Kronikë

Vrasja e gjyqtarit, Prokuroria 3 akuza ndaj autorit Elvis Shkambi: Xhaxhai nxiti nipin për ekzekutimin e palëve ndërgjyqëse! Nesër masa e sigurisë

8 Tetor, 15:22| Përditesimi: 8 Tetor, 18:09

  • Share

Vrasja e funksionarit publik, vrasja e kundërshtarëve në gjyq, mbetur në tentativë, dhe armëmbajtje pa leje janë tre akuzat që Prokuroria i ngarkon 30 vjeçarit Elvis Shkambi, i cili qëlloi për vdekje gjyqtarin Astrit Kalaja dhe plagosi Rakip e Ervis Kurtaj, babë e bir.

Për xhaxhanë e tij, Gjon Shkambi, prokuroria e ka ndryshuar referimin e policisë që e akuzonte 56-vjeçarin edhe për vrasjen e gjyqtarit. Organi i akuzës për momentin dyshon se Gjoni kishte dijeni vetëm planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq. Madje Prokuroria thotë se Gjon Shkambi ka rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir, që jetojnë në pronën e pretenduar prej tij.

Grupi hetimor konstaton si sinjale që provojnë dyshimin kërcënimet publike që Gjon Shkambi ka bërë në emisione televizive për të vrarë sipas tij ata që i kanë zaptuar godinën trekatëshe në Shkodër. Madje vetë familjarët sipas prokurorisë kanë kallëzuar në polici për kanosjet e marra.

Xhaxha e nip do të dalin para togave të zeza të enjten në orën 8 të mëngjesit në një seancë që do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Për të dy, bashkë me punonjësin e sigurisë Banush Koxhaj që nuk lëvizi vendit kur detektori sinjalizoi praninë e armës, drejtuesi i prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, që ka marrë në dorë dosjen, kërkon arrest me burg.

Njoftimi i plotë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, më datë 10.08.2025 ka regjistruar procedimin penal nr.7416, për veprën penale “Vrasje e fuksionarëve publik”, parashikuar nga neni 79/a i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit E.Sh., “Vrasja në rrethana të tjerë cilësuese”, kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentative parashikuar nga neni 79 gërma “ç”, 25-22 i Kodit Penal, ndaj shtetasve R.K. dhe E.K, në ngarkim të shtetasve E. Sh. dhe G.Sh, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyse dhe municionit”, parashikuar nga neni, 278 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit E.Sh dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit B. K.

Në datën 06.10.2025, rreth orës 15:38, u mor njoftim në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, se në ambjentet e brendshme të Gjykatës se Apelit të Juridiksionit për Përgjithshëm Tiranë, është qëlluar me armë zjarri, gjyqtari A.K.  

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, u formua grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, në drejtimin e Prokurorisë. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, si këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, marrjes së deklarimeve, etj, ka rezultuar se: më datë 06.10.2025, rreth orës 15:35 në ambjentet Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar seanca gjyqësore, me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse R. K.,etj. Menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A. K., shtetasi E.Sh. që ndodhej në sallë, ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit i cili si pasojë e të shtënave është rrëzuar në tokë. Pas këtij veprimi, shtetasi E.Sh. i ka drejtuar pistoletën shtetasve R.K. dhe E.K., të cilët tentuan të dalin nga salla dhe qëlloi me armë zjarri (pistoletë) në drejtim të tyre, ku si pasojë, shtetasi E. K., është dëmtuar në dorën djathtë, ndërsa shtetasi R.K. në trup.

Menjehërë më pas, autori i dyshuar i ka lënë në dorë pistoletën punonjësit të sigurisë së gjykatës dhe pasi ka dalë në oborr, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit  të Policisë Nr.1, Tiranë.

I ndjeri u transportua me ambulancë në Spitalin e Traumës Tiranë, por gjatë rrugës ndërroi jetë, ndërsa dy të dëmtuarit e tjerë pas marrjes së ndihmës së specializuar mjekësore, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.  

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit. Nga administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike të ruajtura në sereverin NVR e Gjykatës, rezulton se në datë 06.10.2025, në orën 13:42, në ambjentet e sallës së pritjes për publikun të gjykatës kanë hyrë dhe kanë kaluar pajisjen skaner (detector), njëri pas tjetrit, shtetasit E.Sh. dhe Gj.Sh., dhe në ekranin e detektorit vërehet që janë ndezur dritat e kuqe (që sinjalizojnë prezencën e metaleve), ndërkohë që shtetasi B.K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrike dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo dhe regjistrimin e tyre në librin e protokollit, në të cilin duhen të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambjentet e gjykatës.

