Kronikë

Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ Beqiri: Gjykatat pa kushte, KLGJ e KLP të marrin masa! Sefa: Po të kishte polic s’do ndodhte! Faik Basha: Siguria të jetë parësore

7 Tetor, 22:23| Përditesimi: 7 Tetor, 22:58

  • Share

Vrasja e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë Astrit Kalaja, më 6 tetor, i cili u qëllua me tre plumba nga Elvis Shkambi në sallën e gjyqit, pasi xhaxhai i tij humbi gjyqin për pronën, ka qenë në fokus të emisionit 'Repolitix' në Report Tv mbrëmjen e sotme.

I ftuar në emision, avokati Idajet Beqiri, tha se në gjykata kushtet janë të vështira për të zhvilluar seanca gjyqësore. Ai tha se KLGJ dhe KLP duhet që të marrin masa.

‘Ajo nuk konsiderohet gjykatë. Ajo është gjykata më e rëndësishme sepse aty vendimet marrin formë  e prerë dhe normalisht që aty do të krijohen më shumë konfliktet. Sallatë aty janë shumë të vogla. Për çështjet civile, ata e kanë një punonjës sigurie dhe i merr palët i fut brenda dhe rri tek dera. KLGJ dhe KLP e bëjë përgjegjës sepse e dinë se çfarë ambiente kanë gjykatat dhe ato duhet që ta vënë para përgjegjësi Këshillin e Ministrave që të bëhen ashtu si duhen bërë godinat e gjykatave. Rregullat e sigurisë janë, por problemi është se nuk e zbatojnë. Pse Policia e Shtetit thotë nuk kam forcë që të ruaj gjykatat, sepse se kam detyrim thotë. Nuk e ka Policia e Shtetit në kompetencë sigurinë në gjykata. Sot gjykatat i ruan policia private’, tha Beqiri.  

Beqiri tregoi edhe bisedën e fundit që pati me gjyqtarin në Gjykatën e Apelit para se të ndodhte vrasja.

‘Në orën 12 e 20 jam takuar tek korridori i Gjykatës së Apelit me gjyqtarin, aty në korridor, dhe i thash si nuk doli njëri që të flas keq për ty dhe ai qeshi. Unë kam pasur një respekt dhe miqësi me të, ishte një gjyqtarë me integritet. Dje nuk e pashë me atë humorin që kishte herë të tjera. Ka qenë i shqetësuar dje sepse ka pasur debate me këto palë', tha ai.

Avokati Indrit Sefa, tha se nëse në sallën e gjyqit do të kishte punonjës policie, vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja nuk do të ndodhte.

‘Flitet për dy situata të ndryshme në sallën e gjyqit duhet një punonjës policie thotë KLGJ ia ka kërkuar Policisë së Shtetit. Nëse do të ishte një punonjës policie në sallën e gjyqit a do të ndodhte ngjarja? Po të shikoni kushtet e Gjykatës e Apelit, që janë shumë të keqe do e kuptoni pse është kërkuar për këtë gjykatë një punonjës policie që të jetë në sallën e gjyqit. Nuk ka ambiente të duhura ajo gjykatë. Nuk bënë dot punë një punonjës sigurie çfarë do të bëjë më para ai. Edhe policisë i është dashur 5 minuta për të shkuar tek vendi ngjarjes’, tha ai.

Për ekspertin e Çështjes së Sigurisë Faik Basha, siguria në gjykata duhet që të jetë parësore.

‘Unë në një rast e kam vonuar gjyqin për shkak të elementëve të sigurisë, nuk kishte kushte që të merrej i pandehuri nga mjeti në sallën e gjyqit. Më kanë vënë pastaj në dispozicon punonjësit e policisë së brendshme. Për mua është një çorganizimin që vjen si pasojë e kërkesave që nuk janë menduar se mund të bëhen. Elementet e sigurisë duhet që të jenë parësore’, tha ai.

Ora 22:43
Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ Gazetari Sokol Dema zbulon dëshminë e punonjësit të sigurisë: Ka thënë se nuk e ka parë pulsimin e dedektorit

 

Gazetari Sokol Dema, ka zbuluar dëshminë që ka dhënë në polici Banush Koçaj, punonjësi i sigurisë së Gjykatës së Apelit, ku ndodhi vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja. 

I ftuar në emisionin ‘Repolitix’, ai tha se punonjësi ka deklaruar se nuk e ka parë pulsimin e dedektorit, i cili ka pulsuar kur ka kaluar autori i vrasjes Elvis Shkambi me armë.

Po ashtu, gazetari tha se punonjësi i sigurisë ka dëshmuar se ka pasur probleme shëndetësore kohët e fundit dhe ditën që ka ndodhur ngjarja nuk ndihej mirë.

‘Banush Koçaj është punonjësi i sigurisë që është arrestuar nga policia pas ngjarjes, ai është 63- vjeç dhe është punësuar nga vet Gjykata e Apelit. Kemi të bëjmë me një punonjës që s’ka lidhje me Policinë e Shtetit. Policia ka njoftuar se ai është arrestuar se ai s’ka vepruar pavarsisht se skaneri ka pulsuar kur ka kaluar autori. Ai s’ka kryer si duhet rolin e tij. Por, ai ka thënë: ‘Se kam parë që ka pulsuar dedektori dhe në ato momente nuk kam qenë shumë mirë, sepse ditët e fundit kam pasur edhe probleme shëndetësore’. Edhe kur është marrë në pyetje ka shfaqur shenja që ishte i rënduar nga ana shëndetësore. Ai është punonjës i brendshëm i organikës së Gjykatës’, tha ai.

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?