Vrasja e Egli Progës, zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës për masat dhe ngjarjen! Dinamika, dëshmitë, provat dhe shkaqet e krimit që tronditi opinionin

15 Gusht, 12:49| Përditesimi: 15 Gusht, 15:24

  • Share

Korçë- Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së Korçës për masat e sigurisë ndaj 4 të dyshuarve të akuzuar për vrasjen dhe moskallëzimin e krimit, e ndodhur më 10 Gusht 2024, jashtë lokalit “Stropcka” në Pogradec, ku humbi jetën pas dhunës fizike të dyshuar Eglantin Proga, 42 vjeç.

Vendimi është i datës 13 Gusht, në plotë 17 faqe, i marrë nga gjyqtarja e gatshme e masave Luljeta Kole, ku i arrestuari si autor, Denis Meçe, 29 vjeç, u la në “arrest me burg” për “vrasje nga pakujdesia” dhe 3 të tjerët, Voltan Shkulaku, pronar i lokalit, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe, klientë, me “detyrim paraqitjeje”, për “moskallëzim krimi në bashkëpunim”.

Në vendim, të siguruar nga gazetarja e Shqiptarja.com dhe Report Tv,  Keti Banushi, zbardhen të plota dinamika e ngjarjes e rrëfyer nga të paktën 7 persona dëshmitarë dhe të dyshuar, provat paraprake, filmimet, gjurmët dhe detaje të tjera si përgjimet ambientale.

Kontradikta qëndron në faktin se Denis Meçe pretendon se nuk e qëlloi me grusht dhe Proga u rrëzua vetë pasi ishte i dehur. Pronari i lokalit thotë se nuk pa sherrin dhe goditjen, por dëgjoi ulërimat për ndihmë dhe u përpoq t’i jepte ndihmën e parë. Dy klientët Guçe dhe Manellari pretendojnë se ishin të dehur dhe të pavëmendshëm, duke dëgjuar vetëm të bërtitura dhe jo skenën e goditjes apo sherrit mes Meçes dhe Progës.

Meçe pretendon se nuk e njihte si emër Progën, por vetëm si fytyrë. Sherri sipas tij erdhi në gjendje të dehur të të dy palëve, pasi Proga i drodhi cigaren vetë dhe më pas e shau pas krahëve disa herë atë dhe një mikun e tij në tavolinë. Meçe pretendon (mbështetur edhe nga dëshmi të klientëve), se Proga lëshoi sharje nga familja, si “do ju q... racën”. Kur e thirri për sqarim, sipas tij viktima i kishte thënë se “hë çfarë do bësh, do më hash k...!”.

Dëshmitari që ishte ulur me viktimën brenda, tha se ka parë nga xhami se gjatë debatit Meçe goditi me grusht Progën, ky ra duke përplasur kokën fillimisht në makinë dhe më pas në trotuar. Palët nuk kanë pasur konflikte më parë dhe gjithçka erdhi nga fyerjet pas dredhjes së cigares. Pronari i lokalit dëshmon se viktima kishte pirë edhe para se të vinte aty dhe se kishte vjell në tualet para se të ndodhte fataliteti. Kur i hapi gojën Progës për ndihmën e parë, pas makinës, ai nxirrte vetëm shkumë nga goja.

Edhe kushëriri i viktimës ka deklaruar se pa goditjen vetëm me një grusht të Progës, por nuk e dalloi apo ta njihte autorin. Eglantini (Egli)  sipas tij nuk kishte dhënë shenja reagimi pas rrëzimit, dhe as në ambulancë, derisa mjekët i thanë se kishte ndërruar jetë.

Autori pas ngjarjes është larguar, ka fjetur në makinën e tij në Buçimas, ka telefonuar avokatin dhe dorëzuar në Komisariat, duke thënë se s’kishte qëllim vrasjen. Ai rrëfeu se s’e njihte viktimën me emër por vetëm si fytyrë dhe nuk kishte konflikte me të. Meçe pretendon se Proga ia ofroi vetë cigaren e dredhur, pasi pronari Shkulaku nuk kishte dhe më tej e kishte sharë e ofenduar pa ndërprerje.

