Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Ish-deputeti i PS: Institucionet jashtë funksioni! Gert Shella: Godina e Apelit e sajuar! Duhet rritur siguria dhe në oborrin e gjykatës

7 Tetor, 14:22| Përditesimi: 7 Tetor, 15:04

  • Share

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit ka nxjerrë në pah një sërë problematikash prezentë në sistemin e drejtësisë si dhe në atë të qeverisjes.

Të ftuar sot në emisionin ‘Sot, Live në Shqipëri’ nën drejtimin e Nertil Agalliun, ishte ish-deputeti dhe juristi Plarent Ndreca dhe dhe drejtori i INFOCIP Gert Shella.

Ndreca është shprehur se të gjitha institucionet shtetërore që janë të ngarkuara nga Kushtetuta për të kontrolluar funksionimin e atyre të drejtësisë, por dhe vetë këto të fundit, kanë dështuar totalisht. Kompleksi për të mos ndërhyrë në vendimmarrjen e universitetit të drejtësisë, ka sjellë dëme në sistem, është shprehur Ndreca.

“Flas për gjithë sistemin, për gjithë ushtruesit e drejtësisë dhe për atë që janë ngarkuar nga Kushtetua për të monitoruar, qeverisur dhe për të informuar publikun për problemet që ka qeveria. Rruga më e mirë për nderuar figurën e gjyqtarit, është të themi të vërtetuar de jo të fshehim kokën, të vëmë gishtin në plagë dhe të kujtojmë sëmundjen në rrënjë.

Çdo problematikë e sistemit duhet trajtuar siç duhet. Është morali i lartë që drejtësia duhet të përfaqësojë. Nëse nuk e bëjmë këtë, pavarësisht reformës apo ndërhyrjeve për të ndryshuar sistemin e drejtësisë, kjo nuk do të thotë që të heshtim, duhet ta pranojmë që ka çështje pafund që zvarriten, që shkelen të drejtat e njeriut. Institucionet që janë të ngarkuara me qeverisjen e drejtësisë, praktikisht janë jashtë funksioni.

Kompleksi për të ndërhyrë në çështje të drejtësisë, është një barazalargim që po sjell dëme në sistem. Nuk ka ndodhur në 35 vite. Të gjithë palët e ngarkuara nga Kushtetuta duhet të ulen dhe të shikojnë qartë problemet e sistemit sot, përfshirë dhe ato që kanë të bëjnë me sigurinë e gjykatave e skanimin”, tha Ndreca.

 Gert Shella është shprehur se vrasja e djeshme ishte një atentat jo vetëm ndaj sistemit gjyqësor, por ndaj gjithë drejtësisë. Ai tregon se kushtet e sigurisë, jo vetëm për personelin, por edhe për personat e tjerë që paraqiten në gjykata, kryesisht të dënuar që marrin pjesë në seanca gjyqësore, nuk ekzistojnë.

Shella është shprehur se godina sot ku funksionon Gjykata e Apelit, më parë ka funksionuar si repart për zjarrfikësit dhe praktikisht është një godinë e sajuar.

“Ngjarja e ndjeshme është më e rënda e 30 viteve të fundit. Nuk ka ndodhur asnjëherë që në sallën e gjyqit në momentin kur flet drejtësia, dikush të shfaqet gjakftohtë. Nuk është vetëm atentat ndaj gjyqtarit por edhe ndaj drejtësisë.

Besimi i publikut te drejtësia ka rënë. Mund të kishte qenë cilido nga trupa gjyqësore. Gjykata e Apelit erdhi në Tiranë se të tjerat ngelën bosh. Godina ka qenë ish reparti i zjarrfikësve. Çështja e trupës gjyqësore, infrastruktura e pamjaftueshme, kanë sjellë një situatë të rëndë që duhet të ishte adresuar.  Ka qenë një nga gjyqtarët më profesionistë të Gjykatës së Apelit”, tha Shella.

Ndër të tjera ai ka ndarë dhe një shqetësim të kahershëm të personelit të Gjykatës së Apelit. Shella shpjegon se i është kërkuar institucioneve për të ndërhyrë në oborrin e gjykatës me qëllim mbulimin e fushëpamjes nga rrethimi i jashtëm për të siguruar jetën e të dënuarve që paraqiten në seanca.

“Do ndaj një shqetësim nga administrata e Apelit. Në oborrin e gjykatës është kërkuar të vendoset një strehë që mbyll fushëpamjen që e një atentatori të mundshëm që mund të qëndrojë në ballkonet e pallateve që rrethojnë gjykatën e Apelit ku këtu policia sjell persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale. I bëj thirrje KLGJ, t’i sigurojnë Gjykatës së Apelit, minimumi një pankinë. Gjykata e Apelit më e rëndësishmja është e vendosur në një godinë e ish-repartit të zjarrfikësve, është e sajuar si godinë”, tha ai.

Ndër të tjera, Shella u shpreh se drejtësia është në gjendjen më të keqe dhe kjo për shkak të mungesës së theksuar të gjyqtarëve e prokurorëve si dhe të infrastrukturës.

“Stoku është krijuar e nuk kemi gjyqtar mjaftueshëm për të shqyrtuar dosjen, nuk kemi infrastrukturë të mjaftueshme. Janë 50 mijë dosje që janë stok për tu shqyrtuar. KLGJ ka pezulluar në dijeninë time skemën e delegimit. Nuk kanë ku ti ulin. Nuk ka minimumin e kritereve të sigurisë”, tha Shella.

K.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?