Kronikë

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon KLGJ: Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës

6 Tetor, 19:37| Përditesimi: 6 Tetor, 21:11

  • Share

1759772498_images1.jpeg

Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot me datë 06.10.2025 për të mbajtur qëndrimin publik lidhur me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja gjatë një seance gjyqësore në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, nga Elvis Shkambi.

"Me dhimbje të thellë Këshilli i Lartë Gjyqësor mësoi për ngjarjen kriminale të vrasjes, në sallën e gjyqit, dhe në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon me forcë aktin kriminal të vrasjes së kolegut tonë, si edhe thekson se çdo akt që sulmon, apo cenon integritetin e gjykatave, dëmton  gjithçka që ndërtojmë me punë dhe përkushtim.

Këshilli thekson se respektimi i pavarësisë dhe sigurisë së magjistratëve është gur themeli i shtetit të së drejtës, përmes të cilit garantohet mbrojtja e të drejtave të gjyqtarëve dhe interesi publik.

Cënimi i integritetit fizik të gjyqtarëve përbën sulm të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj magjistratëve por edhe ndaj shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, si dhe interesit dhe besimit të publikut.

Dënojmë me forcë një akt të tillë kriminal, si dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes, denigrimin e figurës së magjistratit dhe mungesën e theksuar të respektit ndaj veprimtarisë gjyqësore.

Në këto momente dhimbjeje kolektive ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjarët, të afërmit e viktimës dhe kolegët.

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh mirënjohjen e thellë për solidaritetin e treguar në këtë ditë të vështirë, nga të gjitha institucionet, subjektet dhe individët që shfaqën publikisht respektin e tyre ndaj gjyqësorit",- shprehet KLGJ.


Lajmi kryesor:

REAGIMET për vrasjen e Kalasë/ Drejtësia: Alarm për sigurinë e gjyqtarëve! Begaj: Akt makabër! Rama: Përgjigje ekstreme autorit! Opozita: Tronditëse


K.M/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt janë për jetën gjyqtarët dhe prokurorët?