Një reagim ka ardhur pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në sallën e gjyqit, ku u qëllua me armë gjyqtari Astrit Kalaja. Në reagim thuhet se është nevojë urgjente reflektimi dhe përgjegjësia institucionale, ndërsa ngjarja është cilësuar si më e paprecedenta në historinë e drejtësisë shqiptare.
‘Një gjyqtar, përfaqësues i pushtetit të drejtësisë, u vra sot brenda sallës së gjyqit teksa jepte vendimin. Kjo është një nga ngjarjet më të paprecedenta në historinë e drejtësisë shqiptare dhe një alarm i rëndë për shtetin ligjor, për sigurinë publike dhe për shoqërinë tonë.
Avokati i Popullit shpreh tronditjen e thellë për humbjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe në të njëjtën kohë, ngre me forcë nevojën urgjente për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, në çdo hallkë që ka detyrimin të garantojë jetën dhe integritetin e atyre që i shërbejnë drejtësisë.
Përtej vetë veprimit kriminal të ndodhur sot, kjo ngjarje e rëndë na detyron të kthejmë vështrimin tek rrënjët e një sistemi të mbingarkuar ndër vite, me vakanca të theksuara dhe me një ngarkesë që e ka penguar të funksionojë me eficiencë jo vetëm në raport me pritshmëritë e qytetarëve, por shpesh edhe nën standardet e periudhës para reformës në drejtësi.
Po aq shqetësuese mbetet kultura e munguar ligjore që shpesh e sheh gjykatën si armik, jo si garanci të së drejtës dhe diskursi publik që, në vend të argumentit dhe respektit ndaj ligjit, ushqen mosbesimin, përbuzjen dhe agresionin. Në këtë klimë, drejtësia është e pambrojtur, dhe me të — e pambrojtur mbetet edhe vetë shoqëria. Drejtësia nuk mund të ushtrohet nën frikë!
Lajmi kryesor:
REAGIMET për vrasjen e Kalasë/ Drejtësia: Alarm për sigurinë e gjyqtarëve! Begaj: Akt makabër! Rama: Përgjigje ekstreme autorit! Opozita: Tronditëse
Xh.K/SI.E./ReportTv.al
