Kronikë

Vrasja e nënkomisarit, dalin detaje! Ngjarja 500 metra larg parcelës ku efektivët asgjësuan 110 rrënjë kanabis! Dëshmia e 2 shokëve të Aldi Ramës: Shkuam për të pirë hashash

29 Shtator 2021, 10:54| Përditesimi: 29 Shtator 2021, 11:30

  • Share

 

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vrasjen e nënkomisarit Saimir Hoxha, ngjarje  e ndodhur mëngjesin e djeshëm në zonën e Ishull Lezhë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se autori Aldi Rama ka pasur me vete dy krëhëra pistolete, njërin prej të cilëve e kishte hedhur në vendngjarje pasi qëlloi 44-vjeçarin Hoxha. Krëhëri tjetër u gjet në vendin ku 21-vjeçari Rama qëlloi veten.

Sipas grupit hetimor, fillimisht Rama ka qëlluar ndaj efektivit nga sendilja e pasme e mjetit, plumb i cili e ka kapur në qafë. Më pas ka dalë nga makina për tu ulur në vendin e shoferit dhe aty e ka qëlluar me një plumb në bark duke i përshkruar pranë zemrës. Në vendngjarje u gjetën 8 gëzhoja të qitura nga pistoleta TT e autorit dhe 7 të tjera të qitura nga dy efektivët e tjerë, kolegë të Saimir Hoxhës. E gjithë ngjarja ka ndodhur 500 metra nga parcela ku efektivët kishin asgjësuar 110 rrënjë kanabis. Mostrat e lëndës narkotike u gjetën në makinën e policisë.

Ndërkohë në dëshminë e tyre para policisë, Armando Mrku dhe Kristian Sheri, shokët e Aldi Ramës të cilët ishin në makinë me të kur ndodhi ngjarja, kanë rrëfyer se në vendin ku i gjeti policia, ata kishin shkuar për të pirë hashash dhe se kur efektivët ishin afruar për kontroll, ata kishin konsumuar një cigare. Ata kanë deklaruar po ashtu se nuk ishin në dijeni se Aldi Rama kishte pistoletë me vete dhe po ashtu nuk e dinin se ishte me masë sigurimi "arrest shtëpie" për armëmbajtje pa leje, pasi e takonin shpesh jashtë ambienteve të shtëpisë. Armando Mrku dhe Kristian Sheri pritet të dalin ditën e nesërme para gjykatës. Ndërkohë në vendngjarje është gjetur edhe një filtër cigareje e mbaruar, e cila pas analizimit, ka rezultuar të jetë jo cigare e thjesht, por hashah.

Nënkomisari Saimir Hoxha dhe kolegët e tij kishin shkuar për të asgjësuar një parcelë me kanabis, pas informacioneve se në  lagunën e Kune-Vainit  ishin mbjellë bimë të lëndës narkotike.


Lajmi kryesor:

VIDEO e vrasjes/ Report Tv siguron pamjet e ekzekutimit të policit në Lezhë nga 21-vjeçari Aldi Rama! Policia zbardh dinamikën: 3 të rinjtë na ndoqën! 2 shokët e vrasësit: Po pinim hashash


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?