Pronari i lokalit ka thënë se kamera nuk regjistronte dhe filmimet-provë për momentin e konfliktit dhe ngjarjes mbeten të panjohura ende.

Një përplasje juridike duket se ka mes Policisë dhe Prokurorisë. E para e ka regjistruar si vepër penale në Nenin 76, “vrasje me dashje”, por Prokuroria e ka klasifikuar me Nenin 85, si “vrasje nga pakujdesia”. Gjykata vlerësoi të ligjshëm klasifikimin e Prokurorisë me provat paraprake, duke kërkuar plotësimin e tyre me dëshmi, gjurmë, filmime apo akt ekspertimi dhe nëse ka fakte të reja, vepra penale mund të ndryshojë përsëri.

Gjykata dhe prokuroria vlerësojnë se Meçe ka kryer një krim që shkon deri në 5 vite burgim sipas Kodit Penal dhe duhet të qëndrojë në paraburgim, sepse ka rrezikshmëri, ka precedentë penalë të mëparshëm dhe mund të kryejë krim tjetër. Kurse për 3 të tjerët mjaftonte masa “detyrim paraqitjeje”.

Vendimi i plotë i zbardhur, dëshmitë dhe kronologjia:

-Prokuroria kërkoi masë arresti me burg për Denis Meçen për “vrasje nga pakujdesia” dhe 3 me “detyrim paraqitjeje” për “moskallëzim krimi”, për pronarin e lokalit Voltan Shkulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe.

-Prokuroria e Korçës e dorëzoi dosjen për masë sigurie ndaj 4 të dyshuarve më 12 Gusht 2024 (ngjarja ndodhi mbrëmjen e 10 Gushtit) në Pogradec.

-Në dosje theksohet se ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 të 10 Gushtit (e shtunë), në lagjen nr. 2 të Pogradecit, vendi i quajtur “Agjensia”, te rrethrrotullimi dhe përballë lokal “Stropcka”, që është në pronësi të Voltan Shkulaku.

-Në aktet e para të hetimit përcaktohet se Eglantin Proga, 42 vjeç, nga fshati Trebinjë, është gjetur i shtrirë dhe pa ndjenja në rrugë dhe më pas vdiq në spital.

-Nga këqyrja e lokalit të Shkulakut nuk janë vënë re çrregullime në ambientet e brendshme dhe të jashtme.

-U gjet një kartpecetë e bardhë me njolla si të gjakut, 1,9 metra nga lokali dhe buzë trotuarit.

-Në një nga tavolinat e brendshme të lokalit u gjet një çantë e zezë dore lëkure, me mbishkrimin “Polo”, kuti duhani, cigare e dredhur, celular “Samsung” me ekran të krisur, portofol, dokument bankar, filtra me mbishkrim “Ocb”, sipas procesverbalit hetimor në pronësi të viktimës Eglantin Proga. Celulari sipas hetimit, kërkon kodin e hyrjes.

-Nga këqyrja e viktimës nuk u gjetën kocka të dëmtuara, por në ballë ka hematomë, në pjesën e hundës gjithashtu dhe në mollëz ka gërvishtje. Çarje dhe gjak nga syri i majtë dhe që përfundonte në pjesën e veshit. Gjak dhe çarje në buzën e poshtme, me diametër 1 cm. Dëmtime në vesh, brryl, në sup dhe buzën e sipërme dhe në pjesën e gjurit gjithashtu një dëmtim 4 cm. Gjithashtu edhe shenjat e elektrodave gjatë përpjekjeve të mjekëve për elektroshok që ta mbanin në jetë (por që nuk përcaktohen ende se nga kanë ardhur dhe pritet ekspertiza e detajuar mjeko-ligjore).

-Nga kontrolli fizik rezultoi se u gjetën dy karta bankare, portofol, 2 karta anëtarësie të Partisë Socialiste në emër të tij dhe bashkëshortes, një letër e vjetër me shënime (ende e papërcaktuar) dhe shuma lekësh e valute, 8700 lekë dhe 5 euro në xhepin e djathtë. Në portofol u gjetën 2 prerje 2000 lekëshe. Gjithashtu në portofol u gjet edhe leja e drejtimit të automjetit.

