Gjykata e Fierit ka shpallur vendimin për autorët e ngjarjes së rëndë të ndodhur në 11 mars të vitit të kaluar në qytetin e Fierit, ku sherri në rrjetet sociale përfundoi me vrasjen e 20-vjeçarit Grei Bihuci.
Gjykata shpalli fajtor autorin Florian Muka dhe e dënoi me 12 vite burg nga 25 që kërkoi prokuroria, pasi përfitoi uljen për shkak se pranoi krimin dhe kërkoi falje. Kushëriri i tij i mitur Klajdi Muka, i pranishëm në ngjarje por jo i përfshirë drejtpërdrejt, u dënua me 1 vit burg për moskallëzim krimi, dënim që e ka kryer dhe u la i lirë.
Seanca gjyqësore është zhvilluar nën masa të forta sigurie, ndërsa trupi gjykues kryesohej nga gjyqtari Genci Busho dhe anëtarë Vladimir Cjapi dhe Elira Hroni.
Një seancë me parë prokurori i çështjes Petrit Vukaj kërkoi shpalljen fajtor të të akuzuarve ku për Florian Mukën kërkoi 25 vjet burg dhe për të miturin Klajdi Muka 12 vjet burg.
Mbrojtja nga ana e saj e përfaqësuar nga avokat Ervis Goxhaj ka pohuar para trupit gjykues se Floriani e ka pranuar vrasjen por ka deklaruar se e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Ndërsa i mituri Klajdi Muka ka pohuar se ai ka qenë prezent kur ka ndodhur sherri dhe është kryer vrasja, por vetë nuk ka kryer asnjë veprim. Dy të akuzuarit kanë kërkuar falje dhe kanë shprehur pendesë për veprimet e kryera. 20-vjeçari u qëllua me thikë nga Florjan Muka 19 vjeç në qendër të Fierit. Dyshohet se sherri mes tyre nisi në rrjete sociale dhe më pas degradoi në përleshje fizike. Shoku i viktimës Olti Serjanaj 20 vjeç, i cili ndërhyri për ta shpëtuar, mbeti i plagosur. Viktima studionte për teknologji informacioni dhe pasditeve punonte kamerier në një lokal pranë vendit të ngjarjes.
Komente

O zot cfar turpi ..te arrestohen prokuror dhe gjukatesi bandita..shum pak i dënuan keta kriminela...
Përgjigju