Politikë

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Ministri i Drejtësisë Lamallari: Akt i rëndë kriminal, duhet dënuar, ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje

6 Tetor, 18:14| Përditesimi: 6 Tetor, 18:24

  • Share

Pas vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, ka ardhur një reagim edhe nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari. 

Përmes një reagimi, ai e ka cilësuar këtë si një akt të rëndë kriminal, i cili duhet që të dënohet me gjithë forcën e ligjit.  Ai tha se do të ketë një ashpërsim të dënimit për armëmbajtjen pa leje.

Reagimi i Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari:

'Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare. Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim.  Vrasja e gjyqtarit Kalaja në krye të detyrës është një akt kriminal që meriton ndëshkimin më të ashpër me të gjithë forcën e ligjit. Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cënojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. 

Paralelisht me nevojën e rishikimit e sistemit të sigurisë së brendshme nëpër gjykata, pashmangshmërisht duhet të ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje në Kodin e ri Penal, për të cilin tashmë kemi nisur konsultimin publik. Armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot.  Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve.  Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë. 

Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, për të afërmit, kolegët e tij dhe për të gjithë trupën gjyqësore. I uroj shërim të shpejtë dy personave të tjerë të mbetur të plagosur nga ky akt kriminal.  U prehsh në paqe i nderuar gjyqtar Kalaja!


Lajmi kryesor:

REAGIMET për vrasjen e Kalasë/ Drejtësia: Alarm për sigurinë e gjyqtarëve! Begaj: Akt makabër! Rama: Përgjigje ekstreme autorit! Opozita: Tronditëse


S.B/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt janë për jetën gjyqtarët dhe prokurorët?