-Pronari i lokalit Voltan Shkulaku ka dhënë dëshmi për Policinë duke thënë se viktima që e njihte edhe si Igli i Nazmiut (Eglantin Proga), ka hyrë në lokal rreth orës 19:00 dhe dukej se kishte konsumuar alkool edhe te lokali i tij që ka në pronësi. Ka porositur një birrë dhe u ul në tavolinën ku ndodhej shoku i pronarit Andi Shkulaku. Kur ka shkuar të pastronte banakun, sipas tij Igli ishte futur në tualet. Më tej nuk mbante mend nëse viktima ishte ulur përsëri apo kishte dalë nga lokali, por kishte dëgjuar zëra të lartë për ndihmë dhe i hutuar ka dalë me një bidon uji. Shkulaku ka rrëfyer se është përpjekur t’i japë ndihmën e parë Iglit të Nazmiut, pasi s’ia dinte mbiemrin dhe i ka hapur gojën për t’i nxjerrë gjuhën. “Ai nxirrte vetëm shkumë nga goja”, ka dëshmuar, teksa më tej ka ardhur ambulanca për ta çuar në spital. “Kur shkova në tualet pashë se ai kishte vjellë”, ka thënë pronari. Gjithashtu ka mohuar që viktima të kishte pasur debat apo konflikt në tavolinë, gjatë kohës që qëndroi aty dhe se ishte i vetëm.

-Pronari Voltan Shkulaku thotë se Igli ishte ulur me Andi Shkulaku brenda dhe nuk pati konflikt aty. Kurse në tavolinën jashtë ishin tre persona, Leonidha Guçe, gjithashtu i dyshuar për moskallëzim krimi, një person me emrin Arian që ai e dinte se jetonte në Zvicër apo Austri dhe kishte ardhur me pushime dhe një i tretë që nuk e njihte. Nuk ka pasur klientë të tjerë.

-Shkulaku mohon kategorikisht se dhunimi të kishte ndodhur te lokali i tij. Pretendon se aty s’ka pasur konflikt dhe se e kishte zënë gjaku, teksa ishte munduar t’i fshinte fytyrën e gjakosur Iglit me kartpecetë.

-Pronari i lokalit thotë se kamera e lokalit nuk regjistronte dhe se filmonte vetëm një moment dhe asgjë tjetër.

-“Igli nuk është zënë me njeri aty sa isha unë. Më tha se ishte i mërzitur dhe se do e mbyllte lokalin”, ka qenë dëshmia e pronarit në bisedën e shkurtër me viktimën.

-Kushëriri i viktimës, Ardian Bego, ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor, ku ka shpjeguar se në mbrëmje ka shkuar te një dyqan veglash ndërtimi dhe rreth orës 18:45 ka parë një person që goditi me grusht në fytyrë një tjetër, i cili u rrëzua në asfalt. Distanca ishte 50 metra. Bego tha se pronari i dyqanit i kishte thënë se personi i rrëzuar ishte Eglantin Proga, kushëriri im. Pashë pronarin e lokalit që doli dhe po i jepte ndihmën e parë. Shkova dhe pashë se Egli ishte pa ndjenja dhe kërkova që ta çonim me makinë të rastit në spital. Erdhi ambulanca dhe pashë se aty ai s’po jepte shenja jete. Mjekët më thanë se edhe pas goditjeve me elektroshok ai nuk dha shenja jete. Mjekët më konfirmuan se Egli ndërroi jetë dhe njoftova familjen. Bego thotë se viktima kishte lokalin e tij 30 metra nga vendi i ngjarjes.

-Ardian Bego ka dhënë shpjegime edhe nëse identifikoi autorin e goditjes me grusht, por tha se nuk kishte arritur ta fiksonte, sepse s’e pa ngjarjen nga fillimi. Por ai përmend një emër personi si Klodi, që mund ta kishte parë konfliktin. “Atij iu luta që me makinën e tij të çonim Eglin në spital, por ai nuk pranoi”, ka dëshmuar kushëriri i viktimës.

