Politikë

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Politika bëhet bashkë, mban 1 minutë heshtje në komisione parlamentare! Manja: Kambanë alarmi për sigurinë e punonjësve të drejtësisë

7 Tetor, 17:35| Përditesimi: 7 Tetor, 17:58

  • Share

Në Komisionet parlamentare u mbajt një minutë heshtje për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. Prej aty, Avokatja e Popullit Erinda Balanca ngriti alarmin e punës së gjyqtarëve, të cilët sipas saj punojnë në mbingarkesë dosjesh dhe presion.

***

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, ka tronditur edhe politikën.

Të majtë e të djathtë u bashkuan për një minutë heshtje në nisje të komisioneve parlamentare.

“Vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës në një ambient ku presupozohet që është vendimi më i sigurt për të ushtruar detyrën, është kambanë alarmi për sigurinë e punonjësve të drejtësisë”, tha kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Por, pas heshtjes solemne, opozita në Komisionin e të Drejtave të Njeriut dhe Informimit Publik akuzoi se vrasja e Kalasë nxori në pah problemet e thella që ka sistemi i drejtësisë, e për këtë përgjegjësinë e shohin drejtpërdrejtë te Edi Rama.

“Është kthyer në han pa porta Gjykata e Apelit, dje ka ndodhur një ngjarje e rëndë po akoma më i rëndë reagimi i Ministrisë së Drejtësisë e Kryeministrit. Është Këshilli i Ministrave në 2020 ka hequr policët në gjykata, kjo VKM ka bërë që të mos kenë siguri të jenë të pambrojtur gjykatës dhe hyjnë njerëz, dhe nuk është rastësore vetëgjyqësia se kur qytetarët shohin kryeministrin e vendit të tyre që bën vetëgjyqësi me vendimet e gjykatave, do bëjnë vetëgjyqësi”, tha Gazment Bardhi.

“Mos devijoni raportimin e Avokatit të Popullit, duke shfrytëzuar politikisht një ngjarje të rëndë që e dënojmë bashkarisht”, u shpreh deputeti i PS, Ardit Bido.

Në këtë komision ku ishte për të raportuar për raportin vjetor të institucionit, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca tha se gjyqtarët punojnë në mbingarkesë dhe presion.

“Kanë përjetuar një stres të jashtëzakonshëm, për shkak të procedurave por edhe për shkak të ngarkesës me dosje të papërballueshme për kapacitetet njerëzore”.

Pjesë e dështimit, tha Ballanca, është edhe harta gjyqësore. Sipas saj, ndarja e re gjyqësore ka krijuar te qytetarët perceptimin e një drejtësie të largët.

“Duhet të duket që ekziston drejtësia aty afër, e kemi thënë që do t’i humbasë qytetarëve edhe perceptimi se është aty drejtësia për t’i dhënë zgjidhje”.

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?