Kronikë

Vrasja e Mehmet Qemës zbuloi laboratorin e prodhimit të Bitcoin, eksperti i ekonomisë tregon si funksionon kriptomonedha: Nevojitet kosto e madhe e energjisë! Kuadri ligjor s' është i plotë’

12 Maj 2021, 17:55| Përditesimi: 12 Maj 2021, 18:14

  • Share

Vrasja e 27-vjeçarit Mehmet Qema nga miku i tij Marjus Dema zbuloi një laborator të prodhimit të kriptomonedhave virtuale, e cila ishte në pronësi të grupit të miqve. Kjo lloj teknologjie bën të mundur shkëmbimet e pagesave mes dy subjektesh pa pasur nevojë për një ndërmjetës të tretë që jep garanci. Në thelb të këtyre monedhave qëndrojnë kode kompjuterike të kriptuara në mënyrë të sigurt, të cilat bëjnë kalimin e informacionit nga një platformë kompjuterike te tjetra. Eksperti i ekonomisë, Gent Beqiri, sqaron se çfarë duhet për të prodhuar bitcoin.

“Seri kompjuterash shumë të fuqishëm, të fuqishëm në kuptimin 'epses më i fuqishëm që ne mund të marrim', me vlera të caktuara me të paktën 5 mijë apo 6 mijë euro. Një kartë grafike të fuqishme dhe më pas këto replikohen sepse sa më shumë kompjutera të kesh që prodhojnë, aq më e madhe është edhe sasia e bitcoin që arrit të prodhosh në të ashtëquajturin “farm”, pra fabrikën e prodhimit të bitcoin.” – thotë eksperti.

Të prodhosh bitcoin, përveç kostos së madhe të pajisjeve, kosto ka edhe energjia elektrike që u duhet për të punuar.

“Kosto tjetër është patjetër energjia elektrike sepse ato janë 24 orë në të gjitha ditët e javës pa pushim në prodhim. Me thënë të drejtën ëshë i një niveli shumë të lartë sepse duke qenë edhe pajisje specifike të fuqishme, kërkojnë energji elektrike në konsum shumë të lartë.” – shprehet Beqiri.

Teknologjia dhe interneti ecin me ritme të paimagjinueshme, çfarë ka gjetur të papërgatitur jo vetëm vendin tonë por edhe vende të tjera në kuadrin ligjor. Problemi i parë që eksperti Beqiri vëren është mungesa e pagesave të taksave.

“Në aspektin ligjor ajo është totalisht në ajër sepse shteti nuk ka asnjë lloj përfitimi, pra shoqëria nuk ka asnjë lloj përfitimi në këtë aktivitet. Nuk është si çdo biznes tjetër tregtarë, në të cilën paguan taksa, ke një produkt apo shërbim të caktuar, punëson. Ndërsa kjo është thjesht për përfitim intelektual.” – deklaron Beqiri.

Në maj të vitit të shkuar Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” i cili i hapi rrugë zhvillimit të tregut të monedhave virtuale në Shqipëri, me qëllim thithjen e investitorëve të huaj, duke u bërë një nga vendet e pakta në rajon që e bën të ligjshme këtë teknologji. Por edhe pse ligji e lejon, ekspertët e ekonomisë thonë se tashmë është e nevojshme që të plotësohen edhe aktet nënligjore në mënyrë që tregu të licencohet dhe ky aktivitet të ketë mundësi të monitorohet.

“Përsa i përket kontrollit, normalisht nuk mund të kontrollohet. Edhe sikur kuadri ligjor të ishte akoma më i avancuar se kjo që kemi ne, jemi vetëm në hapin e parë të një koncepti të të bërit biznes në këtë fushë. Është shumë e vështirë që gjithë kuadrin ligjor t’a rregullosh në këtë aktivitet duke ditur pamundësinë e shtetit për gjërat që ndodhin në rrjetin e internetit, t’i kontrollosh.” – përfundon eksperti i ekonomisë, Gent Beqiri.

Bitcoin njihet si monedha e parë virtuale, e emetuar privatisht në vitin 2009, nga një autor anonim. Autori anonim Satoshi Nakamoto, publikoi dokumentimin e protokollit elektronik të bitcoin dhe krijoi kriptomonedhën e parë bitcoin, prej 50 njësish, më 3 janar 2009.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?