-Ardian Bego dëshmon se nuk kishte dijeni që kushëriri i tij të kishte ndonjë konflikt dhe se në vendngjarje ka fiksuar dhe njohur vetëm pronarin e lokalit, që thirrej Voli.

-Andi Shkulaku, miku i pronarit të lokalit, që ka qenë dëshmitar i ulur brenda, ka rrëfyer çfarë ka parë. Ai i ka thënë hetuesve se jashtë ishin ulur në tavolinë Denis Meçe, Klodi Guçe dhe një person me emrin Arian. “Egli erdhi pas një ore, u ul me mua, unë nuk e njihja, por ai njihej me pronarin e lokalit. Porositi birrë për mua dhe për vete. Kishte pirë se vinte era alkool. Pas pak vjen një porosi me birra nga personat jashtë lokalit, mësova se ishte nga personi Klodi Guçe.

-Andi Shkulaku ka rrëfyer edhe dinamikën: Gjatë kohës që po rrinim, vura re se Egli ka hyrë disa herë në tualet dhe më pas u ul për të dredhur cigare. Dëgjova që nga jashtë Denis Meçe i tha 2-3 herë që t’i dridhte një cigare dhe ai iu përgjigj “ja se po ta dredh”. Pasi e drodhi i tha “Denis, hajde se ta drodha”. Kur Denisi erdhi aty nisën të shkëmbenin biseda si “o kushëri” njëri dhe “o kushëri” tjetri.

-Andi Shkulaku ka rrëfyer edhe momentin e tensionit, sherrit dhe fatalitetit: “Në këtë moment Eglantini u thotë, o b.... q...a mos më bëni si të fortë, se ju q... k...at!”. Denisi e mori me të qeshur dhe pas pak i tha Eglit hajt të dalim pak jashtë. Kanë debatuar për 1 minutë dhe aty pashë se Denisi e goditi me grusht Eglantinin. Ky i fundit ra dhe iu përplas koka në një makinë dhe më pas në asfalt. U ngrita menjëherë dhe shkova për t’i dhënë ndihmë bashkë me pronarin e lokalit. Por ai nuk jepte shenja dhe ishte pa ndjenja, me fytyrën dhe kokën e gjakosur. Njoftova ambulancën, që mbërriti për 10 minuta.

-Andi Shkulaku ka dëshmuar gjithashtu se nuk dinte që viktima të kishte konflikte. “Ai me Denis Meçen njiheshin”, ka konstatuar ai për hetuesit. Më tej ka treguar se personat e tjerë në tavolinën me autorin u munduan të jepnin ndihmë, kurse Denisi bënte lëvizje të çrregullta, duke u ulur sa në një tavolinë në tjetrën. “Pas ndihmës së shpejtë, nuk e pashë më Denisin, pasi është larguar”, thekson Shkulaku.

-Dëshmi ka dhënë edhe i dyshuari për moskallëzim Leonidha Guçe, i cili ka thënë se ishte ulur jashtë lokalit “Stropcka” për të pirë birra, ku ka mbërritur edhe personi me emrin Arian nga Gështenjasi dhe më tej Denis Meçe, nga Starova e Pogradecit. Guçe pretendon se nuk e ka parë sherrin, por ka dëgjuar vetëm të bërtiturën e një gruaje për ujë dhe më tej, pa pas makinës së tij të parkuar të shtrirë Egli progën e zverdhur dhe që po i jepej ndihmë. Ai pranon se ka parë Denis Meçen që u shkëput dhe hyri brenda, por jo konfliktin fizik dhe verbal. “Isha në tavolinën 6-7 metra nga makina që kisha parkuar dhe ku ra Egli”, ka thënë ai.

-I dyshuari tjetër Arian Manellari gjithashtu i ka qëndruar dëshmisë së nuk e ka parë sherrin. Por pranoi se ishte ulur me Leonidha Guçen, shokun e tij që e njihte dhe kishte muhabet dhe se më pas ishte ulur aty një person me emrin Denis, që ai nuk e njihte vetë, por ishte shoku i Guçes. Në lokal pretendon se kanë pirë 3-4 birra. “Unë qëndrova i ulur dhe nuk pashë asgjë, vetëm Policinë dhe më pas ambulancën që erdhi. Isha i ulur me kurriz dhe i dehur, nuk pashë gjë”, ka thënë ai.

