Kronikë

Vrasja e ish-policit Malko, dëshmon në GJKKO babai i Dukës: As unë dhe as djemtë s'kishim konflikte me Santiagon, Martinajn s'e njoh! Emrat ua dëgjova në TV

1 Korrik, 11:46| Përditesimi: 1 Korrik, 21:29

  • Share

Tiranë- I njohur më shumë sesa për veprimet e tij por për bëmat e djemve të tij,  Muhamet Duka, babai i vëllezërve drejtues të të ashtuquajturit ‘Klani Duka’, u ul këtë të martë në karrigen e dëshmitarit në GJJKO.

Ai mohoi gjithçka në dëshminë e tij për procesin ku djemtë e tij, Leonard dhe Erlis Duka, po gjykohen për vrasjen e ish policit Santiago Malko. Mes mohimeve edhe se u mor peng, e dyshuar nga autoritetet hetimore si shkaku kryesor i ekzekutimit të Malkos.

“Kam lidhje miqësore me dy nga të pandehurit, me disa nga të pandehurit e tjerë kam lidhje gjaku. Pranoj të dëshmoj para gjykatës”, tha ai në nisje të dëshmisë së tij.

Dëshmitari u pyet nga avokatët në lidhje me konfliktet dhe raportet me viktimën Malko. Ervis Martinajn, armikun më të madh të djemve të tij, thotë se nuk e njeh fare dhe s’e nuk di asgjë për këto konflikte.

“Nuk kam pasur konflikt personal me Santiago Malkon. Leonard dhe Erlis Duka nuk kanë pasur konflikt me Santiago Malkon. Ervis Martinajn nuk e njoh. Me këtë shtetas djemtë e mi në dijeninë time s’kanë pasur asnjë konflikt”, tha ai.

Pyetje u bënë edhe nga prokurori i dosjes, i SPAK, Behar Dibra, në lidhje me të pandehurit e çështjes, njohjet me ta, kurse Muhamet Duka u përgjigj:

“Aleksandër Maxhaku është i njohur për mua, është nipi im nga motra. Shkurt e thërrasin “Leks”, “Aleks”, varet. Kam 6 vjet pa e takuar, shumë ka. Nuk kam mundur ta takoj, nuk di asgjë ku ndodhet. Dritan Agaj është i njohur për mua. Njeri i njohur për ne. Një mbesa jonë e ka për burrë atë. E kemi tonin deri diku. Dritanin e kam parë me djemtë e mi, i shihja si çuna. Oltion Logën e njoh, e kam parë si fytyrë. E njoh, e kam parë në lagje. Oltionit i thërrisnim edhe “Olt”. Nuk e di me cilin nga djemtë shoqërohej. Fatmir (Hysenin) Doçajn nuk e njihja, e kam dëgjuar në televizor më mbrapa. Ilir Selmanin e kam dëgjuar, nuk e njoh. Blendi Tetën e kam dëgjuar në media, nuk e njoh. Nuk e di kush është. Nuk më ka lidhur puna me i parë. Unë merresha me tregëti, tani jo se jam në pension. Kam pasur lokal timin. Lokali im nuk ka pasur emër. Me menaxhimin merresha unë dhe nusja. Djemtë merreshin me punët e veta, me biznesin e vet. Merreshin me lojërat e fatit. Nuk e di me kë bashkëpunonin. Nuk përzihesha, ata ishin të rritur", dëshmoi ai. 

Me synimin për të mohuar gjithçka Muhamet Duka thotë se nuk dinte as ku jetonin djemtë e tij, pasi ata ishin të rritur.

 “Unë jetoj me bashkëshorten. Leonardi ka pas jetuar me vëllain, të ndarë nga ne. Jetonin me qira. Unë rrija në Fresk, djemtë nuk e di ku rrinin. As nuk i kam pyetur ndonjëherë, nuk shkoja te banesa e tyre. Ata vinin te shtëpia ime. Ata i kam ndihmuar unë dikur, kur u rritën kishin jetën e vet”

Muhamet Duka i qëndroi deklarimeve të tij se as kishte pasur konflikt me ndokënd, as ishite ndaluar në rrugë dhe as ishte goditur nga dikush.

