Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë

Kronikë

Vrasja e gjyqtarëve, reagon Unioni i Gjyqtarëve: Sulm i egër ndaj drejtësisë, në gjykata mungojnë masat e sigurisë

6 Tetor, 18:47| Përditesimi: 6 Tetor, 18:50

  • Share

1759769347_unioniigjyqtarvetshqipris.jpg

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës.

Unioni i Gjyqtarëve thotë se vrasje e gjyqtarit Kalaja dhe plagosja e dy personave pjesë e procesit gjyqësor, është akt barbar dhe sulm i egër ndaj drejtëisë.

Unioni ngre shqetësimin edhe të masave të sigurisë në gjykata.

Reagimi i Unionit të Gjyqtarëve:

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh tronditjen e thellë dhe dhimbjen e madhe për ngjarjen tragjike të ndodhur sot, ku një koleg ynë, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, humbi jetën në krye të detyrës, pas një sulmi me armë zjarri, në sallë të gjyqit, nga një palë në një çështje civile, e cila plagosi dhe babë e bir nga pala tjetër ndërgjyqëse.

Ky akt barbar përbën sulmin më të egër e të drejtpërdrejtë ndaj drejtësisë, ndaj jetës e integritetit të gjyqtarëve, si dhe ndaj vetë rendit kushtetues të shtetit të së drejtës.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe gjithë kolegëve gjyqtarë, duke u gjendur pranë tyre në këtë moment të rëndë humbjeje e tronditjeje të thellë për gjithë trupën gjyqësore.

Ngjarja e sotme është një sinjal alarmi i qartë për mungesën e masave të duhura të sigurisë në gjykata dhe për rrezikun real, me të cilin përballen gjyqtarët në ushtrimin e detyrës së tyre.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon marrjen e menjëhershme të masave konkrete institucionale, për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe familjeve të tyre, në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor.

Kjo ngjarje e rëndë ndodh në një klimë të përhershme armiqësore ndaj sistemit gjyqësor, e cila prej vitesh ushqehet dhe amplifikohet nga diskursi politik dhe mediatik, që shpesh e paraqet gjyqësorin si burim të çdo problemi në shoqëri.
Kjo qasje ka dëmtuar besimin e publikut tek drejtësia, ka frymëzuar mosrespekt, fyerje dhe sulme ndaj gjyqtarëve, duke rritur ndjeshëm rrezikun dhe presionin mbi pavarësinë e gjyqësorit.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë u bën thirrje për përgjegjshmëri publike të gjithëve aktorëve institucionalë, politikë dhe mediatikë, që të ndalojnë nxitjen e gjuhës së urrejtjes  ndaj trupës gjyqësore.  Pa respekt dhe mbrojtje reale të gjyqtarëve, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur, shtet ligjor dhe besim të qytetarëve në drejtësi.

Në nderim të kolegut tonë të ndjerë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë do të vijojë të kërkojë me forcë respektimin, mbrojtjen dhe dinjitetin e çdo gjyqtari, që shërben me integritet për drejtësinë dhe shoqërinë.

Gjithashtu, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë siguron të gjithë publikun se, diskursi armiqësor dhe sulmet fizike nuk do të mundin të frikësojnë gjyqtarët në Republikën e Shqipërisë, të cilët do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i shërbyer publikut, duke i ofruar drejtësi, për të cilën dha jetën e tij, në krye të detyrës gjyqtari, babai, familjari e njeriu i mirë, kolegu ynë i paharruar Astrit Kalaja.


Lajmi kryesor:

REAGIMET për vrasjen e Kalasë/ Drejtësia: Alarm për sigurinë e gjyqtarëve! Begaj: Akt makabër! Rama: Përgjigje ekstreme autorit! Opozita: Tronditëse


V.GJ /ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt janë për jetën gjyqtarët dhe prokurorët?