-Pronari i lokalit Voltan Shkulaku ka shtuar për momentin e konfliktit se ka dëgjuar vetëm personin që e njihte si fytyrë (Denis Meçe) që i tha Egli Progës (hajde pak jashtë) dhe pa se po debatonin jashtë, por jo tematikën e bisedës dhe konfliktit, derisa dëgjoi ulërima dhe doli të ndihmonte viktimën. “Unë isha me punë në dorë në banak”, pretendoi ai.

-Policia thotë se Denis Meçe është kërkuar në rrugë, banesë dhe ambiente, por nuk është gjetur. U telefonua por celulari ishte i fikur. Në orën 03:30 (e diel 12 Gusht) Meçe sipas policisë vendore, u paraqit vetë në Komisariat.

-I dyshuari Denis Meçe gjithashtu ka dhënë dëshmi se kishte zbritur në qytet dhe ishte takuar pasdite me mikun e tij Klodi Guçe, teksa aty ishte ulur edhe personi me emrin Arjan, taksixhi që bënte rrugë jashtë vendit. “Pimë për gati 3 orë dhe biseduam për gjëra të ndryshme, kryesisht udhëtimet. Aty pashë se një person që e njoh si fytyrë por jo emrin, (Eglantin Proga), hyri në lokalin “Stropcka” dhe përshëndeti tavolinën tonë. Ai hyri brenda, në ishim jashtë. Në një moment më mbaruan cigaret dhe i kërkova pronarit të lokalit një, por ky (Egli), më tha “ja se ta dredh unë një”. Për respekt ia mora. Por sa ktheva kurrizin për të dalë ky më shau “ta q... racën”. Nuk ia vura re dhe dola jashtë dhe u ula në tavolinë. Ky vazhdonte të shante me të njëjtat fjalë. Madje edhe shokun tim Klodi, duke i përmendur emrin e të ëmës. Në këtë situatë, i thashë “ore çfarë ke që shan”, por ai vazhdonte dhe në këtë moment i kam thënë “hajde dalim pak jashtë”. Ai m’u përgjigj “po hajde, çfarë do më bësh, do më hash k...in!”. Unë kam dashur t’i fus një shpullë që ta qetësoja, por sa ngrita dorën ai u rrëzua dhe nuk u ngrit më. Mua nuk mu besua dhe u largova i frikësuar”.

Më tej Meçe ka shpjeguar se ai kishte pirë gjithë ditën dhe madje viktima gjithashtu ishte i dehur. Kishte shkuar në Buçimas ku kishte fjetur në makinë për shkak të gjendjes së dehur dhe më pas kishte telefonuar avokatin e tij, që i ka shpjeguar se personi kishte ndërruar jetë.

-I dyshuari Denis Meçe rrëfen se pasi mori vesh fatalitetin, i ka thënë avokatit që ta merrte dhe të shkonin në Polici për të dhënë deklarime. “Nuk kam pasur për qëllim që të kishte atë pasojë apo t’i bëja keq. Nuk kam pasur asnjë konflikt me të dhe desha vetëm ta trembja pasi ishte shumë i dehur dhe mezi e mbanin këmbët”, ka thënë i dyshuari. Meçe mohon që të ketë përdorur sende të forta apo të kishte persona të tjerë të përfshirë, ose që ta kishte goditur me grusht. “I kërkoj falje familjes së viktimës, jam i tronditur dhe rënduar psikologjikisht. Nuk kisha atë qëllim dhe me vjen keq, ndihem i penduar, por isha shumë i dehur”, ka rrëfyer ndër të tjera i dyshuari.

