Ja skena tronditëse e këtij femicidi të paramenduar: Gentiana Kopili, 45 vjeçe, theret për vdekje me një thikë rreth 30 centimetra të gjatë, nga ish-bashkëshorti të shtunën mbrëma në Tolentino (në provincën e Maceratës). Asaj i afrohet burri, i cili ishte shfaqur me një monopatinë. Nuk është rastësi që ai, 55-vjeçari Nikollaq Hudhra, shqiptar si ish-bashkëshortja, kishte mbërritur në qendër të qytetit me këtë mjet të pazakontë: po të kishte ardhur me makinë, gruaja “do ta kishte njohur”, ndoshta do të kishte mundur të ikte.
E megjithatë, ajo sulmohet menjëherë me thikë. Disa herë, me egërsi. Gentiana (një kujdestare, ndërsa ish-burri punonte si bujk në zonën e Perugias) bërtet, bie në tokë. Hudhra vazhdon ta godasë me shkelma. Pjesa tjetër filmohet me celularë nga dritaret e disa dëshmitarëve. Burri ulet në një stol, i palëvizur, me shikimin drejt vendit të agresionit. Shfaqet një tjetër burrë, i tmerruar: ecën përpara e mbrapa në ankth pranë trupit, i tronditur dukshëm, ndërsa një dëshmitar tjetër qëndron në këmbë, i ngrirë, me sytë nga agresori i dyshuar, thuajse i paralizuar nga tronditja. “Bëra atë që duhej të bëja, tani telefononi karabinierët”, thotë Hudhra. Që vijnë pas pak. E prangosin.
Të dhënat e para e vendosin këtë vrasje në kuadrin e një akti të paramenduar, femicidi i 33-të që nga fillimi i vitit. Ndërkohë, në makinën e tij, sipas një raportimi të detajuar nga Cronache Maceratesi, u gjet një set thikash. Atë me të cilën vrau Gentianën e kishte futur në një qese plastike në tutat që përdor për punë dhe kishte mbërritur në rrugën kryesore Benadduci, ku ndodhi agresioni. Gruaja ishte duke folur në telefon me një shoqe kur u godit për herë të parë nga pas. Në total, goditjet me thikë do të kenë qenë rreth 10.
I marrë në pyetje nga karabinierët dhe i asistuar nga avokatja Lucia Testarmata, ai ka pranuar krimin. Ka rrëfyer se atë ditë e kishte kaluar me djalin e vogël, Mario, 21 vjeç (i madhi, Samuel, është 23). Më pas kishte shkuar në Tolentino për të vrarë Gentianën. Ka deklaruar se e bëri për “t’i çliruar fëmijët. Ajo donte të më helmonte, donte t’i helmonte edhe ata. Duhej t’i çliroja”. E nuk mbaron me kaq: “Ishte hera e tretë që doja ta bëja. E ndoqa me monopatinë sepse ajo e njeh makinën time”.
Një tabllo akuzuese e qartë për hetuesit, të cilët po vlerësojnë nëse do të kryhet një ekspertizë psikiatrike ndaj autorit të rrëfyer, ndaj të cilit është ngritur akuza për vrasje të qëllimshme të paramenduar, e rënduar nga egërsia dhe fakti që ka vrarë një grua. Autori ka kaluar natën e parë në izolim në burgun Montacuto në Ankona dhe të hënën ose të martën pritet të zhvillohet seanca për vlefshmërinë e arrestit. Sipas hetuesve, së fundmi “nuk kishte sinjale për një rrezik të afërt për jetën e gruas”, e cila po shkonte normalisht në punë si kujdestare./Corriere della Sera
Komente
