Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.
Në një konferencë shtypi nga selia blu, Berisha tha se ngjarja ka ndodhur për shkak të dështimit në Reformën e Drejtësisë.
“Nuk pajtohem me marrjen e jetës e aq më tepër ekzekutimin në detyrë të zyrtarëve për asnjë lloj arsye. Dënoj me forcën më të madhe ekzekutimin e gjykatësit Kalaja në sallën e gjyqit. Shpreh ngushëllimet e mia familjes Kalaja.
Por me këtë rast duhet të theksoj se ekzekutimi publik në sallën e gjyqit i gjykatësit Kalaja sikur të ishte në një kafene të qytetit, dëshmon shkallën ekstreme të pasigurisë në Shqipëri.
Në këtë kuadër, vrasja në sallën e gjyqit ngjitet në nivelin e krimit shtetëror dhe kjo jo se plumbat u shkrehën nga shteti, por sepse vrasja ndodhi në mungesë të plotë të të gjithë detyrimeve shtetërore, qoftë dhe atyre më minimale për mbrojtjen e jetës së zyrtarëve të shtetit. Kjo ka vetëm një shpjegim, zëvendësimin e shtetit me narkoshtetit, e ligjit me maliqin.
Ekzekutim i gjykatësit Kalaja njësoj sikur të ishte në shesh apo rrugë dëshmon dështimin e plotë të Reformës të sistemit të Drejtësisë nga George Soros dhe sorosianët e tjerë të bazuar në korrupsionin më të madh kombëtar dhe ndërkombëtar”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati u shpreh se për shkak të stokut të dosjeve gjyqësore, të prodhuara nga reforma në sistem, qytetarët presin të paktën 15 vite për një vendim apeli.
“Me vettingun gjueti shtrigash, sot për shkak të vakumit që solli ky proces, është krijuar një stok prej 230 mijë dosje. Sot qytetarët shqiptarë që para reformës së George Soros duhet të prisnin 2-4 vite për një vendim gjyqësor, sipas të dhënave zyrtare të sotme duhet të presin 4-6 herë më shumë apo mbi 15 vite. Stoku i dosjeve për t’u shqyrtuar kërkon sipas ekspertëve rreth 20 vite”, tha Sali Berisha.
Sipas kreut të demokratëve, rastet e vetëgjyqësisë, të cilat ai i dënon, në Shqipëri janë rritur pikërisht për shkak të vonesave në vendimmarrje në sistemin gjyqësor. Faktor tjetër, sipas Berishës, është edhe korrupsioni në gjyqësor, siç thotë ai, me qytetarët që paguajnë ryshfet për të afruar kohën e shqyrtimit të dosjes nga gjykata.
“Rasti i djeshëm është rasti më dramatik i vetëgjyqësisë. Për shkak të këtij sistemi të falimentuar, rastet e vetëgjyqësisë po shtohen. Asgjë nuk përligj krimin horror. Askush nuk mund të mohojë se ai krim makabër dëshmon për shkallën e tmerrshme të korrupsionit të gjithanshëm që ka pushtuar vendin dhe sistemin e drejtësisë. Sot ryshfeti dhe gjoba për qytetarin shqiptar në sistemin e drejtësisë është shumëfishuar krahasuar kjo me çdo kohë para saj. Qytetarët duhet të paguajnë qimet e kokës vetëm për të afruar shqyrtimin e dosjes nga gjykata. Sot dosjet e prokurorëve dhe gjykatësve janë objekt falsifikimesh, manipulimesh, njësoj si në kohën kur administroheshin nga hetuesit e sigurimit të shtetit. Asgjë nuk përligj marrjen e jetës së një njeriu dhe aq më tepër të një gjykatësi në detyrë”, deklaroi Sali Berisha.
Gjyqtari Astrit Kalaja u vra një ditë më parë në sallën e gjyqit në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë. Autori, Elvis Shkambi, familja e të cilit ishte pjesë në procesin gjyqësor, qëlloi 3 herë me armë ndaj gjyqtarit sapo dha vendimin duke i shkaktuar vdekjen. Ai plagosi edhe dy persona të tjerë, babë e bir, pala tjetër në këtë proces.
Elvis Shkambi u arrestua menjëherë nga policia pas ngjarjes, duke mos bërë rezistencë.
Ngjarja ndodhi pasi palët janë në konflikt për një pronë në Shkodër prej disa vitesh.
Policia e Tiranës deklaroi sot se autori hyri me armë në gjykatë, edhe pse detektori metalik sinjalizoi, por roja privat i objektit nuk reagoi dhe nuk u ngrit nga karrigia.
Komente

Kur fletë dhe Saliu që na bëri lëmsh e li
PërgjigjuJa dhe krimineli Sali non grata....ju shpellarët mëndjen për të vrarë e keni...
Përgjigju