-Si provë u mor kamera e një marketi aty pranë, DVR e markës “Hikvision”, në morg teshat e viktimës dhe gjithashtu një iPhone 15 i Leonidha Guçes dhe një iPhone 13 i pronarit të lokalit, Voltash Shkulaku

-Policia ka bërë përgjim ambiental në paraburgim pas shoqërimit të Arian Manellarit dhe Leonidha Guçes, ku të dy pyesin dhe bisedojnë, duke kujtuar edhe pronarin e lokalit “Voli” që duhet të ishte shoqëruar. Ata shprehin habinë se “si ka mundësi që vdiq nga një grusht i Denisit”, pra ishin në dijeni të ngjarjes së ndodhur dhe ndaj akuzohen për moskallëzim krimi, pasi kanë parë konfliktin.

-Në procesverbalin e akteve paraprake hetimore, Policia e Pogradecit dhe Korçës theksojnë se arrestuan Denis Meçen për akuzën “vrasje me dashje”, sipas nenit 76 të Kodit Penal dhe 3 të tjerët për “moskallëzim krimi” dhe pengim i zbardhjes së të vërtetës”, në bashkëpunim, Nenet 300 të Kodit Penal.

-Por nga ana e prokurorisë Korçë, pas referimit të materialeve të datës 10 Gusht 2024 nga Policia Pogradec, është regjistruar dosja me procedim penal me numër 980, me veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, sipas Nenit 85 dhe “moskallëzim krimi”, për tre të tjerët, sipas Nenit 300.

-Prokuroria thotë se aktet e dosjes për masë sigurie i mbështet në Procesverbalin e Policisë për vendngjarjen, dëshmitë e mbledhura dhe marrja në pyetje, procesverbal Morgu dhe këqyrje kufome. Të dhënat e sistemit TIMS, telefonat e të dyshuarve, procesverbal dëshmish dhe të kamerave.

-Avokati Eduart Muçi, i të pandehurit Denis Meçe, ka thënë se klienti i tij ishte i tronditur dhe nuk ka pasur qëllim vrasjen. Pas krimit ka fjetur në makinë, e më tej pasi e kontaktoi është vetëdorëzuar. Avokati ofroi garanci pasurore 1 mln lekë tw reja, duke garantuar mosarratisjen e të dyshuarit.

-Gjykata në vendim çmoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Denis Meçes për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”, që parashikon jo më pak se 2 vite burgim, kurse vepra tjetër e “vrasjes me dashje” e regjistruar nga Policia parashikonte një marzh 10-20 vite burgim.

-Gjykata çmon arrestin në flagrancë dhe masën e sigurisë së kërkuar nga Prokuroria si të ligjshme, pra “arrest në burg”, pasi i dyshuari Denis Meçe mund të largohej apo të kryente krim tjetër, referuar veprës për të cilën akuzohet dhe po hetohet. Referuar nenit 85 të Kodit Penal, kjo vepër dënohet deri në 5 vite burgim.

-Gjykata çmon se referuar akteve, duke pasur parasysh pasojën e ngjarjes me vdekje, rrethanat e saj dhe rrezikshmërinë e të dyshuarit Denis Meçe dhe provat e paraqitura në dyshime të arsyeshme, masa “arrest me burg” është e përshtatshme.

-Gjykata vlerëson se i dyshuari përbën rrezikshmëri edhe për kryerje të një krimi tjetër edhe më të rëndë nëse zbutet masa, pasi ka qenë me precedentë të mëparshëm dhe krimi i kryer aktualisht është i rëndë dhe dënohet me burg.

-Gjykata çmon se pavarësisht se Policia ka referuar veprën për nenin 76, “vrasje me dashje”, është Prokuroria ajo që çmon se në provat aktuale të paraqitura deri tani ta bëjë klasifikimin e akuzës, në këtë rast Neni 85 për “vrasje nga pakujdesia”. Gjithashtu theksohet se hetimet janë në proces dhe vepra penale mund të riklasifikohet nëse plotësohet me prova të reja të bazuara. Gjykata e cilëson të ligjshme kërkesën e Prokurorisë dhe veprën, dhe të pavend pretendimin e avokatëve për masa të buta sigurie.

-Gjykata çmoi se për 3 të ndaluarit e tjerë ishte e vlefshme masa “detyrim paraqitjeje”, teksa neni parashikon dënim jo më pak se 2 vite burg për “moskallëzim krimi”, pra cilësohet arrestim i ligjshëm, por masat shtrënguese maksimale nuk janë të përshtatshme për këtë rast. Të tre gjenden me dyshime të arsyeshme se kanë pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk kanë treguar.

