Report TV ka siguruar foton e automjetit që përdorën autorët e vrasjes së Gjovalin Prendit, babait të Roan Brahimit, më 17 Prill në Lezhë. Automjeti u gjet i djegur në fshatin Gjormë, ndërsa rezultoi se ishte vjedhur në Peqin më 13 Mars të këtij viti.
Dyshohet se autorët ishin 3 persona, dy zbritën nga makina dhe qëlluan 64-vjeçarin në lokalin e tij në Pllanë të Lezhës. Pas vrasjes në Lezhë, në Tiranë u shënua një tjetër atentat me 4 të plagosur, ndërsa hetuesit dyshojnë se dy ngjarjet kriminale kanë të njëjtën pistë.
Fillimisht hetuesit dyshuan se atentatorët gabuan shënjestrën dhe se objektiv i tyre mund të ishte bashkëshortja e Roan Brahimit, pasi automjeti i saj është i ngjashëm me atë në të cilën ndodheshin dy djemtë e pronarit të Pelikan Security, shoku i tyre dhe shoferi i familjes.
Automjeti i gruas të Brahimit ka vetëm një germë ndryshe dhe të dy palët jetojnë në të njëjtën rezidencë vilash në Lundër. Atentati i afërt në kohë, 1 orë pas vrasjes në Lezhë të vjehrrit të saj, i ngjalli më shumë këto dyshime, si një hakmarrje e mundshme për konfliktet e bashkëshortit të vrarë. Megjithatë, hetuesit nuk përjashtojnë edhe pistën tjetër të hetimit, atë të dhënies së parave me fajde, që mund të kenë qenë shkak i sulmit me armë ndaj automjetit të pronarit të kompanisë së sigurisë.
Komente