Sa më sipër, nga veprimet paraprake hetimore u krijua dyshimi i arsyeshëm se shtetasi E.Sh., ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale “Vrasje e fuksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 79/a i Kodit Penal, në dëm të viktimës A.K., me detyrë gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”  kundër palëve kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79 gërma “ç”, 25-22 i Kodit Penal, në dëm të viktimave R.K. dhe E.K. dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyse dhe municionit”, parashikuar nga neni, 278 i Kodit Penal.

Shtetasi Gj.Sh., ka dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova dhe indicie se ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjerë cilesuese” kundër palëve ndërgjyqëse, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë parashikuar nga neni 79 gërma “ç”, 25-22 i Kodit Penal, në dëm të viktimave R. K. dhe E. K. Ky shtetas referuar këqyrjes paraprake të pamjeve filmike, megjithëse në dukje nuk ka kryer ndonjë veprim konkret, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij E.Sh., madje ka qëndruar i qetë gjatë kryerjes së veprës dhe pas kryerjes së saj, çka krijon dyshimin e arsyeshëm, që ai ka pasur dijeni për planin dhe veprimet e nipit të tij. Gjithashtu krijohet dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka rolin e shtytësit në tentativën për të vrarë palët ndërgjyqëse, dyshim i krijuar jo vetëm nga rrethanat e lartpërmendura, por duke marrë parasysh edhe një sërë veprimesh të kryera nga shtetasi Gj.Sh., gjatë periudhës që i paraprin krimit, sikurse janë kërcënimet publike për vrasje të palëve të bëra në emisione televizive, si dhe një numër i madh ngjarjesh të kallëzuara nga viktimat dhe të pasqyruara në sistemin deepsee (të administruara me procesverbal), për kanosjet me jetë që u janë bërë nga shtetasi Gj. Sh.

Sa i përket shtetasit B.K., krijohet dyshimi i bazuar se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga hetimi rezultoi se ai qëndron i ulur në karrike dhe nuk kryen asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo dhe regjistrimin e tyre në librin e protokollit, në të cilin duhen të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambjentet e gjykatës, duke sjellë si pasojë hyrjen me armë të shtetasit E. Sh. në sallën e gjyqit dhe kryerjen më pas të vrasjes prej këtij të fundit.

Të tre këta shtetas janë arrestuar në flagrancë si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale të lartpërmendura dhe për ta është paraqitur pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kërkesa për vleftësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Ora 16:18
Report Tv siguron FOTON, ja autori Elvis Shkambi pas vrasjes së gjyqtarit

1759933266_Sequence01.01055707.Still239.jpg

Report Tv ka siguruar këtë foto të Elvi Shkambit, pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.

Fotoja e 30-vjeçarit Shkambi është pas arrestimit dhe shoqërimit të tij në ambientet e policisë. Ai qëlloi gjyqtarin Kalaja në sallën e gjyqit, pasi xhaxha i tij humbi gjyqin për pronën.

Ora 16:09
Vrasja e gjyqtarit, 3 të arrestuarit dalin nesër për masë sigurie, Gjykata: Seanca do jetë me dyer të mbyllura

1759758667_astritkalaja.JPG

Ditën e nesërme në orën 08:00 të mëngjesit, tre të arrestuarit për vrasjen e gjykatësit Astrit Kalaja do të dalin për masë sigurie.

Seanca do të mbahet në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës dhe do të jetë nën masa të forta sigurie.

Vetë gjykata njofton se seanca do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe do të marrin pjesë vetëm palët e përfshira.

Edhe për mediat pjesëmarrja është e ndaluar në ambientet e gjykatës.

Për masë sigurie do të dalin autorin Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja privat i sigurisë Banush Koxhaj, të cilët u arrestuan ditën e ngjarjes (6 tetor).

Njoftimi i Gjykatës së Tiranës:

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, në datën 09.10.2025 ora 08:00, do të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vleftësimin e arrestitimit si dhe caktimin e masës së sigurimit ndaj personave nën hetim E.Sh., Gj.Sh. dhe  B.K..

Ju bëj me dije se seanca do të zhvillohet me dyer të mbyllura, ku në seancë do të marrin pjesë vetëm palët ndërgjyqëse.

Është e ndaluar pjesëmarrja e kamerave apo gazetarëve në ambjentet e Gjykatës.

Faleminderit

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?