TIRANË- Gjyqtarja e seksionit për të mitur, Migena Laska, vendosi të kalojë për gjykim dosjen për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, 18 nëntorin e vitit 2024.
I dyshuari, bashkëmoshatar me të ndjerin, u paraqit në seancë paraprake i shoqëruar nga babai dhe avokati, ku përmes tij kërkoi gjykim të shkurtuar. Kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata e Tiranës, me argumentin se vepra penale vrasje në rrethana cilësuese, nuk e parashikon këtë lehtësi procedurale që shkurton afatet e gjykimit dhe në rast dënimi i ul vitet e ndëshkimit me 1/3-ën.
Në seancën e zhvilluar në prani të psikologes për shkak të moshës së mitur të të pandehurit, pala mbrojtëse që përfaqëson familjen e Martin Canit, kërkoi ri ekspertizë nga mjekësia-ligjore, me argumentin se 14-vjeçari është goditur nga 2 autorë, dhe jo vetëm nga i arrestuari.
Prindërit e Martin Canit, Ëngjell dhe Florina Cani e ndoqën me interes seancën ndërsa miku i djalit të tyre i cili mbeti i plagosur gjatë përleshjes pranë shkollës, shkurt tha se pret drejtësi.
“Nuk e kam përjetuar mirë seancën, por dua të them se kërkojmë drejtësi. Jam gjithnjë i gatshëm të dëshmoj në gjyq nëse më kërkohet”.
Gjyqtarja Migena Laska vendosi që i gjithë procesi gjyqësor të mbahet me dyer të mbyllura, pa praninë e medias, për shkak se të përfshirët janë të mitur.
Martin Cani mbeti i vrarë me thikë gjatë një përleshje me shokun e shkollës pas disa konflikteve të nxitura në rrjetet sociale, çka pasoi edhe me vendimin e qeverisë për të mbyllur TikTok.
Nga sherri vetëm 200 metra larg 9-vjeçares “Fan Noli”, mbeti i plagosur edhe shoku 17-vjeçar që Martin Cani thërriti në mbështetje, i cili vazhdimisht ka pretenduar se e goditi pas shpine një autor i dytë, djali i një agjenti të BKH-së, për të cilin policia zyrtarisht ka deklaruar se në momentin e vrasjes, ishte larguar nga përleshja dhe se nuk ka pasur një thikë të dytë në vendngjarje.
Komente

Drejtesi per Martinin! Te varet(n) ne litar ai(ata) qe ka(kane) kryer kete makabritet. Kush vret, te vritet!
Përgjigju