Vrasja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja në krye të detyrës, dënohet në një zë nga qytetarët të cilët flasin për mikrofonin e Report Tv. Megjithatë, shumë prej tyre, edhe përmes përballjeve personale me dyert e gjykatave, thonë se drejtësia në vend lë për të dëshiruar.
***
Shqipe Bogdani është një nga të shumtët shqiptarë që nuk ka marrë pronën e humbur nga regjimi komunist, e që në demokraci iu vodh për së dyti përmes ligjit të famshëm 7501, plaga më e madhe e pronave në Shqipëri.
E dënon ashpër vrasjen në detyrë të gjyqtarit Astrit Kalaja, por thotë se e kupton revoltën e shqiptarëve me drejtësinë për të rikthyer pronën tek i zoti, pasi ajo vet ndodhet në një kalvar prej 30 vitesh në dyert e gjykatave.
“Na e kanë vënë damkën ish-pronarë. Po ne nuk mund të jemi ish-pronarë kur gjithë pronat janë në emrin e gjyshit. Ne kemi pesë gjyqe që nuk po mbarojnë prej 30 vjetësh. Unë s'kam marrë 1 centimetër tokë. Ai ligji kriminel që vendosi PD-ja, ligj i tmerrshëm, është ligj kriminel. Si mund t’u zhduket njerëzve prona? Hajde merrja këtyre pronat tani. Vdekja është tmerr. Po ligjet janë shumë të gabuara”.
Qytetarët të pyetur nga Report Tv, janë në një zë se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, është e dënueshme.
“Asnjë njeri nuk ka të drejtë dikujt tjetër t'ia marrë jetën, sepse neve Zoti na ka falë dhe unë mendoj se në mënyrë natyrale duhet të vdesim. Jo ta sulmojmë njëri-tjetrin, jo ta vrasim njëri-tjetrin”.
“Mos i raftë kujt ajo që ra dje, as gjyqtarit as edhe këtij, se edhe ky e ka pasur hallin, nuk e ka bërë krejt se s'ka qejf kush të shkojë në burg”.
“Ajo është një vrasje e madhe edhe nuk duhet me ndodh, duhet të parandalohen. Është shumë e shëmtuar që ka ndodhur”.
Megjithatë, mosbesimin te drejtësia nuk e fshehin.
“Çfarë drejtësie ka zonjë këtu? Ma thuaj vetëm një drejtësi. A ka ndonjë drejtësi këtu? I forti e bën veten. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë për fat të keq”.
“Shumë gabim kanë të vepruar në lidhje me atë vrasje. Vrasje në mes të një salle gjyqi çfarë drejtësie do ketë te ne pastaj”.
“50 herë ai lart e poshtë e lart e poshtë dy herë kishte shkuar në Apel e nuk di çfarë të them. Gjithmonë është përgojuar drejtësia për pronat. Për gjithçka”.
“Më ka humbur besimi se ka shumë padrejtësi. Shumë padrejtësi”.
Komente
