Kronikë

Vrasja e gjyqtarit Kalaja brenda sallës së gjyqit, avokati Hoxha: Duhet të ndiqen të njëjta masa të rrepta sigurie si në SPAK dhe GJKKO

8 Tetor, 09:12| Përditesimi: 8 Tetor, 11:23

  • Share

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë tronditi opinionin publik dhe ngre shqetësime për sigurinë në institucionet e drejtësisë. Avokati Arbër Hoxha, në një intervistë për “Shtypi i ditës dhe ju” tha se Apeli duhet të plotësonte kushtet minimale të sigurisë dhe se në të gjitha institucionet e drejtësisë duhet të vendosen masa të rrepta sigurie sikurse në SPAK dhe GJKKO. 

Po ashtu, sipas tij, siguria e gjykatës nuk mund t'i lihej në dorë vetëm një roje sigurie. Avokati Hoxha përmendi edhe mungesën e skaneri të mirëfilltë që kontrollon çdo pajisje të mundshme.

“E para gjykata e Apelit s'i ka kapacitete për të pritur të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Ata që hartuan reformën në drejtësi dhe hartën gjyqësore se menduan se ku do të fusin gjyqtarët dhe qytetarët. Një reformë e keqmenduar dhe kur u ngrit Dhoma e Avokatisë, u kuptua si grevë avokatësh. Së pari, nuk plotëson kushtet më minimale dhe standartet që duket të ketë një Gjykatë e Juridiksionit të Shqipërisë. Së dyti, nuk mund t’i lihet në dorë një roje të thjeshtë që të kontrollë ata persona. Së treti, nuk kishte një skaner. Ka një metal detektor por nuk kishte skaner ntë mirëfilltë ku të futeshin të gjithë pajisjet. Besoj se është rasti për të marrë shembull nga SPAK, që është model për sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mbaj mend se kanë edhe qen kundër eksplozivit. Nuk ka nevojë të shpiket rrota në 2025, Apeli duhet të plotësonte kushtet më minimale të sigurisë.”, u shpreh avokati. 

Duke u ndalur te rastet civile, sikurse ishte edhe rasti konkret që solli vrasjen e gjyqtarit, avokati tha se janë ulëritëse. Sipas tij, është shqetësuese që dosje të tillë “flenë” prej kohësh nëpër sirtaret e gjykatave. 

“Problem është a do të zgjidhet situata në sistemin e drejtësisë. Pse nuk plotësohen vakancat. Gjykata e  Apelit duhet të ketë 78 sot ka 36 gjyqtarë. Ato dosje që “flenë” nuk janë dosje por fati i qytetarëve dhe çështje civile janë ulëritëse dhe alarmante dhe nuk marrin zgjidhje prej dekadash. Janë çështje që lidhin me ligjin 7501 dhe sot sistemi i drejtësisë, sidomos për ato civile dhe pronat, lëvrojnë dhe sjellin këto pasoja makrabre jo vetëm për gjyqtarët por edhe për qytetarët sepse nëse nuk e merr drejtësinë për disa vjet, është drejtësi e mohuar.”, tha ai. 

Kritika shprehu edhe për policinë. 

“Nëse do t’i shohim elementët e mënyrës së sjelljes, ajo është bërë vrasje me gjak të ftohtë. Ka kryer atentatin ndaj gjyqtarit, i ka dorëzuar armën rojes së gjykatës dhe ka pritur qetësisht në ambientet e jashtme të gjykatës derisa sa ka ardhur policia. Ndërkohë që në Apel, ka oficerë, janë të gatshëm, të armatosur dhe të forcave të shoqërimit. Në këto kushte nuk besoj pse policia ka pasur kaq shumë kohë pra pas 15 min, ndërkohë që komisariati nga Apeli janë afër.", tha Hoxha. 

Sa i përket bojkotit deri të premten të Dhomës së Avokatisë,  Hoxha u shpreh se vendimi ishte i drejtë pasi, siç u shpreh ai, u "vra" i gjithë sistemi i drejtësisë. 

"Vendimi i Dhomës së Avokatisë është mëse i drejtë, i pritshëm por edhe në raport me të gjithën, duhet përgëzuar. Vrasja e gjyqtarit ka të bëjë me të gjithë sistemin e drejtësisë, është vrarë i gjithë sistemi. Besoj se pjesa e dërrmuese e avokatëve, ata që merren me çështje civile, ndihen të kërcënuar.", shtoi ai.

Siguria në gjykata u kthye në çështje debati pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja. KLGJ akuzoi Policinë e Shtetit se nuk garanton sigurinë në sallat e gjyqeve edhe pse ia kishte kërkuar. Por, sipas një VKM të vitit 2020 doli që roli i KLGJ është vendimtar për hartimin e politikave të sigurisë në gjykata. VKM-ja thotë se siguria garantohet nga punonjës të sigurisë, të cilët janë në varësi të gjykatave.

Kalaja u vra mesditën e së hënës nga 30-vjeçari Elvis Shkambi pasi gjyqtari dha vendimin kundër xhaxhait të tij, Gjon Shkambi lidhur me një godinë në Shkodër, në të cilën jetojnë 31 familje prej vitit 1992. Para hetuesve, ai ka deklaruar se i kishte ardhur në majë të hundës me gjyqet dhe se vendosi të qëllojë ndaj gjyqtarit pasi vendosi kundër familjarëve të tij. Në pranga, përveç 30-vjeçarit, u vu edhe xhaxhai i tij, dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, pasi nuk ka kryer kontrollin e tyre kur kanë hyrë brenda gjykatës.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mbrojtja për kreun e SPAK zgjatet deri në 3 vite pas mbylljes së mandatit, si ju duket?