Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, mbështeti sot (28 Nëntor), deklaratën e Policisë së Shtetit në lidhje me situatën e krijuar nga faktorë të ndryshëm, përfshi edhe ai mediatik, për të krijuar pasiguri të qytetarët dhe lajmin e rremë se në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani më 18 Nëntor, ka më shumë se një autor të përfshirë në krim.
Hoxha shprehet në reagimin e tij në rrjetin social Facebook se “e mbështet plotësisht deklaratën e Policisë së Shtetit” dhe i “bashkohej thirrjes ndaj mediave për të ndalur fushatën e dezinformimit”, duke kujtuar edhe rastin e Pogradecit, ku “u helmua opinioni publik”. Madje e konfirmon faktin se nuk ka autor të dytë, duke marrë përgjegjësi politike dhe ligjore.
"Konfirmoj edhe me përgjegjësinë time politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e kësaj ngjarjeje. Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik. Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit", shkruan Hoxha.
Ministri thekson më tej duke ngritur dyshimet se kjo bëhet për një "lojë politike për pushtet", se për fat të mirë "ngjarja është e filmuar nga një kamera", duke e nxjerrë bllof këtë faktor dezinformues.
Reagim i ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në rrjetet sociale:
“Mbështes plotësisht në frymë dhe në gërmë deklaratën e sotme të Policisë së Shtetit dhe i bashkohem thirrjes për mediat, që të ndalin valën e dizinformimit mbi autorësinë e vrasjes së nxënësit të shkollës "Fan Noli" dhe në përgjithësi mbi komunikatat e Policisë së Shtetit, siç bënë edhe në rastin e Pogradecit duke helmuar opinionin publik.
Konfirmoj edhe me përgjegjësinë time politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e kësaj ngjarjeje.
Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik.
Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit.
Por fatmirësisht në këtë rast, ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë qartë bllofin e madh të politizimit apo tregtimit mediatik të vdekjes.
Konstatoj se përpjekja për të shfrytëzuar politikisht dhe mediatikisht situata të tilla, rritet bashkë me të dhënat pozitive të punës së policisë.
Histeria dizinformuese mesa duket motivohet nga rënia e përvitshme e numrit të vrasjeve dhe kur ndodh një tragjedi e tillë, të zakonshmit hidhen përpjetë sapo u vjen rasti! Sidoqoftë, e vërteta është e qartë si drita e diellit në komunikatat e Policisë së Shtetit, jo në lojën politike apo mediatike me vdekjen të atyre që ky popull ua ka marrë dorën prej kohësh”.
Lajmi kryesor:
Vrasja e Martin Canit/ Policia reagon sërish: Mos hidhni më dyshime të pabaza, s’ka autor të dytë! Po synohet nxitja e pasigurisë te qytetarët
A.Q/ReportTv.al