Viktima Martin Cani, vendi i krimit dhe i dyshuari

Kronikë

Vrasja e Martin Canit, debate të forta në seancë! Shpërthen babai i të plagosurit: Ju po flini gjumë mbi dosje, Gjykata e Tiranës e nxjerr nga salla! Pyeten 5 të mitur

22 Maj, 15:12| Përditesimi: 22 Maj, 15:50

  • Share

Tiranë- Debate gjatë seancës së pyetjeve të dëshmitarëve në Gjykatën e Tiranës, për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani më 18 nëntor 2024 pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet.

Sot (22 maj) janë pyetur 5 të mitur (nxënës) në cilësinë e dëshmitarit për vrasjen e të miturit pas një sherri nga bashkëmoshatari M. P.

Ka qenë një deklaratë e prokurores së çështjes mbi dinamikën e përplasjes mes të miturve që shkaktoi irritimin e babait të të plagosurit L. M., që u shpreh “ju po flini çdo ditë mbi dosjen’.

Pas ngjarjes pati dyshime për mosparandalimin e krimit, për të cilin shkolla kishte dijeni, si dhe praninë e një bashkëpunëtori të dytë, por që hetimet nuk e provuan dot.

Të miturit u pyetën në prezencë të psikologes dhe prindërve lidhur me dinamikën e ngjarjes. Seanca radhës u la më 28 maj në orën 10:15, ku do të pyetën 8 dëshmitarë të tjerë, të mitur. Në seancë ka pasur debate midis palëve, ku prokurorja Alma Felaj është përballur me pakënaqësinë e prindërve të të plagosurit 14-vjeçar lidhur me hetimet, ku babai i tij u detyrua nga gjykata të dalë nga salla.

Debati është krijuar kur po flitej për ditën para ngjarjes, ku të miturit e sulmuar kishin qenë duke luajtur futboll në Kavajë (ishin pjesë e akademisë së të rinjve të Dinamos), dhe janë shoqëruar nga prindërit e të plagosurit në kthim.

Në sallë është folur për mundësinë që të miturit të kenë debatuar në telefon në mbrëmje me palën tjetër, dhe prokurorja ka artikuluar se “mbase prindërit kanë qenë në gjumë”.

Kjo ka nxitur reagimin e babait të të plagosurit, i cili i është drejtuar prokurores me fjalët “Ju po flini gjumë me dosjen, ne na zien zemra çdo ditë!”.

Më 4 prill Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga avokati i autorit, i dyshuar për vrasjen e të riut Martin Cani, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.

Më 27 mars, Gjykata e Tiranës kaloi për gjykim dosjen. Për shkak të moshës së mitur, seanca paraprake u zhvillua me dyer të mbyllura, siç u vendos të mbahen edhe seancat gjatë gjithë procesit, ndërsa shoku i plagosur i Martinit, tha se pret të vihet drejtësia.

Krimi i rëndë ndodhi ditën e 18 nëntorit në kryeqytet, pranë shkollës 9-vjeçare "Fan Noli", pas orës së mësimit.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?