje me grusht në kokë të sjellë vdekjen. Goditjet në kokë, në qafë, plasja e kokës, rrethanat e tjera dhe këto ngelen për t’u sqaruar. Kemi pjesën e kamerave, shiritit, kush i ka fshirë dhe pse i ka fshirë. Unë e shoh zhurmë, nuk e shoh serioze, dy institucione që aq më tepër godasin njëra-tjetrën”.

Për lirimin e tre të dyshuarve të tjerë, avokati shprehet se Gjykata duhet të priste dhe se Prokuroria mund të urdhërojë veprime të tjera.

“Gjykata nuk ka autoritetin të ndërrojë veprën penale, sepse bën vetëm vlerësimin dhe ka kërkuar ekspertimin. Gjykata mund të kishte pritur të kryheshin veprimet derisa të hetohej në themel dhe të mos i kishte liruar këta persona që janë lënë në detyrim paraqitjeje dhe të pritej akti i ekspertimit, të mblidheshin disa pamje. Gjykata mund të jepte një masë 30 ditore derisa të bëheshin këto veprime. Ky debat Prokurori-Polici nuk duhet të ishte bërë në publik, nuk kishte pse të ishim në këto konflikte”, thotë Petraj ndër të tjera.

Për ngjarjen janë kërkuar nga Gjykata kryerja e veprimeve të hollësishme hetimore dhe plotësimi me prova dhe akte ekspertimi. dëshmitë e deritanishme flasin për vdekjen e 42-vjeçarit pas goditjes me një grusht dhe përplasjes së kokës, por nuk ka ende ekspertizë të detajuar apo pamje të qarta filmike.

A.Q//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Drejtesia: 17/08/2024 18:14

    Ca

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?