Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar me burg përjetë Xhuljano Hoxhën dhe me 17 vite burg Euglen Halilin, të akuzuar për vrasjet e Emilijano Ramazanit dhe Regis Runajt në një hark kohor prej pak ditësh më 20 dhe 29 korrik 2020 në Elbasan.
Referuar vendimit, gazetarja e Report Tv Keti Banushi raporton se Gjykata ka dhënë një dënim më të rëndë sesa ishte kërkuar nga Prokuroria e Posaçme. Kjo e fundit kërkoi me 13 qershor dënimin me 30 vite burg për Xhuliano Hoxhën dhe 12 për Euglen Halilin. Fillimisht Halili është dënuar me burgim të përjetshëm, por ka përfituar uljen e dënimit dhe dënimit për shkak se ka marrë statusin e të penduarit të drejtësisë.
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani më herët ka treguar se Erion Alibej ishte porositësi për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Dumani zbuloi se ndihmës për ekzekutimin e Ramazanit kanë qenë Henrik Hoxhaj, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili.
Atentati mafioz ku mbeti i vrarë Emiljano Ramazani ndodhi më 20 korrik 2020. Vrasja është kryer poshtë shtëpisë së tij, teksa Ramazani po parkonte automjetin tip "Ford Fokus". Autorët e kanënqëlluar 5 herë me armë tip pistoletë. Pas vrasjes së Ramazanit u gjet i vrarë me thikë edhe miku i tij i ngushtë Regis Runaj, 23 vjeç, dhe më pas trupi i tij është hedhur buzë rrugës afër varrezave të qytetit, një rrugë qorre ku nuk kalojnë njerëz.