ELBASAN- Një tjetër autor është identifikuar si i përfshirë në vrasjen e ish-oficerit të Krimeve Roland Rexhepi në vitin 2009, duk e çuar në 5 numrin e personave të përfshirë në atentat.
Policia bën me dije se ka shpallur në kërkim Gëzim Ballën, banues në Elbasan, i cili nga hetimet rezulton si bashkëpunëtor në atentatin e bujshëm ndaj Roland Rexhepit, i njohur si 'Doda', që konsiderohej si krahu i djathtë i ish-komisar Edmond Kosenit, u ekzekutua me armë zjarri në prag të shtëpisë së tij ndërkohë 2 vite më pas iu vra vëllai i 'tij Ilir Rexhepi, biznesmen i njohur në qytetin e Elbasanit.
50-vjeçari Gëzim Balla i cili tashme është shpallur ne kërkim rezulton i dënuar më parë për prodhim shitje narkotikësh si dhe anëtar i një grupi kriminal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar ndaj tij ne mungesë masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Për ekzekutimit e ish-efektivit të antidrogës, deri tani janë arrestuar 4 autorë, Marjus Tafën dhe Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg, Florind Shabani, i ekstraduar në fillim të janarit 2022 nga Gjermania, si dhe Donald Hoxhën, i cili u ekstradua nga Anglia dy muaj më parë. Të pestë dyshohet se në bashkëpunim kanë ekzekurtuar ish-oficerin e krimeve. Kjo vrasje është një ndër ngjarjet e bujshme që ka nisur sagën e tmerrshme të vrasjeve në Elbasan në 2 dekadat e fundit.
Si u vra Roland Rexhepi
Ekzekutimi i ish-oficerit të Policisë, Roland Rexhepi u realizua mëngjesin e 23 korrikut të vitit 2009. Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi ndaj tij është qëlluar me breshëri nga dy armë zjarri të llojit automatik, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Autorët ishin të maskuar, por ekspertët e kriminalistikës kanë mundur të sigurojnë provat e ADN-së të gjetura në një motor, në bishta cigaresh apo në një kapuç të gjetur më vonë.
Krahasimi i tyre ka bërë të mundur zbardhjen e identiteteve të autorëve, edhe pse dy të dënuarit nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin. Në rastin e Florind Shabanit kanë qenë autoritetet hetimore nga Gjermania ato që kanë sjellë provat e ADN-së së tij pasi rezulton i dënuar në shtetin gjerman për lëndë narkotike. Autoritetet shqiptare kanë krahasuar ADN-në e tij me atë të babait, Ismail Shabani.
Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk kishte zbardhur ende vrasjen e ish-efektivit, në një atentat me armë zjarri dy vite më vonë vritet në qendër të Elbasanit biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të antikrimit në Policinë e Elbasanit. Rexhepi u ekzekutua më 30 dhjetor të vitit 2011. Në pamjet e kamerave të sigurisë duket një person që largohet duke çaluar, pasi ndaj atentatorit u kundërpërgjigj me armë biznesmeni, i cili humbi jetën pak momente më vonë.