KLGJ

Politikë

Vrasja e Kalasë në Apel/ KLGJ ankohet për mbledhjen e gjyqtarëve: Nuk na përfshinë

8 Tetor, 15:04| Përditesimi: 8 Tetor, 15:11

  • Share

Kreu i Këshillit të Lartë gjyqësor, është ankuar se është anashkaluar kur u mor vendimi për mbledhjen e gjyqtarëve ditën e nesërme, e cila ka për qëllim të diskutojë situatën e krijuar pas vrasjes dy ditë më parë në sallën e gjyqit të gjykatësit të Apelit Astrit Kalaja.

Thirrja e takimit u vendos me nismën e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe takimit të organizuar me drejtuesit e gjykatave nga kryetari i GJL Sokol Sadushi. Por menjëherë më pas, kreu i KLGJ-së Ilir Rusi, i është drejtuar përmes një komunikimi drejtuesve të Gjykatave duke folur për “një qasje të pakoordinuar dhe aspak të përbashkët nga ana e kryetarit të GJL”. Më tej ai shkruan se institucioni I drejtuar prej tij “shpreh keqardhjen, që në cilësinë e organit të përcaktuar nga Kushtetuta për qeverisjen dhe administrimin e pushtetit gjyqësor, ka mbetur i papërfshirë në trajtimin e çështjeve kaq të rëndësishme që lidhen me sigurinë, integritetin dhe dinjitetin e gjyqtarëve”.

Kryetari i GJL Sokol Sadushi, i është përgjigjur shqetësimit të ngritur, po ashtu përmes një komunikimi që përfshin drejtuesit e gjykatave dhe anëtarët e KLGJ, duke theksuar se takimi i tij ditën e djeshme “nuk ka patur asnjë qëllim që të shmangte apo anashkalonte Këshillin”, porse ishte “konceptuar si një mbledhje e brendshme e drejtuesve të Gjykatave të Republikës, e thirrur në zyrën time, për të reflektuar mbi situatën e rëndë që ka prekur të gjithë trupën gjyqësore dhe për të përcjellë një qëndrim të përbashkët institucional, në respekt të figurës dhe sakrificës të të ndjerit  gjyqtar Astrit Kalaja”.

Sa për mbledhjen e nesërme të gjyqtarëve, zoti Sadushi thekson se “KLGJ-ja është e ftuar”, ndërsa kujton se “anëtarët/gjyqtarë të zgjedhur në KLGJ natyrshëm janë pjesë e mbledhjes së gjyqtarëve të Republikës, në cilësinë e tyre të pandarë si anëtarë të trupës gjyqësore”. Kreu I Gjykatës së Lartë, shpreh më tej bindjen se “bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet gjyqtarëve dhe KLGJ-së, në këtë moment është I domosdoshëm për të përcjellë një mesazh të unifikuar, për të forcuar besimin e publikut dhe për të garantuar që siguria, dinjiteti dhe pavarësia e gjyqtarëve të mbeten të pacenueshme në çdo kohë”.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush, kush duhet ta garantojë sigurinë në Gjykata?