Nëna e Santiago Malkos nuk i mbajti dot lotët, kur 3 vite më pas, iu rikthye edhe një herë para syve, momenti i vrasjes së djalit të saj, më 28 gusht të 2019-ës. Në Gjykatën e Posaçme u shfaqën për herë të parë pamjet filmike të kamerave të sigurisë që kanë fiksuar vrasjen e ish-policit, Malko, i njohur si krahu i djathtë i Ervis Martinaj.
Ngjarja është kapur nga kamera e një lavazhi ne zonën e Porcelanit në Tiranë ku duket makina e atentatorëve, e cila ishte në ndjekje të Malkos që gjithashtu ishte me automjet, dhe pasi ky i fundit hap krahun qëllohet me breshëri automatiku.
Nga pamjet, të cilat Report Tv, i pa gjatë ndjekjes së seancës gjyqësore, kuptohet që autorët i kanë bërë fillimisht shenjë me drita për të ndaluar Malkos dhe në momentin që ai vjen e qëllojnë me breshëri kallashnikovi nga brenda makinës. Më pas makina e ish policit lëviz për disa sekonda për inerci dhe përplaset me disa kazanë mbeturinash .
Në pamje u shfaqen edhe dy të pandehurit si bashkëpunëtorë Ilir Selmani dhe Elvis Gacaj që sipas SPAK kanë lëvizur ne zonë para dhe pas ekzekutimit.
Për vrasjen e Santiago Malkos është dënuar me 25 vite burg Blendi Teta, i pari që u arrestua për ngjarjen dhe u gjykua në një proces më vete si bashkëpunëtor në vrasje.
Sipas dosjes hetimore, ekzekutor dyshohet të jetë Fatmir Hyseni nga Vlora, i shpallur në kërkim. Ndërkohë që akuzohen si organizatorë vëllezërit e klanit Duka, Leonard dhe Erlis Duka edhe këta në kërkim, por që pak ditë më parë gjykata nisi në mungesë procesin ndaj tyre.
Santiago Malko dyshohet se u ekzekutua nga grupi rival i Ervis Martinaj, për shkak të lidhjeve të afërta me këtë të fundit.
SPAK kishte mbyllur hetimet për grupin e konsideruar si 'Klani Duka' që në korrik të vitit 2021 por gjykimi ndaj tyre ishte pezulluar sepse janë të gjithë në arrati dhe askush i arrestuar. Në proces po gjykohen Leonard Duka, Erlis Duka, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni (Musai), Dritan Agaj (të gjithë në mungesë dhe të pakapur nga policia), të cilët akuzohen të gjithë për vepra të tilla si "Grup i Strukturuar Kriminal", "Kryerja e veprave penale nga grup I strukturuar kriminal" "Vrasja me paramendim", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", të gjitha në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 27 gusht 2019 kur në Rrugën "Xhanfize Keko" në Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri polici Santiago Malko.
Për këtë vrasje është duke u zhvilluar paralelisht një tjetër proces ndaj të dy të pandehurve Ilir Selmani dhe Elvis Gaci, ndërsa më parë është dënuar me 25 vite burg Blendi Teta. Leonard Duka, Oltjan Loga dhe Dritan Agaj akuzohen edhe për "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", ndërsa, Oltjan Loga ka edhe një akuzë për arratisja nga burgu.
Si ndodhi vrasja
-Vrasja e Santiago Malkos më 27 gusht 2019 ishte planifikuar nga një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qënë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin “Doqen” e Vlorës për të hapur zjarr në drejtim të objektivit Malko. Etja për të vrarë Santiago Malkon dhe për të mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi këtij personi, ka qënë e madhe, kjo pasi shihet qartë dhe hapur mobilizimi i klanit “Duka”, në logjistikë, në burime njerëzore dhe burime financiare. “Shqiptarja.com” e cila ka investiguar dhe publikuar e para se hija e kujt klani fshihej pas kësaj vraje, emrat dhe rolin e klanit “Duka” në këtë ngjarje, sot sjell të plotë akuzat që janë ngritur ndaj personave të shpallur në kërkim si Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj ose “Gabeli”, Fatmir Hyseni ose “Doqja” dhe Bledar Teta.
Deri nenen ku ya ken plehrat ishalla i gjeni te vdekur
Përgjigju