-Në bazë të neneve 245 dhe 259 të Kodit Penal, Gjykata ka vlerësuar të ligjshme arrestimet dhe veprat penale të parashtuara nga Prokuroria, duke dhënë arrest me burg për Meçen dhe izolim në një institucion paraburgimi për të qenë nën dispozicion dhe detyrim paraqitjeje në Prokurori për 3 të tjerët.

-4 të akuzuarit rezultojnë të të padënuar më parë

-Avokatët pranuan aktet e dosjes për arrestimet e ligjshme, por kërkuan masa të buta sigurie

-Vendimi për masat e sigurisë mban verdiktin dhe firmën e gjyqtares së gatshme Luljeta Kole, datë 13 Gusht 2024, Gjykata e Juridiksionit Korçë.  

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) vendimi i plotë i Gjykatës për masat dhe ngjarjen

A.Q//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 16/08/2024 02:58

    Sipas pershkrimit te autopsise:hematome ne balle e hunde dhe gervishtje ne molleze;carje dhe gjak nga syri deri tek veshi;carje dhe gjak ne buze e gervishtje ne sup,demtime ne gju,buze sup dhe te mos harrojme dhe shkumen nga goja,duket sikur viktima eshte qelluar nga nje kembe elefanti,jo nga nje grusht burri i dehur!! Kurse vrasesi,avokati dhe proku/vokatja perpiqen t'a nxjerrin si vrasje /me pambuk/!

    Përgjigju
  • Balta: 15/08/2024 15:36

    Pra autori paska pire e bere shakull por degjonte cfliste viktima "pas kraheve"! Mire qe ia keputi me grushte por cfare beri do thoni ju??? I hipi maqines dhe fluturoi per Bucimas. Aty paska ndaluar.... per nje dore gjume!!! Helbete qe lodhur se sic rrefen kish pire gjith diten. Dhe kur u cua, i piri i lodhuri yne na marrka ne telefon avokatin!!! Mjaftojne qelizat telefonike te vrasesit, familjareve e te afermve te ngushte te tij, policose lokale, prokurori e gjykate apo kushdo i lidhur me to ne afersi te qelizes se vrasesit per te kuptuar se me ke eshte takuar vrasesi gjete rruges per "Bucimas" apo gjate "gjumit" te tij! Por te ngrihet e dale vete kreu i policise e pas tij kryeministri per nje krim kaq te rende dhe trondites dhe mbrojne krimet qe pasuan krimin e vrasjes, eshte jo thjesht "e denueshme moralisht e ligjerisht" por KRIM i RENDE, kompetence e pordhekurise speciale-SPAK! Por Dumani yne ne kesi rastesh ha bar, sic meson shoqja Kim...

    Përgjigju
  • Pijaneci tjeter: 15/08/2024 15:26

    Duhen bere shume gjera qe e vije ne rregull populli shqiptar...Si del edhe nga gallata demokratike te gjithe qenkeshin te dehur, prandaj duhet qe parlamenti i Shqiperise te ndaloje me ligj pirjen e alkoolit perndryshe ja mori ferra uraten atij populli.Nuk ka c'ti beje as SPAKU... Alkooli dhe pi...(vihet re qe edhe sharjet i referohen pi..)jane shkaku i tere krimeve shqiptare.

    Përgjigju
  • Tan_Tironci: 15/08/2024 14:01

    Autopsia verteton nese ishte apo jo I dehur. Autopsia verteton sa goditje dhe trauma ka I ndjeri. Kush ishte goditja vdekjeprurese. Sa per te sharatprapa krahevr ato jane flluska dhe genjeshtra ku autori dihej shume mire se kush ishte e sa gjoba vendoste ne dite. Nese nuk doni me vdek, keni rastin me tregu te verteten sot e mos te kete me vdekje mot. Ndersa gjykata te ngrihet ne nivelin e duhur nese nuk do qe te kete me shume viktima. Drejtesi per Eglin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?