Bruksel- Gjykata belge ka lënë në paraburgim hidraulikun italian, i cili akuzohet se ekzekutoi mbrëmjen e 25 Gushtit me plumb në kokë muratorin shqiptar Shpëtim Ayvazi, 43 vjeç, baba i tre fëmijëve, pas një sherri të vazhdueshëm për vendin e parkimit para godinës ku dhe jetonin e ishin fqinj mes tyre, në periferi të Brukselit, qyteza e Machelen.
Gjyqtari i dosjes vlerësoi të ligjshëm më 27 Gusht ndalimin e 61-vjeçarit Renato F., i divorcuar dhe baba i një djali 20-vjeçar, për akuzën e vrasjes me dashje, armëmbajtjes pa leje dhe tentativës së vrasjes, me pasojë plagosjen e rëndë.
Policia dhe Prokuroria i thanë Gjykatës se i dyshuari kishte tentuar arratisje nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua vetëm të nesërmen e ngjarjes së rëndë. Ai kishte kërcënuar pas krimit duke gjuajtur me armë edhe gruan dhe djalin 15-vjeçar të viktimës, që shpëtuan për mrekulli.
Pas kësaj mori një nga makinat e tij (veturë), për t’u arratisur, shkruan media belge “Nieuwsblad”.
“Policia mundi të gjente Renato F., mjaft shpejt falë kamerave ANPR që zbuluan targën e tij. Pati një ndjekje në Overijse, Brabant Flaman, ku policia e kapi burrin dhe e prangosi”, shkruan media në fjalë.
Makina me të cilën 61-vjeçari tentoi të arratisej
Por kamerat spiune të vendosura në rrugë nga autoritetet e tradhtuan, teksa pikasën targën e makinës dhe vunë në alarm patrullat rrugore. Pas ndjekjes disa orëshe Renato F., u arrestua pa bërë rezistencë.
Krimi i shumëfishtë ndodhi rreth orës 20:00 të mbrëmjes së diel në Blijde Inkomststraat në Machelen. Dëshmitarët treguan se dy burrat kishin konflikte të vazhdueshme për vendin e parkimit para banesës, në rrugën buzë trotuarit, pasi lagja është shumë e shtrenjtë dhe parkimet gjenden rrallë. Për më tepër që si viktima, ashtu dhe autori, kishin më shumë se një mjet.
Ata ngacmoheshin shpesh, teksa as policia belge nuk e kishte zgjidhur dot sherrin, edhe pas disa sinjalizimeve, duke lejuar indirekt denigrimin e situatës. Sulmi ndodhi në momentin që Shpëtimi kishte lënë punën dhe po kthehej nga berberania (parukeri) e zonës.
Kushëriri i tij lëvizi veturën “Golf” për t’i krijuar vend furgonit të 43-vjeçarit, por në këtë moment u dëgjuan krismat e armës. Fillimisht ndaj babait të tre fëmijëve, brenda në furgon dhe më tej ndaj 19-vjeçarit.