“S’më ka ndaluar asnjëherë në asnjë mënyrë dikush në rrugë. S’di të jenë plagosur a konfliktuar djemtë e mi. Këto dy djem kam. S’jam lënduar kurrë mga dikush, as me fjalë as me veprime. S’ka dalë njeri të më thotë kurrë një gjysmë llafi. S’jam goditur kurrë nga dikush, s’kam ndodhur kurrë në ndonjë përplasje. S’di pajtim mes djemve të mi dhe Mumajesi, absolutisht nuk di gjë. Nuk e njoh Gëzim Mumajesin. Rivelino Mumajesin e kam parë si çun lagjeje. Me djalin rrija rrallë, shumë-shumë rrallë. Nuk më është kërkuar kurrë të ndërhyja në diçka. Ervis Martinaj s’e kam dëgjuar, as s’e njoh as s’e kam parë, as se di. S’e kam dëgjuar ndonjëherë. Santiago Malkon e kam dëgjuar vetëm më media”, u shpreh ai mes të tjerash.

Pasi dëgjoi dëshminë e Dukës, trupa e GJKKO-së vendosi ta shtynte seancën për më 9 korrik, ora 10:00, ku SPAK pritet të japë edhe konkluzionet penale dhe më pas pretencën për të pandehurit.

Lidhjen me vrasjen e ish policit Santiago Malko, njeriun e Ervis Martinajt, ish mikun e tij që u kthye në armikun më të madh, e ka mohuar më herët para togave të zeza të GJKKO, Leonard Duka. Ai që cilësohet se kreu i ‘Klanit Duka’ u ekstradua nga Belgjika 2 gushtin e vitit të kaluar, ndërsa për vrasjen e Santiago Malkos janë në gjykim përveç vëllezërve Duka edhe Oltion Loga, Aleksander Maxhaku, Fatmir Hyseni dhe Dritan Agaj, ndërsa gushtin e vitit 2019 janë gjykuar dhe dënuar anëtarë të tjerë të grupit kriminal.

Të pandehur në këtë proces janë:
-Leonard Duka
-Erlis Duka (i vëllai)
-Oltion Loga
-Aleksander Maxhaku
-Fatmir Hyseni
-Dritan Agaj

Në dosjen e SPAK dhe bazuar te dekriptimet e siguruara nga bisedat në telefonat e koduar me platformën SKY ECC, Prokuroria ka arritur të zbulojë bisedat e 'mbretit të kumarit', Ervis Martinaj me ish-mikun e tij në biznes dhe shoqëri, Leonard Duka dhe shkakun e armiqësisë mes tyre. Sipas këtyre bisedave rezultonte se ish-polici Santiago Malko dyshohej që të kishte dhunuar babanë e vëllezërve Duka, Muhametin që dëshmoi sot në GJKKO.

Për këtë shkak marrëdhëniet ishin acaruar, duke kaluar deri në luftë mes dy krahëve, ku ofroheshin edhe pagesa marramendëse, gjithnjë sipas bisedave të dekriptuara deri tani. Por në dëshminë e sotme, Muhamet Duka mohoi njohjen me Ervis Martinajn, sikurse edhe konfliktet me ish-policin Santiago Malko. Edhe vetë i pandehuri Leonard Duka vazhdimisht e ka mohuar përfshirjen e tij në atentatin ndaj ish-efektivit.

Në seancën e fundit, të 24 qershorit, pati debate të forta në Gjykatën e Posaçme. Nëna e ish-policit, Bukuri Malko, kërcënoi në sallë të dyshuarin Leonard Duka, ç'ka solli përjashtimin e saj. Nga ana tjetër Duka mbajti qëndrim mohues në gjykatë për komunikim në “SkyECC” me Ervis Martinajn.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 02/07/2025 03:37

    Deri ku shkon nje baba per te shpetuar djemte e tij!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    I nxehti ekstrem, duhet të marrë masa Shqipëria për të mbrojtur qytetarët?