Kronikë

Vrasja e Frrok Lleshajt në Vaun e Dejës/ Autori e qëlloi nga afër me pistoletë, dyshohet se u arratis me motoçikletë

5 Gusht, 12:09| Përditesimi: 5 Gusht, 15:35

  • Share

Hakmarrja dyshohet të jetë pista kryesore e hetimit nga grupi hetimor i Policisë së Shkodrës në lidhje me ekzekutimin e 65-vjeçarit Frrok Lleshaj mbrëmjen e së hënës në Vaun e Dejës.

Burime pranë Policisë së Shkodrës bëjnë me dije se janë marrë në pyetje 12 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Sipas të dhënave nga ekspertiza e policisë, 65-vjeçari është qëlluar me pistoletë nga një distancë e afërt, çka forcon dyshimet se autori nuk ka qenë i vetëm, por ka pasur bashkëpunëtorë.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së një banese pranë vendit të ngjarjes, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

Gjithashtu, dyshohet se autori është larguar me motoçikletë, duke përfituar nga errësira për t’u zhdukur me shpejtësi nga vendi i krimit.

Hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90 pesë viktima deri më tani.

Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim të viteve ’90, ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj, me të cilin nisi konflikti, si dhe një shtetas tjetër nga Puka.

Ngjarja e parë ndodhi në vitin 1991, kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi. Asokohe u tha se i riu ishte vrarë nga policia greke në rrethana të paqarta, por familja e Frrok Lleshajt dyshonte se pas ngjarjes fshiheshin kushërinjtë e tij.

Disa vite më vonë, dyshohet se Frrok Lleshaj mori gjakun e djalit të tij duke vrarë kushëririn Dodë Lleshaj. Megjithatë, ai nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë, një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, për të cilin e pranoi autorësinë në gjykatë dhe u dënua me 25 vite burg.

Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshajt.

Me vrasjen e 65-vjeçarit mbrëmjen e 4 gushtit 2025, shkon në pesë numri i viktimave si pasojë e kësaj gjakmarrjeje. Policia vendore e Shkodrës, që mbërriti menjëherë në vendngjarje, nisi hetimet paraprake përmes grupit të posaçëm të ngritur për këtë rast.

Frrok Lleshaj, një ish-efektiv policie, u arrestua për vrasjen e ndodhur gjatë konfliktit me familjen nga Puka, por u arratis nga burgu në vitin 1997.

Ai u kap sërish në vitin 2006 dhe vuajti 21 vite burg, duke dalë para dy vitesh. Edhe pse u dënua, ai nuk e pranoi kurrë autorësinë për vrasjen e kushëririt.

Pas daljes nga burgu, ai jetonte në fshatin Paçram, duke u marrë me blegtori.

Vrasja ndodhi pranë banesës së tij, ndërsa ai po ecte në rrugët e fshatit. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Dyshimet kryesore për vrasjen e Frrok Lleshajt lidhen me këto dy hasmëri të vjetra, por deri më tani nuk ka persona të ndaluar.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sandri: 05/08/2025 17:03

    Si ka mundësi që Shkodra Police nuk ka dalë në konferencë shtypi për zbulimin e autorit?!!

    Përgjigju
  • Alb: 05/08/2025 13:10

    Kjo ashte demokracija

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha i quajti vrasje shtetërore pa dashje ato të 21 janarit, ju si i konsideroni?