Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në një postim në rrjetet sociale, ka reaguar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja ditën e djeshme në sallën e Gjyqit në Gjykatën e Apelit.
Manjani e ka konsideruar ngjarjen jo vetëm një akt kriminal, por edhe një pasqyrë të zymtë të gjendjes së drejtësisë shqiptare.
Nisur nga komentet në rrjetet sociale, Manjani shton se qëllimi i reformës në drejtësi ishte që të vendoste besimin tek qytetarët, por sipas tij është vendodur urrejtja.
“Gjykatësi është zyrtari publik më i kërcënuar. E kërcënon shteti; e shan politika; e përgjon prokurori; e kërcënon pala humbëse. Mirëpo pa gjykatës të sigurtë e të qetë nuk ka gjykatë të paanëshme”, thekson Manjani.
Ndërsa më tej shkruan se një gjykatë të jetë e paanëshme, në radhë të parë duhet të jetë e sigurtë.
Postimin i plotë:
Duke parë mllefin ekstrem në rrjete sociale pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, pyetja nuk është më besohet apo jo gjykata.
Pyetja është sa shumë urrehet gjykata në këtë vend?! Në këtë vend ku popullsia beson më shumë policinë dhe prokurorinë. Pra beson xhelatin më shumë se gjykatësin...
Kujdes!
Qëllimi i reformës në drejtësi ishte të vendoste besimin e publikut te drejtësia.
Por qenka vendosur urrejtja!
Dështim spektakolar!
Kjo nuk është klimë drejtësie.
Insistoj:
gjykatësi është zyrtari publik më i kërcënuar. E kërcënon shteti; e shan politika; e përgjon prokurori; e kërcënon pala humbëse.
Mirëpo pa gjykatës të sigurtë e të qetë nuk ka gjykatë të paanëshme.
Reforma reale në Shqipëri duhet të jetë reforma e ndërtimit të një gjykate të paanëshme, në radhë të parë të sigurtë.
Ka sigurisht disa gjëra të tjera për të bërë, por gjykata jonë është larg, ende shumë larg gjykatës së standardit europian.
Nuk ndodh askund në gjykatat e Europës këto që ndodhin këtu."
Komente
