Kronikë

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, reagon Gjykata e Apelit: Drejtësia nuk do të trembet

6 Tetor, 19:59| Përditesimi: 6 Tetor, 21:08

  • Share

1759773952_IMG0639.ëebp

Gjykata e Apelit të Juridksionit të Përgjithshëm ka reaguar për vrasjen e gjyqtarit të saj, Astrit Kalaja, sot në sallën e gjyqit gjatë një seance, nga Elvis Shkambi.

Në deklaratën e Gjykatës së Apelit thuhet se ngjarja imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore dhe theksohet se është e rëndësishme ndalimi i gjuhës së urrejtjes ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë.

Në fund të reagimit, Gjykata e Apelit nënvizon se pavarësisht tronditjes nga kjo ngjarje e rëndë, dtrejtësia nuk do të trembet.

"Sot gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjykimit.

Kjo ngjarje e rëndë është një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë.

Në emër të kolegëve gjyqtarë dhe të gjithë trupës gjyqësore, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e kolegut të ndjerë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Zemrat tona janë me ta në këtë moment të dhimbshëm dhe solidariteti ynë është i plotë.

Kjo ngjarje tragjike imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore, duke garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe çdo qytetari që hyn në sallat e drejtësisë. Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë dhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Po aq e rëndësishme është ndalimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe kërcënimit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë. Asnjë shprehje armiqësie, asnjë fjalë që nxit dhunë apo paragjykim ndaj personave që përmbushin detyrën e tyre nuk duhet të tolerohet. Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje lirie, por një mjet që ushqen intolerancën dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia. Është detyrë e çdo institucioni, politikani, media e çdo përfaqësuesi publik dhe qytetari të ruajë gjuhën e respektit dhe të dialogut.

Njëkohësisht, bëjmë apel për reflektim shoqëror, për unitet dhe për respekt ndaj drejtësisë si themel i rendit demokratik.

Në këtë moment të errët, ne gjyqtarët mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të zbatuar ligjin me integritet dhe kurajë. Drejtësia nuk do të trembet. Ne do të vazhdojmë të shërbejmë me dinjitet, paanshmëri dhe besim të plotë se e vërteta dhe ligji janë mburoja më e fortë ndaj çdo akti dhune apo urrejtjeje.

Bashkë në dhimbje, por edhe më të bashkuar se kurrë në përkushtimin tonë për drejtësi",- thuhet në reagim.


Lajmi kryesor:

REAGIMET për vrasjen e Kalasë/ Drejtësia: Alarm për sigurinë e gjyqtarëve! Begaj: Akt makabër! Rama: Përgjigje ekstreme autorit! Opozita: Tronditëse


K.M/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt janë për jetën gjyqtarët dhe prokurorët?